“Kremlini ka dosjen e krimeve të tij”/ Çfarë i premtoi Aleksandër Vuçiq Vladimir Putinit për Kosovën?

Politika

“Kremlini ka dosjen e krimeve të tij”/ Çfarë i premtoi Aleksandër Vuçiq Vladimir Putinit për Kosovën?

Nga: P.R Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 21:35
Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq para dita ditësh qëndroi në vizitë te presidenti rus, Vlladimir Putini. Ai ka thënë se nga Rusia do të kthehet “si kolonel, ose si i ndjerë”.

“Unë thashë se do të shkoj në Moskë dhe do të kthehem, siç thonë njerëzit tanë, ose si kolonel ose si i vdekur”, tha Vuçiq, i cili disa herë ka marrë kritika nga evropianët dhe amerikanët për bashkëpunimin e tij të ngushtë me Federatën e Rusisë. Por pavarësisht kësaj, Vuçiq ka vazhduar bashkëpunimin me Moskën zyrtare.

E për vizitën e Vuçiqit të Putini dhe mesazhin e këtij takimi, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Vuçiq është i kapur keq, është peng i krimeve të tij kundër njerëzimit. Prandaj ai nuk mund të bëjë politika anti-ruse. Në këtë kuptim presidenti i Serbisë ka të drejtë kur është shprehur se "ose do të kthehet si kolonel, ose si i ndjerë" nga Kremlini. U kthye edhe kësaj radhe si "kolonel"! Sepse ka premtuar në Moskë se nuk do të lëvizë nga linjat e politikës ruse. Sigurisht që në këmbim të kësaj ka marrë garancinë e Vladimir Putin për të vazhduar me provokimet për e kundër Kosovës”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Qëllimi i Rusisë në Ballkan

Sipas tij, Vuçiq ka marr udhëzime nga Putin që mos të nënshkruaj asnjë marrëveshje paqeje me Kosovën, andaj është edhe e pamundur që të ketë marrëveshje mes dy shteteve.

“Edhe kësaj radhe Aleksandër Vuçiq është kthyer në Beograd me premtimin se Rusia nuk do të bëjë lëshime sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se ka marrë udhëzime që edhe Beogradi të mos nënshkruajë ndonjë marrëveshje paqeje e njohjeje të ndërsjellët me Kosovën. Prandaj është e pamundur që të arrihet ndonjë rezultat impresionues në bisedimet Kosovë-Serbi. Beogradi është i përkushtuar të mbajë ende pezull një marrëveshje të zgjidhjes së konfliktit dhe konflikteve në Ballkan. Pikërisht ky është edhe interesi i Kremlinit”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se mbajtja nën tension e rajonit tonë dhe vazhdimi i politikave destruktive me qëllim realizimin e ndikimit dhe pranisë ruse në Ballkan.

“Vuçiq është garancia e kësaj politike anti-perëndimore e për pasojë anti-shqiptare. megjithatë ai vazhdon të mbështetet nga kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, në këto politika destruktive për paqen dhe sigurinë në rajon. Besoj se Perëndimi do të bindet se me presidentin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka të ardhme për rajonin e Ballkanit dhe rajonit të Evropës Juglindore. Se ai është një marionetë në duart e presidentit rus, Vladimir Putin. Putin luan me marionetat e tij kudo ku Rusia ka interesa të caktuara. Luan p.sh me Asdsadin e Sirisë dhe me Assadin e Serbisë me emrin Aleksandër Vuçiq. Kosova duhet ta përdorë këtë fakt për të demontuar mashtrimet serbe për gjoja integrime euro-atlantike”, shpjegon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Marrëdhënia Vuçiq-Putin

Më tej, ai tregon edhe arsyet pse marrëdhëniet e Aleksandër Vuçiqit me Vladimir Putinin kanë qenë dhe janë marrëdhënie specifike.

“Së pari, sepse janë marrëdhënie tradicionale midis Serbisë dhe Rusisë, të cila në shekuj janë ndërtuar me investim dhe kujdes të posaçëm. Si të tilla ato shprehin të njëjtin vokacion, të njëjtën strategji, të njëjtën taktikë anticivilizuese e anti-perëndimore. Këtë e pagoi vetë Vuçiq në përfundim të vizitës së tij në Moskë. Historikisht Serbia është mbështetur të Rusia në përpjekjet e saj për hegjemoni në Ballkan. Madje Rusia ka shkuar edhe kundër Bullgarisë dhe vendeve të tjera sllave, kur ka qenë fjala për të përkrahur Serbinë”, thekson Bytyçi.

“Së dyti, sepse modeli i qeverisjes së Aleksandër Vuçiq është i njëjti me atë të Vladimir Putin në Rusi. Autoritarizmi, arroganca dhe vendimmarrja individuale janë karakteristikat e të dy autokratëve në pushtet në Beograd dhe në Kremlin. Për pasojë autokrati kërkon aleancë me autokratët. Kjo maksimë është e patjetërsueshme dhe e pakontestueshme”, shton profesor Bytyçi.

Më tej, ai deklaron se Kremlini ka në dosjen e vet për krimet e Aleksandër Vuçiqit.

“Së treti, sepse presidenti serb është personalisht i kapur dhe rob i Kremlinit në të gjitha pikëpamjet. Kremlini ka në dosjen e vet për krimet e Aleksandër Vuçiq kundër popujve të tjerë të Federatës ish-Jugosllave në luftërat e tmerrshme të viteve '90 të shekullit të kaluar. Vuçiq ishte protagonist i atyre luftërave. Vladimir Putin e kërcënon zotin Vuçiq me dëshmitë që ka në dosjen kundër tij. Prandaj është e pamundur që presidenti i Serbisë të shkëputet nga orientimi rus e lindor i politikave serbe. Këtë duhet ta kuptojë Perëndimi, Evropa dhe SHBA-të!”, shprehet Bytyçi.

“Por Aleksandër Vuçiq ka luajtur deri tani me kartën e "mundësisë" së orientimit të tij perëndimor. Për këtë ka kontributet e tij edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në fakt duket se Serbia nuk ka rrugë tjetër veç orientimit të saj euro-atlantik. Ajo është e rrethuar nga vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s e për pasojë e ka të vështirë të mbijetojë në rajon si aleate strategjike e Rusisë. Por nuk është Aleksandër Vuçiq ai që mund ta bëjë këtë çvendosje të Serbisë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat