Emisarët e BE-së po i mbështesin kërkesat radikale serbe!/ SHBA-ja t’i bëjë presion

Politika

Emisarët e BE-së po i mbështesin kërkesat radikale serbe!/ SHBA-ja t’i bëjë presion

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 dhjetor 2021 Në ora: 17:46
Presidenti slloven, Borut Pahor dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Marrëveshja e Kosovës me Serbinë nuk mund të përmbyllet pa një rol kyç të SHBA-ve. Bashkimi Europian është duke treguar paqëndrueshmëri ndaj kërkesave serbe, dhe në një mënyrë është duke i mbështetur kërkesat thuaja radikale serbe, si formimin e një asociacioni me kompetenca ekzekutive, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetues e Kosovës.

Kjo përpjekje u pa edhe nga mesazhet e presidentit Slloven, Pahor, gjatë vizitës që i bëri Kosovës, duke kërkuar përmbushjen e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015.

Por a është zbehur roli i BE-së, në dialog?

Analistët vlerësojnë se BE-ja mban anë derisa thonë që SHBA-ja duhet të jetë pjesë e procesit të dialogut.

Peçani: Burokracia e Brukselit është një gangrenë klasike

Image
Ruzhdi Peçani

Analisti Ruzhdi Peçani në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se, ka kohë që BE-ja po tregohet si jo funksionale, jo homogjene, e paralizuar dhe tërësisht e pafuqishme që të zgjidhë çështje të ndërlikuara. Kjo ndodhë edhe si pasojë e mungesës së unitetit të vetë BE-së.

“Ndikimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor dukshëm po dobësohet, gjersa rajoni po përballet me tri lloje kërcënimesh. Me sfidat e fuqishme socio–ekonomike, eskalimin e tensioneve ndëretnike si dhe ndërhyrjet e jashtme. Bashkimi Evropian ka kohë që po tregohet si jo funksional, jo homogjen, i paralizuar dhe tërësisht i pafuqishëm që të zgjidhë probleme të shumta. Shohim se brenda BE-së nuk ka unifikim, vendimmarrjet me konsensus janë bërë të pamundura ngase është krijuar një hendek mes anëtareve të rinjë dhe atyre të vjetër. Jashtë çdo dyshimi, por shoh që me stërzgjatjen e dialogut Kosovë - Serbi, të një diplomacie të komprometuar, me mbështetje të Serbisë, jo se do të qortonin veprimet e Serbisë drejt Kosovës dhe me kërcënime agresioni, atë që ndodhi në Mal të Zi dhe kërcënimet ndaj Bosnjë Hercegovinës, që edhe shërbimet e huaja kanë në dijeni – nuk mund të ndodhnin pa një dritë jeshile nga qarqe të BE-së”, thotë ai.

Sipas tij, duke parë edhe kërcënimet që vinë nga ana serbe në drejtim të Kosovës, BE-ja rri e heshtur pa, asnjë reagim.

“Mes kërcënimeve të njëpasnjëshme që vinin nga Presidenti Vuçiq se “Nëse Kosova do tentonte të anëtarësohej në cilëndo organizatë ndërkombëtare, do e presin shumë befasi, dhe ata dinë fort mirë se unë nuk gënjej” dhe shton “Unë nuk u drejtohem vetëm atyre, po dhe mentorëve të tyre”, duke vazhduar edhe të kërcënoj Kosovën me agresion, BE vazhdon, si shumë hera tjera e nëmitur pa asnjë reagim! Dhe, së fundi BE, Borrell dhe Lajçak, kërkojnë që Kosova edhe të bëjë ndryshime në Kushtetutën e saj.

Serbia vazhdon me pretendime territoriale ndaj Kosovës, qëllime të projektit të “Serbisë së Madhe”. Serbia nuk e ka më prioritet anëtarësimin e saj në BE. Në datën 23 prill nënpresidenti i “Lëvizjes Europiane në Serbi”, Vladimir Medjak, deklaroi se “integrimi europian nuk është një prioritet i qeverisë së Serbisë”, deklaron tutje analisti.

Në fund, ai shton se, BE-ja dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e ka stërzgjatur si një konflikt të ngrirë, e që këtë mund ta shkrijnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, administrata e presidentit Joe Biden duhet me domosdoshmëri ta përfundojë “punën e papërfunduar” të BE-së.

“Në këtë kontekst administrata e re e presidentit Joe Biden, duket se ka vendosmërinë të përfundojë “punën e papërfunduar” në dialogun në Bruksel. SHBA-ja duhet bërë presion Evropës që dhe kjo të sanksiononte zyrtarët të cilët punojnë për zhbërjen e Bosnjë Hercegovinës. BE duke stërzgjatur dialogun Kosovë – Serbi, si një konflikt të ngrirë, këtë mund ta shkrijnë vetëm ShBA-të. Ashtu si rajoni i Ballkanit Perëndimor po stagnon, duhet pritur një politikë Amerikane “më muskuloze” në veçanti ndaj Serbisë dhe Republikës Srpska, kjo e cila do asgjësonte ëndrrën e bashkimit të popullit serb të “shpërndarë” të “Botës serbe”, ndër shtetet fqinje të rajonit.

Sipas tij tani më ShBA-të dhe BE-ja e kanë të qartë se “Krizat e papërfunduara”, Bosnja & Hercegovina dhe Kosova, nëse nuk zgjidhen me doktrinën e Presidentit Biden, ekziston mundësia e ndezjes së këtij rajoni.

“Por, besohet se SHBA edhe për interesat e saja gjeopolitike dhe gjeostrategjike këtë nuk do e lejonte”, përfundon analisti Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.

Mulliqi: SHBA-ja e ka forcuar rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Image
Skënder Mulliqi

Skënder Mulliqi thotë për “Bota sot” se BE-ja në raport me Kosovën sa i përket dialogut me Serbinë nuk ka shprehur qëndrueshmëri konstante politike kur bëhet fjalë në qëndrimet e saj rreth këtyre bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura.

“Në brendinë e BE-së gjenden 28 shtete që i përkasin unionit dhe qytetarëve. Këto 28 shtete krahas sovranitetit dhe pavarësisë të këtyre vendeve, ato kanë bashkuar një pjesë të sovranitetit, në mënyrë, që të fitojnë fuqinë dhe përfitimet e madhësisë. Për të mos vazhduar më shumë se BE-ja qëndron diku në mes sistemit të plotë federal, si ai i Shteteve të Bashkuara, dhe sistemit të lirshëm të bashkëpunimit ndërqeveritar, si ai i Kombeve të Bashkuara. Mendoj se struktura e BE-së nuk ka shprehur qëndrueshmëri konstante politike kur bëhet fjalë në qëndrimet e saj rreth këtyre bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura”, shprehet ai.

Tutje potencon që BE-ja ka pasur qëndrime kontradiktore rreth fillimit dhe përfundimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, ajo ka bërë gabim, duke i bërë presion Kosovës dhe duke e favorizuar Serbinë.

“BE-ja ka pasur qëndrime kontradiktore rreth fillimit dhe përfundimit të dialogut me Serbinë. Qysh në start të zhvillimit të dialogut bënë gabime duke i bërë presion Kosovës rreth kushteve të dialogut, e Serbinë me qëndrimet e tyre e favorizuan. Nuk i vunë asnjë kusht të vetëm, kur dihet se ky shtet kishte shkaktuar gjenocid mbi popujt jo sllav me rastin e shpërbërjes të ish-Jugosllavisë. Nuk e detyruan palën serbe kurrë deri më sot që ajo të kërkon falje për viktimat shqiptare të luftës në Kosovë”, thotë.

Sipas tij, gabimi ndodhi pasi ranë në kundërshtim me vendimet e tyre politike, dhe me GJND-në. “Nga ky parim ishte dashur të zhvillohen edhe bisedimet të cilat filluan si teknike dhe na dolën si bisedime të karakterit politik, që prekin edhe statusin e Kosovës.

Ai thotë se edhe qeveritë tona më herët bën gabime të pafalshme politike, duke firmosur marrëveshje të cilat shkuan në favor të Serbisë, duke e afruar atë me BE-në, ndërsa Kosova nga këto marrëveshje mbeti duarthatë.

“Edhe BE-ja ishte hisedare në këto gabime, të cilat e faktorizuan Serbinë në rajon, dhe veçmas në relacion me Kosovën. Gabime ishin marrëveshjet, si ajo për decentralizim të pushtetit lokal e Lutfi Hazirit, që solli edhe Asociacionin, pastaj, fusnota e Edita Tahirit, e cila nuk doli flluskë sapuni, pastaj erdhën marrëveshjet edhe më të dëmshme si ajo e demarkacionit në Mal të Zi, ku Kosova humbi 2800 hektarë tokë”, shpjegon analisti.

Ai më tej deklaron se të gjitha sherret që i kanë ndodhur Kosovës, i ka ditur BE-ja. “Dhe, kulmi i të keqes ndaj Kosovës i ndodhi për fajin tonë, por jo edhe pa fajin e BE-së, me marrëveshjen e Asociacionit e firmosur në vitet 2013 dhe 2015 nga Thaçi dhe Mustafa, e që tash është duke na nxjerrë telashe të mëdha. Të gjitha këto sherre ndaj të ardhmes të Kosovës i ka ditur BE-ja. Po shihet se pa Amerikën kjo strukturë e BE-së është amorfe, e cila po e mban më shumë status-kuon politike të bisedimeve.

Përfundim fatlum

Nga këto dobësi të BE-së, sipas tij burojnë edhe qëndrimet në favor të Serbisë, nga Borelli dhe Lajçakut.

Në fund, ai thekson se me ardhjen e Biden në pushtet ka forcuar rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Ai nga dialogu pret që do të kemi përfundim fatlum të bisedimeve për shqiptarët.

“Me ardhjen në pushtet të Joe Bidenit në Amerikë, natyrisht se është forcuar roli i këtij shteti në Ballkanin Perëndimor, dhe rreth çështjes së dialogut me palën serbe. Emërimet e reja të 6 ambasadorëve në shtetet e rajonit janë bërë nga administrata e Bidenit, për të forcuar rolin koheziv të Amerikës në këtë pjesë të botës, të luhatur bukur shumë nga ish presidenti Donald Tramp. Pritet me të drejtë se do të kemi përfundim fatlum të bisedimeve për shqiptarët, të cilat nuk kanë shkuar mirë për Kosovën nga gabimet tona, por më shumë edhe nga qëndrimet dualiste të BE-së”, përfundon analisti Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat