Hashim Thaçi mbetet prapa grilave, reagojnë familjet e viktimave të vrasjeve politike!

Politika

Hashim Thaçi mbetet prapa grilave, reagojnë familjet e viktimave të vrasjeve politike!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 dhjetor 2021 Në ora: 17:32
Hashim Thaçi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Dhomat e Specializuara në Hagë në formë të prerë i janë përgjigjur negativisht kërkesës së ish-presidentit Thaçi për lirimin me kusht. Siç, raportohet Prokuroria Speciale e ka kundërshtuar garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të Thaçit, si dhe nuk i ka parë të vlershme garancitë e ofruara nga palë të treta, ku ai do të mund të mbahej në arrest shtëpiak, dhe nuk do të lihej të arratisej.

Disa nga arsyet të cilat e kanë shtyrë Prokurorisë Speciale të merr vendim për refuzim të sërishëm të kërkesës së të dyshuarit Thaçi, janë ndërhyrjet e pritshme në procesin gjyqësor, sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe pasiguria e frika e dëshmitarëve.

“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokumentin e Gjykatës Speciale.

Gjithashtu, një arsye tjetër është përmendur edhe fotografia e shkrepur më 29 shtator 2018, ku Thaçi shihet në shoqërinë e ish drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me ish drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, me ish-ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin dhe me ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Kjo foto ishte bërë gjatë një vizite në Liqenin e Ujmanit.

Ndryshe, në aktakuzën prej dhjetë pikash e ngritur në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj Thaçit, ai akuzohet për krime të ndryshme lufte.

Këto janë 10 pikat e akuzës të ngritur kundër Thaçit:

1 Përndjekje krim kundër njerëzimit

2 Burgosje – krim kundër njerëzimit

3 Ndalim arbitrar, krim lufte

4 Akte të tjera ç’njerëzore, krim kundër njerëzimit

5 Trajtim ç’njerëzor, krim lufte

6 Torturë, krim kundër njerëzimit

7 Torturë, krim lufte

8 Vrasje, krim kundër njerëzimit

9 Vrasje e paligjshme, krim lufte

10 Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit

Në këtë aktakuzë të ngritur kundër Thaçit, thuhet se këto krime janë bërë prej prillit të vitit 1998 deri në gusht të vitit 1999

“Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”, thuhet në dokument.

Ish truproja i presidentit Rugova, Xhevat Dajaku, vëllai i Besim Dajakut, truprojës së presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili u vra në një atentat më 19 tetor të vitit 2001, ka folur për “Bota sot”.

Image
Xhevat Dajaku

Ai e ka mbështetur vendimin e Prokurorisë Speciale që e ka refuzuar garancinë e Policisë së Kosovës.

“Prokuroria është duke e bërë gjënë e duhur, ata i kanë studiuar mirë rrethanat dhe dorën e sigurisë për këta të mbi pushtetshmit, të cilët silleshin si Zota mbi ligjin e drejtësinë dhe gjithçka ishte nën kontrollin e tyre”, është shprehur ai.

Po ashtu, ai vlerëson se vetë fakti që funksionimi i Gjykatës Speciale është bërë jashtë Kosovës, tregon për mosbesimin dhe pasigurinë në Kosovë, që vjen nga grupet e njerëzve të akuzuar.

“Vetë fakti se është dashur të formohet një gjykatë jashtë kufijve të shtetit tonë për të gjykuar dhe për të ndarë drejtësi për njerëzit e tillë, tregon se sjellja e tyre në Kosovë do të ndikonte në të gjitha elementet relevante!”, ka deklaruar Dajaku për “Bota sot”.

Krasniqi tregon për çfarë duhet të frikësohet dëshmitarët

Image
Islam Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet se këto vlerësime të Gjykatës Speciale nuk janë të bazuara askund.

“Po këto janë arsyetime të prokurorisë Speciale, të cilat nuk janë të bazuara askund, foto mund të ketë çdo njeri me pushtetarët, e që në këtë rast nuk e arsyeton fotografia refuzimin pasi që z. Qalaj sot është anëtar i PDK-së dhe se gjithmonë pushteti i ka ndarë pozitat udhëheqëse me anëtarët e vetë, e që nuk përjashtohet mundësia që edhe dëshmitarët mund të kenë foto me ish-presidentin apo edhe anëtarët e tjerë që janë në mbajtje”, ka vlerësuar ai.

Gjithashtu, Krasniqi është shprehur se dëshmitarët mund t`i sigurojë policia e Eulex-it, ndërkaq ka shtuar se nuk ka rrezik për dëshmitarët.

“Avokatët duhet ta kundërshtojnë vendimin e prokurorit sepse nuk është i bazuar askund, e që garancinë për të mund ta sigurojë edhe policia e EULEX-it nëse nuk ka besim tek Policia e Kosovës, e cila është shumë e përgatitur dhe e trajnuar. Nuk mund të ketë rrezik për dëshmitarët e ata që nuk e thonë të vërtetën duhet të frikohen edhe nga hija tyre, sepse një ditë edhe ajo i tradhton apo i lenë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Dëshmitarët e rrezikuar

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se pse është bërë refuzimi i garancisë së Policisë së Kosovës.

“Refuzimi është bërë si rezultat i pamjaftueshmërisë së sigurisë, në veçanti kur dihet se shteti është i kapur në të gjitha mënyrat. Duke parë këtë gjë, gjykata ka refuzuar lirimin e Thaçit, meqenëse edhe dëshmitarët do të ishin më të rrezikuar”, ka thënë ai.

Sipas Mehmetit, lirimi i mundshëm i Thaçit vetëm sa do shtonte rrezikun e dëshmitarëve.

“Dëshmitarët janë të rrezikuar, dhe një lirim i mundshëm i Thaçit vetëm sa do ta shtonte rrezikun ndaj tyre. Nuk besoj se Thaçi do të lirohet, kur dihet se edhe në polici ka njerëz të tij të fuqishëm”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat