“Borrell dhe Vuҫiq kishin një skenar për ta fajësuar Kurtin”, profesori universitar zbulon cili ishte faji i Skender Hysenit në këtë mes

Politika

“Borrell dhe Vuҫiq kishin një skenar për ta fajësuar Kurtin”, profesori universitar zbulon cili ishte faji i Skender Hysenit në këtë mes

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 nëntor 2022 Në ora: 20:12
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Josep Borrell dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi ka komentuar vendimin e fundit nga Brukseli lidhur me ҫështjen e vizave për Kosovën. Ai thotë se më 22 nëntor presidenca ҫeke e BE-së dha lajmin se me datën 23, pra një ditë më vonë, Brukseli do të liberalizonte vizat për Kosovën. Por ditën e 23 nëntorit në mëngjes publiku u njoftua se liberalizimi i vizave me Kosovën është heq nga agjenda e takimit të kësaj date në Bruksel.

“Kjo ndodhi krejt papritur. Madje edhe pa e kujtuar! Natyrshëm shtrohet pyetja se ҫfarë ndodhi? Kush ishin aktorët dhe faktorët që ndëshkuan dy milionë qytetarë të Kosovës? Cila është agjenda e këtyre faktorëve dhe aktorëve? A ka lidhje me zhvillimin e dialogut, apo ka lidhje me presionin që i bëhet kryeministrit të Kosovës, zotit Kurti, që të pranojë e votojë pro-intrigave Borrell-Vuҫiq?! Ka shumë enigma e paradigma. Dhe këtyre enigmave është vështirë t’u përgjigjesh saktë. Por po të ndalesh në analizën e asaj ҫfarë ka ndodhur dy ditë më parë, saktësisht më 21 nëntor në Bruksel, atëherë mundesh të dalësh me disa shpjegime logjike”, vlerëson profesori.

Ai thotë se të hënën e shkuar, më 21 nëntor, shefi i diplomacisë dhe ҫështjeve të sigurisë së BE-së, Joseph Borrell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, më e pakta skenarizuan një intrigë për të fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti është pengesa më serioze e dështimit të mundshëm të një agjende serbe në raport me Kosovën. Gjithkush e sheh me sytë e tij se kjo agjendë ka një objektiv: - Aneksimin në modelin e Krimesë të veriut të Kosovës! Por kësaj radhe „me dakortësimin“ e palës së Kosovës! Jo me dhunë, jo me kryerjen e „faktit të kryer“! Jo se këtë nuk mund ta bëjnë komplotistët anti-Kosovë! Por se plaga, konflikti do të mbetej përgjithmonë në këtë pjesë të Ballkanit”, tha Bytyҫi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi

Ai tutje për ‘Bota sot’ thotë se, për këtë arsye aktorët që punojnë për agjendën serbe bëjnë presion ndaj pengesave që drejtojnë sot shtetin e Kosovës, kryesisht ndaj Albin Kurtit dhe presidentes Osmani. Ndërkaq Skënder Hyseni, një politikan i njohur i Lidhjes Demokratike, arrin deri në cakun më të largët të retorikës serbe, kur e krahason Vjosa Osmanin me Milosheviҫin.

“D.m.th një ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, i cili ka përfaqësuar vendin në dialogun e mëparshëm me Beogradin, sulmon presidenten e vendit, po ashtu kryeministrin, pse këta nuk sillen me servilizëm dhe në pajtim me liderët serbë të sotëm, siҫ sillej autori i akuzës së ҫmendur! Në këto kushte pse të liberalizohen vizat?! Liberalizimin e vizave nuk e duan as Borrell, as francezët! Nuk e duan as bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, më saktë miqtë e ngushtë të Frederica Mogherinit, në Prishtinë. Një prej tyre, më aktivi, është Skënder Hyseni! Kur këta skënderët e Isës dhe Thaҫit punojnë kundër Kosovës dhe bëhen pjesë e agjendës serbe kundër Kosovës, pse të mos ketë njerëz të ҫmendur edhe në Bruksel, Paris, Madrid a gjetkë, të cilët të bllokojnë vizat për Kosovën?! Është normale të ndodhë kjo”, vlerëson ai.

Sipas profesor Bytyҫit, ‘sahanlëpirësit e sahanave të Serbisë në Kosovë po e konsiderojnë kryeministrin e vendit si të izoluar politikisht! Në këtë aspekt e bëri deklaratën edhe Skënder Hyseni! Sepse këta sahanlëpirës duan ta hapin Kosovën për orekset e Beogradit, për ta shpërblyer genocidistin Vuҫiq dhe atë tjetrin me emrin Daҫiq, me territore shqiptare’.

“Ҫfarë do të thotë „ti hiq dorë nga zbatimi i vendimit për targat dhe ti tjetri hiq dorë nga lëshimi i targave të reja“?! Do të thotë që Albin Kurti të heqë dorë nga sovraniteti shtetëror në veri të Kosovës. Ndërsa Vuҫiq të ruajë targat e vjetra që artikulojnë sovranitetin serb në katër komunat e veriut! Pikërisht këtë kërkon Skënder Hyseni dhe të gjithë kritikët e qëndrimeve të zotit Kurti! Ah, po thonë, inshallah dështon Kurti! Dhe as që e bëjnë llogari se dështimi i kryeministrit është baras me koston e ndarjes së territorit të Kosovës. Është falja e pasurive më të mëdha të saj, Serbisë! Mjafton Kurti të ikë nga pushteti, por nuk ka rëndësi për Skënder Hysenin nëse ndahet ose jo territori i Kosovës! Mosliberalizimi i vizave shkon në harmoni me dëshirat e këtyre politikanëve në Kosovë, por është realizuar me ndërhyrjen e disa aktorëve në Bruksel dhe kryeqytete të tjera të Europës. Është presion ndaj qeverisë së Kosovës që të pranojë opsionin serb të targave dhe asosacionit”, thekson ai.

Tutje profesori thotë se shqiptarët në Kosovë duhet ta kuptojnë drejt dhe thellë situatën. Ata para 23-24 vitesh u bashkuan me armë në dorë për ta ҫliruar Kosovën prej Serbisë! Tani është koha që thjesht të durojnë dhe të mos lejojnë që të përҫahet skena politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës duhet t’i izolojnë si atëherë bashëpunëtorët e Serbisë në Kosovë dhe t’i injorojnë ata që janë në Tiranë për ta fituar betejën vendimtare me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës ka të drejtën e Zotit që të kërkojë largimin e Borrell nga ndërmjetësimi. Sipas opinionit publik e mediatik europian, Borrell e ka humbur shansin dhe integritetin për ndërmjetësim. Ai të hënën e shkuar u shpall publikisht si intrigant në krah të njërës palë. Madje të palës agresore e përgjegjëse për spastrim etnik në Kosovë! Prandaj duhet kontestuar si ndërmjetësues. Shqiptarët e qytetarët e Kosovës duhet të mbështesin kryeministrin dhe institucionet e shtetit në dialogun me Serbinë. Të mos lodhen, të kenë durim dhe t’i japin suportin më të madh të mundshëm. Derisa të kryhet kjo, ndoshta nuk është keq t’ia falin qeverisë edhe ndonjë gabim në politikat e brendshme të zhvillimit! Është koha kur duhet përzënë përfundimisht Serbia nga Kosova! O sot o kurrë më”, vlerëson profesor Bytyҫi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat