Zharku i ‘shpëtoi’ dënimit për herë të dytë, juristët: Drejtësi e kapur, nëse vërtetohet, mund të cilësohet vepër penale!

Politika

Zharku i ‘shpëtoi’ dënimit për herë të dytë, juristët: Drejtësi e kapur, nëse vërtetohet, mund të cilësohet vepër penale!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 janar 2023 Në ora: 22:57
Ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku

Ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku ka shpëtuar nga dënimi për akuzat për korrupsion.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Xhabir Zharkut, pasi i është vjetërsuar aktakuza për korrupsion.

Aktgjykimi ndaj Zharku u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi.

Sipas aktgjykimit, gjyqtari ka bërë ricilësimin e veprave penale sepse veprat në akuzë janë kryer në vitet 2008-2010 me Kodin e Përkohshëm, andaj trupi gjykues ka vendos me kodin më të favorshëm bazuar në dispozitat e kodit.

“Këto vepra pas ricilësimit me kodin e favorshëm kanë rezultuar se të njëjtat kanë arritur parashkrim absolut, sepse ka kaluar dyfishi i kohës se kryerjes se veprës penale”, ka thënë gjyqtari Idrizi në arsyetimin e vendimit.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve buxhetore, ndërsa e dëmtuara në këtë rast, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), zyra rajonale në Gjilan për të realizuar kërkesën pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil, raportoi “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, Xhabir Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Xhabir Zharku nga paraburgimi qe liruar në qershor të vitit 2020 pasi kishte paguar dorëzaninë prej 100 mijë eurove, dhe i ishte konfiskuar pasaporta suedeze.

Xhabir Zharku ishte arrestuar me 15 dhjetor 2019, pasi ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës në përpjekje për të ikur nga Kosova.

Zharku po i shpëton për herë të dytë dënimit, duke shfrytëzuar “metodën” për vjetërsim të lëndës.

Xhabir Zharku në dhjetor të vitit 2012 qe arratisur në Suedi ku kishte qëndruar gati katër vite për të pritur vjetërsimin e dënimit dhe ta shmangte vuajtjen e dënimit , të përcaktuar nga gjykata në Kosovë.

Këtu lindin dyshimet se kjo po bëhet duke përfituar pozitat politike, me qëllim të ‘shpëtimit’ nga sistemi i drejtësisë.

Kelmendi: Parashkrimi është mjet juridik për ndërprerjen e procedurës penale

Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vjetërsimin e lëndës për korrupsion të Zharkut.

Fillimisht, ai tregoi se parashkrimi i lëndës është instrument juridik i paraparë me ligj.

“Çështja e Zhabir Zharkut në kuadër të drejtësisë kosovare mund të kuptohet në shumë mënyra. Vjetërsimi ose parashkrimi i lëndës është instrument juridik i paraparë me ligj. Me kalimin e kohës së paraparë me ligj, pa shtruar mjet juridik, lënda parashkruhet dhe i akuzuari është i lirë. Ai nuk mund të ndiqet për atë vepër. Përjashtim bëjnë rastet kur gjenden faktet ose dëshmi të reja që krijojnë mundësin për përsëritje të procedurës gjyqësore”, deklaroi ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Mirëpo, Kelmendi tha se kjo mundësi mund të përdoret edhe më duke shkelur ligjin, përmes presionit dhe korrupsionit, gjë që do të ishte vepër e re penale.

“Çështja e vjetërsimit në kuadër jashtëligjor për të krijuar bazën ligjore është e mundshme. Kjo, realizohet me presion ose me korrupsion të kompetentëve. Ku, me këtë shtyhet afati deri në parashkrim dhe pala nuk ndiqet. Forma e tillë e parashkrimit është vepër penale”, shpjegoi profesori.

Zharku ka qenë një “komandant” në luftë dhe i akuzuar edhe publikisht për inkriminim në luftim të kundërshtarëve politikë, por për të cilat çështje nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur, pavarësisht që edhe në disa raporte policore del emri i tij.

Kelmendi potencoi se nëse vërtetohet se ka presion dhe korrupsion për parashkrim të lëndës, atëherë të gjitha palët e përfshira duhet të ndiqen penalisht.

“Në këtë mënyrë e humb parashkrimi vlerën juridike. Dhe vazhdon procedura penale kundër të akuzuarit, ndërsa palët e involvuara në parashkrim ndiqen penalisht. Në të kundërtën, kur nuk ka vepër të ndaluar për kalimin e kohës së vjetërsimit, natyrisht se lënda pushon së vepruari dhe i akuzuari është i lire”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Rasti i parë i “arratisjes” nga drejtësia!

Në rastin e parë të arratisjes së Zharkut, ka gjurmë të qarta të mosveprimit të drejtësisë apo të ndjekjes rigoroze të procedurave nga shteti, përfshirë përpjekjet legjitime për ekstradim.

Zharku nga dhjetori i vitit 2012 deri në vitin 2016, kur vendosi të kthehej në atdhe, kishte qëndruar për 45 muaj jashtë shtetit dhe besohet se pjesën më të madhe të kohës, nëse jo gjithë kohën, qëndroi në arrati në Suedi, në dhjetor të vitit 2012.

Madje në disa raste ‘provokonte’ drejtësinë duke nxjerrë foto në Facebook nga puna që kryente jashtë vendit.

Zharku qe dënuar asokohe me tri vjet burg për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje. Dënimi qe vërtetuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në prill të vitit 2011, duke dënuar edhe të tjerët që ishin përfshirë, si Arsim Kolshi, që kishte marrë të njëjtin dënim.

Zharku dhe grupi i tij i kishte detyruar me kërcënimin e vrasjes disa biznesmenë që të tërhiqeshin nga privatizimi i një ndërmarrje në vitin 2006 të administrua nga AKM-ja (trashëgimtare e saj AKP-ja).

Burjani: Drejtësi e kapur, të gjitha lëndët vjetërsohen

Juristi Blerim Burjani ndihet i revoltuar me vendimin e fundit të drejtësisë për rastin e Zhabir Zharkut.

Ai në një prononcim për “Bota sot” këtë e cilësoi si një drejtësi të kapur, ku shumë lëndë të korrupsionit shtetëror po vjetërsohen me qëllimin.

“Kjo quhet drejtësi e kapur, të gjitha lëndët vjetërsohen, sikur lëndët e shumta që kanë pas të bëjnë me korrupsionin shtetëror, rasti “Toka”, rasti dosja e shefave, rasti i “Hades”, rasti “Stenda”, çfarë të thuhet më shumë, shtet pa rend dhe ligj”, deklaroi juristi.

Image
Blerim Burjani

Dënimin e parë nuk e vuajti Zharku, pasi sipas Ministrisë së Drejtësisë, në një deklaratë të saj të vitit 2014, Suedia nuk e kishte pranuar ekstradimin e të dënuarit, pasi ka shtetësi suedeze.

Sipas Burjanit, është e ditur se për njerëzit që jetojnë nga votat nuk vlejnë kodet dhe ligjet, pasi ata dëshirojnë kapjen e shtetit.

“Pra, kjo tash është e dijshme globalisht, në Kosovë dhe BE, ligje të shumta, kode, por kot e nuk vlejnë për njerëzit që jetojnë nga votat, pra ideja është me kap shtetin në vendimmarrje. Kjo quhet jo demokratizim shoqëror”, potencoi ai.

Ndër të tjera, ai u shpreh i zhgënjyer se si partitë dhe individët që janë bërë milionerë në emër të popullit, asnjëherë nuk janë ndëshkuar.

“Kësisoj, nuk ka vetëdije që të sanksionohen në radhë të parë të gjitha partitë dhe individët që në emër të popullit janë bërë milionerë, dhe nuk janë ndëshkuar as nga drejtësia e as nga populli”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

Zharku dhe të akuzuarit e tjerë kishin kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil dhe Azem Sumën, nëse nuk tërhiqeshin nga privatizimi i një fermë me 32 hektarë në fshatin Rakaj të Ferizajt, pasi ishin shpallur fitues në tenderin e valës së 16-të të AKM-së.

Xhelil Suma dhe të tjerët për të shmangur trysninë dhe ndoshta ekzekutimin, kishin pranuar që nga 32 hektarët e blerë, 28 apo afër 90% të pronës t’ua ‘dhuronin’ Zharkut dhe grupit të tij. Ndryshe, do të kishte gjak dhe varre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat