“Çdo moskujdes është në llupën e madhe”- Paralajmërohet Kosova: Njohja nga pesëshja evropiane mund të vijë me këtë marrëveshje

Politika

“Çdo moskujdes është në llupën e madhe”- Paralajmërohet Kosova: Njohja nga pesëshja evropiane mund të vijë me këtë marrëveshje

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 janar 2023 Në ora: 20:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë arritur dhjetëra marrëveshje, por problem po gjen zbatimi i shumicës së tyre, pasi kanë ngecur dhe kanë mbetur vetëm në letër.

Në Kosovë thonë se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërsa në Serbi insistojnë në zgjidhje kompromisi, por pa e definuar saktësisht se çka nënkuptojnë me të.

Kohët e fundit, BE dhe SHBA kanë intensifikuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi, me qëllim të arritjes së një marrëveshje finale sa më të shpejtë.

Kësisoj, ata kanë propozuar një plan franko-gjerman, që sipas tyre do t’i jepte kah dialogut për përfundim me marrëveshje finale.

Ky plan fillimisht u pranua nga Kosova, por ishte Vuçiqi i Serbisë që refuzonte atë, por me presionin që ia bën ndërkombëtarët duket se është dorëzuar.

Mirëpo, në kuadër të këtij propozimi evropian po përflitet të jetë edhe kushti për njohje nga pesë vendet e BE-së, të cilat deri më tani kanë refuzuar ta pranojnë Kosovën si shtet (Spanja, Sllovakia, Romania, Greqia dhe Qiproja).

Sa do të jetë i mundshëm realizimi i këtij kushti, treguan analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Marrëveshja evropiane e propozuar ka të bëjë për këndelljen detyrimore të Kosovës dhe Serbisë

Opinionisti Skënder Zogaj në prononcimin e tij për “Bota sot” nuk u shpreh optimist se njohja nga pesëshja evropiane do të vijë.

Madje, ai kritikoi klasën politike, për mos- angazhim në sferën e diplomacisë.

“Fjalët e shumta janë dëshmi e fukarallëkut, gjë që po e vërteton Kosova, e cila qe 10 vjet e ka temë kryesore çështjen e njohjeve të arritura dhe mosnjohjen nga 5 shtetet e BE-së të cilat e kanë shprehur çartë qëndrimin e tyre, por udhëheqjet kosovare e kanë anashkaluar me neglizhencë primitive, sepse, asnjëherë deri më sot nuk kanë pasur një qëndrim unik politik dhe diplomatik, prandaj në vend se të merren me zgjidhjen janë mjaftuar me bisedat TV të "analistëve" të shpifur pa kokërr diturie”, u shpreh ai.

Image
Skënder Zogaj

Gjithashtu, Zogaj tha se tani SHBA dhe BE nuk do ta ‘përkëdhelin’ as Kosovën dhe as Serbinë.

“Ngjashëm si "b-analistët" janë sjellë edhe udhëheqjet e lartë kosovare, kurrënjëherë nuk u ka pre gjuha në një vend dhe, BE-ja dhe SHBA-ja, vërtetë e ka pasur shumë vështirë të dijë se cili është qëndrimi i vërtetë i shqiptarëve?! Tash afati i përkëdhelive ka skaduar dhe, karota është e vizatuar, kurse hosteni është vegël pune që BE-ja dhe SHBA-ja ka nis me fut në përdorim”, deklaroi opinionisti.

Në fund, ai shtoi se vetëm në rast se arrihet marrëveshje evropiane Kosovë-Serbi, mund të shpresohet për njohjen e 4 shteteve evropiane.

“Marrëveshja evropiane e propozuar ka të bëjë për këndelljen detyrimore të Kosovës dhe Serbisë, të cilat nëse nuk e nënshkruajnë i pret izolimi! Varësisht nga nënshkrimi por edhe angazhimi për jetësimin e marrëveshjes do të varet integrimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, gjë që, rezultati pozitiv, sipas bindjes time, do të bëjë që 4 shtete ta njohin menjëherë Kosovën, ndërsa njëri nga shtetet edhe për një kohë do ta vazhdojë mosnjohjen për arsye strategjiko diplomatike. Çdo moskujdes është në llupën e madhe”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Mehazi: Nëse Serbia njeh Kosovën atëherë pesë shtetet evropiane s'kanë asfarë arsyetimesh të mos pajtohen me planin franko-gjerman

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” komentoi planin franko-gjerman dhe mundësinë për njohjen e Kosovës nga pesëshja evropiane (Spanja, Sllovakia, Romania, Greqia dhe Qiproja).

Sipas tij, mosnjohja e shtetit tonë nga vendet e lartpërmendura nuk do jetë pengesë kushtëzuese përballë propozimit të planit të Francës dhe Gjermanisë.

“Marrëveshja franko-gjermane në lidhje me dialogun, Kosovë-Serbi është parësore e primare për BE-në në krahasim me pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, mosnjohja e Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Romania, Greqia dhe Qiproja kurrsesi nuk do jetë pengesë kushtëzuese përballë propozimit të planit të Francës dhe Gjermanisë, pasi vetë plani i dialogut për njohje reciproke serbe-kosovare rrjedh e vjen nga dy shtetet e fuqishme të BE-së, Franca e Gjermania, që janë bartësit kryesor të marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi profesori.

Image
Sylejman Mehazi

Krahas kësaj, Mehazi beson se në rast se shteti serb e njeh Kosovën, vendet tjera menjëherë do e pranojnë atë.

“Nëse marrëveshja e njohjeve reciproke e Serbisë me Kosovën në Bruksel del e suksesshme atëherë me automatizëm pesë shtetet që mohojnë Kosovën do ta pohojnë me njohje. Nëse Serbia njeh Kosovën atëherë pesë shtetet evropiane s'kanë asfarë arsyetimesh të mos pajtohen me planin franko-gjerman, përveç që të pajtohen me njohjen e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori potencoi se marrëveshja finale me Serbinë, do zgjidhte problemin e njohjes së Kosovës nga këto pesë shtete evropiane që ende refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Parësorja e bisedimeve përfundimtare për njohje reciproke të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Bruksel, do të jetë e do mbetet pranimi i projekt-planit propozuar nga Franca dhe Gjermania për një marrëveshjes paqeje e njohjesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja përfundimtare paqësore e Serbisë me Kosovën do zgjidh edhe problemin e njohjes së Kosovës nga këto pesë shtete evropiane që ende pritojnë ta njohin Republikën e Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat