Dita D në Ohër: Marrëveshje apo dështim? Vuçiq synon skenarin me Kosovën

Politika

Dita D në Ohër: Marrëveshje apo dështim? Vuçiq synon skenarin me Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 mars 2023 Në ora: 20:34
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur se nuk do të ketë marrëveshje fare më 18 mars nëse Kosova nuk do të pajtohet për krijimin e Asociacionit dhe në të njëjtën kohë, Serbia të mos pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Nëse Prishtina thotë se nuk e duam Asociacionin, dhe Beogradi thotë se nuk dëshiron pranimin e Kosovës në OKB, atëherë, ne nuk do të kishim një marrëveshje. Është bërë një çështje kyçe dhe është bërë e qartë për të gjithë se nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim.” tha i dërguari i posaçëm i BE për dialogun, Miroslav Lajçak.

E sipas njohëseve të zhvillimeve politike në vend, Kosova është pajtuar për formimin e Asociacionit të komunave serbe, pikë të cilën e përmban edhe propozimi franko-gjerman.

Progres në dialog

Sipas drejtorit ekzekutiv të institutit EPIK, Demush Shasha, më 18 mars pritet që të ketë progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe vet Kryeministri Kurti është pajtuar se duhet ngritur Asociacioni, ndonëse hendeku në mes Kosovës dhe Serbisë mbetet çfarë lloj Asociacioni. Dhe në këtë drejtim unë besoj se palët gjatë ditëve në vijim dhe në veçanti me 18 mars do bëjnë progres të ndjeshëm”, shprehet Shasha.

Shasha thotë se si do të duket dhe si do të formohet Asociacioni, ky vendim i takon kryeministrit Kurti.

“Me sa kuptoj unë Lajcaku nuk kërkon asnjë version të caktuar të Asociacionit. Ai vetëm ka nënvizuar obligimin e Kosovës për ngritjen e Asociacionit, ama nuk ka ndërhyrë për të thënë duhet këtë apo atë version të Asociacionit. Ky vendim i takon Kryeministrit Kurti dhe besoj se ditët në vijim do zhvillohen diskutime dhe negociatat intensive në këtë drejtim”, deklaron Demush Shasha.

Shtyrje të nënshkrimit të marrëveshjes?

Kurse sipas ish ambasadorit dhe ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha, kërkesa për Asociacionin tash është kërkesë e BE-së dhe SHBA-së, dhe jo vetëm e Miroslav Lajçakut.

Image
Anton Berisha

“Natyrisht, pajtueshmëria e planit franko-gjerman që tash është plan i miratuar nga të gjitha vendet e BE-së dhe i mbështetur nga SHBA, përfshin te gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duke përfshirë edhe Asociacionin si njëri nga produktet e marrëveshjeve. Nënkuptueshëm, kërkesa për Asociacionin tash është kërkesë e BE dhe SHBA, përderisa Kosova duhet të nxjerrë sa më shumë që mundet në perspektiven e saj të legjitimitetit dhe integrimit ndërkombëtar”, thekson Berisha për “Bota sot”.

Ai thotë se Kosova nuk duhet assesi që ta refuzojë planin franko-gjerman. Siç thotë Berisha, nënshkrimi i një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të shtyhet edhe përtej 18 marsit.

“Kosova nuk ka mundësi me refuzu planin e BE-së në qoftë se ka synim integrimin e saj në strukturat euroatlantike, Këshillin e Evropës, BE dhe NATO. Me 18 mars besoj që do te diskutohen elementet e zbatimit te aneksit të marrëveshjes, besoj do te shkohet ne dakordimin e tyre përderisa aspekti formal i nënshkrimit edhe mund të shtyhet por jo në kohë të gjatë”, deklaron Anton Berisha.

Synimi i Vuçiqit

Image
Seb Bytyçi

E studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi thotë se Vuçiq po synon që ta dështojë arritjen e një marrëveshje në Oher, në mënyrë që fajtore të bëhet Kosova.

“Kjo përkon me përmbajtjen për të cilën janë pajtuar palët. Deklaratat e Vuçiq pas pajtimit janë përpjekje për ta fajësuar Kosovën nëse dështon arritja e marrëveshjes për aneksin, sepse atij nuk i pëlqejnë disa pikat e marrëveshjes. Pra ka rrezik që të sabotohet e tërë marrëveshja në këtë fazë”, shprehet Bytyçi.

“Përderisa njëra palë tërhiqet nga pikat e pajtuara më herët atëherë pala tjetër nuk ka obligime. Formimi i Asociacionit ka të bëjë me pikën 10, për të cilën ka pajtim; tash çështja është se çfarë duhet të ndodhë para së zbatohet ajo pikë. Për këtë po negociohet pra për çështje të implementimit”, përfundon Seb Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat