24 hektarët e Manastirit të Deçanit, vjen lajm i mirë nga Këshilli i Evropës/ Naim Miftari ‘godet’ Gjykatën Kushtetuese për vendimin!

Politika

24 hektarët e Manastirit të Deçanit, vjen lajm i mirë nga Këshilli i Evropës/ Naim Miftari ‘godet’ Gjykatën Kushtetuese për vendimin!

Nga: N. Shaqiri Më: 14 mars 2024 Në ora: 18:14
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën rreth Manastirit të Deçanit.

Kryeministri Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit, ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit. Ndërsa, sipas Kurtit, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.

Ai po ashtu ka thënë se pranimi i Kosovës në KiE do të ishte fitore historike.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga komuniteti i Asamblesë Parlamentare nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë Parlamentet e shteteve anëtare nga shtetet e QUINT-it që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve, të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit edhe rrjedhimisht heqim dorë nga një qëllim demokratik e shtet ndërtues i Republikës sonë. E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në komunitetin në fjalë, por pa sukses. U bindem që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjedhje të tretë...Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti.

Ky vendim i kryeministrit Kurti është përshëndetur nga ndërkombëtarët, e për çudi është vetëm opozita ajo që e ka kritikuar, por duke harrur se Qeveria e Kosovës zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, përmes së cilit Manastirit të Deçanit i njihet pronësia për këta 24 hektarë tokë.

Ndërsa sot, është raportuar se pas regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, ka pasur lëvizje në Këshillin e Evropës.

Sipas raportiemve, këtë pasdite aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është përfshirë në agjendën e mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit për çështje Politike dhe Demokraci që do të mbahet më 27 mars.

Tutje sot, shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mirëpresin dhe lavdërojnë veprimin e Qeverisë së Kosovës.

“Udhëzimi i Zyrës Qendrore Kadastrale për regjistrimin e kësaj toke në Manastirin e Deçanit dhe sigurimi që ky veprim të ketë përfunduar është një hap i rëndësishëm përpara nga autoritetet kosovare, në përputhje me aspiratat e saj evropiane dhe euroatlantike”.

Tutje Rohde u shpreh se ky vendim nga Qeveria e Kosovës është hap i nevojshëm për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

“Siç e kemi thënë majin e kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, u tha në këtë deklaratë.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar ashpër ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai Gjykatën Kushtetuese e quan gjykatë të hajnisë, tradhtisë, të pakurrizorëve dhe Serbisë.

Miftari ka një pyetje për ndërkombëtarët.

“Kam një pyetje për Uashingtonin dhe Brukselin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të korruptuar të vitit 2016 për Manastirin e Deçanit, dhe a duhet me vlejt edhe kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i hedhë poshtë planet evropiane dhe amerikane për Asociacionin e komunave serb, apo atëherë nuk do të vlen vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, pyet Miftari.

Ai thotë se po i bie njënjtë “si iu vodhën Kosovës 24 hektarë nga Manastiri serb me vendim të Gjykatës Kushtetuese, si me i vjedh tokat nga 3 euro Ramush Haradinaj, dhe si me i vjedh Sami Lushtaku nga 50 cent arin. Në të tri rastet 24 hektarë të Ksovës vjedhen...”, thotë tutje ai.

Miftari flet edhe për akuzat e opozitës në drejtim të Qeverisë.

“Opozita para se me akuzu Qeverinë e Kosovës për vendimin e 2016 për 24 hektarët e Manastirit në Deçan, duhet së pari me u akuzu dhe me arrestu nga gjyqtarët Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe gjyqtari i Ramush Haradinajt, do të thotë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët kukulla të opozitës”, përfundon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat