Takimi “misterioz” i Radoiçiqit me Gjuriqin, ekspertët hedhin dyshime të forta: Të fillojnë hetimet, asgjë nuk është rastësi!

Politika

Takimi “misterioz” i Radoiçiqit me Gjuriqin, ekspertët hedhin dyshime të forta: Të fillojnë hetimet, asgjë nuk është rastësi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 mars 2024 Në ora: 08:07
Takimi i Radoiçiqit me Gjuriqin

Kryekrimineli serb, Milan Radoiçiq është kthyer serish në qendër të diskutimeve.

Organizatori dhe prijësi i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, tash e sa kohë është duke u kërkuar nga organet e drejtësisë së Kosovës, e së fundmi edhe nga INTERPOL-i.

Mirëpo, vendet ku po fshihet Radoiçiqi ende nuk dihet, ndonëse raportohet se qeveria serbe e mbron atë, duke marrë parasysh lidhjet e tij me Vuçiqin e liderët e tjerë serbë.

E për të konfirmuar edhe njëherë lidhjet e Radoiçiqit me qeverinë serbe, në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.

Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se “nuk turpërohet për kontaktet e tij”, nuk është përgjigjur në pyetjet e medieve për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe kur është bërë fotografia.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiqit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

“Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriqin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiqin, për t'u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiq.

Këto deklarime, në mënyrë të nënkuptueshme po konfirmojnë lidhjen e trinoimit Vuçiq-Radoiçiq-Gjuriq.

Nga ndërkombëtarët ka pasur deklarime sipërfaqësore mbi këtë takim, ku ende nuk është ndërmarrë ndonjë hetim mbi këtë çështje.

Softa: Pamjet në foto, mund të jenë marrë dhe publikuar nga shërbime të inteligjencës

Image
Fatjon Softa

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Së pari, ai citoi një deklaratë të Vuçiqit në lidhje me takimin Radoiçiq-Gjuriq, derisa përmendi faktin se Amerika e ka në listë të zezë Radoiçiqin.

“Po citoj Vuçiqin lidhur me publikimin e fotos dhe takimin:

“S’e kam pyetur atë se kur, ku dhe pse. Nuk e kam pyetur diçka, qoftë edhe nëse ai ka shkuar në tavolinë për ta takuar Radoiçiçin për t’u ulur për një minutë apo dy, apo aty ka shkuar bashkë të”, ka thënë Vuçiç

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoçiqin është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.

Nga ana tjetër Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriç e ka konfirmuar takimin e tij me të shpallurin në kërkim nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq në një restorant ai thotë se për këtë takim nuk ka turp as qëllim që ta fshehe atë!” – deklaroi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, Softa tha se këto qëndrime të politikanëve serbë tregojnë qartazi qëllimet e tyre ndaj Kosovës.

Po ashtu, përmendi mundësinë që këto pamje/foto janë publikuar nga disa shërbime të inteligjencës.

“Këto tre këndvështrime dhe qëndrime, janë qartazi politika të Serbisë që ka mbështetur dhe mbështet politikat e saj destabilizuese dhe që është Serbia me politikat dhe qëllimet e saj ndaj Kosovës dhe më gjerë.

Ambasadori qartazi tregon rolin dhe misionin e tij, jep mesazhe të qarta që do të kthehet në politikën aktive të Serbisë dhe mund të jetë person që krahas shërbimeve ndaj Serbisë, mund të jetë dhe në shërbim të inteligjencës ruse.

Fakti që Vuçiq nuk mban qëndrim dhe nuk distancohet nga ambasadori i tij, në SHBA, mund të hedhë hije dyshimi për fuqinë dhe mbështetjen e këtij funksionari.

Pamjet në foto, mund të jenë marrë dhe publikuar nga shërbime të inteligjencës që e hedhin ne treg për reagim, meqenëse ambasadori ka status diplomatik dhe imunitet, dhe mund të justifikojë shërbimet e tij”, theksoi ai.

Më pas, eksperti përmendi edhe deklaratën dhe reagimin e ambasadorit Gjuriq, derisa tha se kjo çështje trazoi diplomacinë, pasi është çështje e ndjeshme.

“Si reagoi ambasadori pas këtij publikimi:

“Asnjëherë nuk i kam fshehur dhe nuk kam pasur turp për kontaktet shumë publike që i kam në lidhje me punën që bëj”, shkroi Gjuriç në rrjetin social X më 10 mars

Këto reagime, deklarata, kanë trazuar diplomacinë, por përtej saj, çështja është delikate, për ngarkesën që ka situata në Ballkan, tensionet dhe rreziqet, dhe kush investon

Ambasadori shkruan në status me shumë qetësi se “nuk e ka ndërmend t’i justifikohet për asgjë” as kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, apo “njerëzve të tjerë keqdashës”

Po pse ky zyrtar, diplomat është kaq i qetë dhe i sigurt? Kush është pas tij dhe kush e mbron dhe financon?” – nënvizoi Softa.

Në fund, ai kërkoi hetime ndërkombëtare, mbi motivet dhe rrethanat e takimit Radoiçiq-Gjuriq, derisa hodhi edhe disa dyshime.

“Publiku duhet të informohet dhe të marrë përgjigje nëse fotografia është autentike, kur ka ndodhur dhe në çfarë rrethanash, motivet e takimit!

Duhet të ketë hetime ndërkombëtare, Radoçiq është produkt i politikave të Serbisë, asgjë nuk është rastësore dhe spontane.

Politikat serbe, përkojnë me politikat e Rusisë, investojnë mercenare, i mbështesin me financa, armatim duke manipuluar përfshirjen e shtetit dhe strukturave shtetërore”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Shala: Serbia tani është në një situatë krize të politikës së saj të krijuar gjatë 2 dekadave të fundit

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala potencoi se shteti serb është në një krizë politike, ku për 20 vite raporti mes qeverisë dhe qytetarëve serb është e tensionuar.

Image
Drizan Shala

Ai tha se sulmi i 24 shtatorit në drejtim të Kosovës ishte “fryt” i politikës së Beogradit, ku pasi iu dështoi plani, tani refuzojnë të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët.

Serbia tani është në një situatë krize të politikës së saj të krijuar gjatë 2 dekadave të fundit në raport me qytetarët e saj por edhe shtetet për rreth duke nxitur e mbajtur në tension presionin nacionalist tepër të lartë.

Rasti i sulmit në drejtim të Kosovës ishte sipërfaqja e fryteve të politikës reale të Beogradit duke iu dështuar aneksimi i veriut sipas modelit Krime në Ukrainë nga Rusia dhe kjo tani prodhoi një situatë ku Serbia nuk bashkëpunon me organet e sigurisë vendore e as ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë personat e apostrofuar dhe të kërkuar nga organet e drejtësisë së Kosovës”, deklaroi eksperti.

Ndër të tjera, tha se kryekrimineli Radoiçiq është pozicionuar në brendësi të qeverisë së re të Serbisë, derisa takimi i tij me Gjuriqin konfirmoi lidhjen e grupit terrorist me Beogradin.

“Radoiçiqi është duke u pozicionuar më thellë në qeverinë e re të Beogradit nën hije të saj duke pozicionuar edhe emëruar ministra të rinj në qeverinë e re të Gjuriqit dhe kjo lidhje është argument i mjaftuar që lidhja shtetërore në mes grupit terrorist dhe Beogradit është faktik dhe i argumentuar”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat