“Goditet” opozita/ Analistët: Dhuruesit e vërtetë të 24 hektarëve tokë, Manastirit të Deçanit, janë komandantët “rrahagjoks”

Politika

“Goditet” opozita/ Analistët: Dhuruesit e vërtetë të 24 hektarëve tokë, Manastirit të Deçanit, janë komandantët “rrahagjoks”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 mars 2024 Në ora: 17:30
Manastiri i Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit mesjetar, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Vendimi u mirëprit menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, tha se "aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte i domosdoshëm".

Mirëpo këtë mirëpritje nuk e gjeti nga opozita e vendit.

Deputetët opozitarë kanë reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Janë të gjitha partitë opozitare të cilat u shprehen se ky veprim i Qeverisë Kurti ishte I gabuar, ani pse të njëjtit kanë kërkuar koordinim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët, të cilët tashmë kanë mbështetur këtë vendim.

Ahmeti: Reagimet politike nuk kanë kurrfarë sensi brenda vetës

Image
Hidajet Ahmeti

Duke i komentuar reagimet opozitare, analisti politik Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që askush nuk mund ta vë në pikëpyetje vlerësimin e kushtetushmërisë dhe se opozita i ka këto deklarata vetëm për zëra politike ditore.

“Vlerësimi i kushtetutshmërisë nuk mund të kontestohet nga politika, është vendim mbi pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. Në demokracitë liberale pushtetet janë të ndara dhe institucioni i vetëm, i cili bënë vlerësimin e çdo akti juridik a është në përputhje me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese. Reagimet e shumta janë më shumë zëra politike ditor, por nuk janë racional në reagimet e tyre. Shtrohet pyetja, çfarë gabimi bëri Albin Kurti në këtë rast? Kush është përgjegjës për vendimin e kushtetueses, apo vallë nuk po dëshirojnë me kuptua këtë gjë?”, thotë ai.

Analisti tutje tha se duhet shikuar në retrospektivë, pasi kontributin më të madh për këtë vendim të kushtetueses e kanë partitë që tani janë në opozitë.

“Reagimet politike nuk kanë kurrfarë sensi brenda vetës, më shumë janë tentativë për të dëmtuar Kurtin. Duhet shikuar në retrospektivë, pasi kontributin më të madh për këtë vendim të kushtetueses e kanë partitë që tani janë në opozitë, pasi kohën që kanë qenë në qeverisje janë munduar çdo mekanizëm të pavarur ta kontrollojnë. Prandaj, ata që reagojnë duhet të jenë më racional, por edhe të sinqertë në sqarimin e këtij procesi”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Qarri: Qytetarët e Kosovës duhet të fillojnë disa ndryshime thelbësore

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe analisti politik, Gani Qarri.

Ai e fillon me një kronologji të situatës në Kosovë duke përmendur edhe ndikimin e fesë myslimane tek shqiptarët.

Mirëpo sipas tij, ky vendim për tokat në Manastir i mbeti Qeverisë mirëpo që është opozita ajo që ka bërë gjithë këto dëme Kosovës.

Image
Gani Qarri.

“Pas një invazioni të hapur mbi dy-dekadësh turko-arab, me xhamia anë e këndë Kosovës, duke parë se shqiptarët, janë njerëzit më mosmirënjohës dhe më pakurrizor, në mbarë kontinentin, të cilët dëshmuan para botës se nuk e duan vendin as përkatësinë e vet kombëtare dhe në shekullin XXI, kanë vendosur ti kthehen mesjetës, e të bëhen turq e arab. Andaj dhe jam pafundësisht kundër opozitës, deputetëve dhe analistëve partiak, të cilët, janë vet ata, që ngritën e forcuan ekstremizmin islamik, në zemër të Evropës, kanë votuar dhe miratuar faljen e tokave të Kosovës shteteve fqinje, kanë miratuar bashkë me listën serbe "zajednicën" në Kuvend, Gjykatën Speciale, etj, etj, si dhe kanë paguar, me paratë e taksapaguesve të Kosovës edhe firma të huaja, për propagandimin e ndarjes së Kosovës, deri në Paris të Francës dhe më larg.

Unë kur bëhet fjalë për tokat e vendit tim, nuk mund ta përshëndes as mbështes, as vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Kurti, qoftë edhe i ndërmarrë, në funksion të ruajtjes së partneritetit me shtetet mike, kur e di se sa i dhimbshëm, e i diskutueshëm dhe i pa drejtë është vendimi të cilin Gjykata fragile Kushtetuese e Republikës së Kosovës e mori para plot 8 vitesh. Por siç dihet dhuruesit e vërtetë të 24 hektarëve tokë, Manastirit të Deçanit, janë komandantët rrahagjoks, argatët e të cilëve të vendosur në Gjykatën Kushtetuese dhe në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës, miratuan edhe vendimet më të rënda të Millosheviqit, përfshi edhe faljen e 24 hektarëve tokë, Manastirit të Deçanit, janë po ata komandantë gangsterë, që ia falën 2500 hektar tokë autoktone të Kosovës, ata që përvetësuan e plaçkitën çdo gjë të vlershme të këtij vendi dhe për mbi 22 vite mbajtën lidhje të pashkëputura me bandat kriminale serbe deri edhe me vet krye terroristin Milan Radojçiq”, shpjegon Qarri.

Më tej, analisti thekson që është tërësisht kundër këtij vendimi ogurzi, për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, siç jam edhe kundër opozitës, deputetëve dhe analistëve partiak, që kanë miratuar bashkë me listën serbe "zajednicën" në Kuvend, Gjykatën Speciale, e shumë vendime tjera të dëmshme për vendin.

“Fatkeqësisht, vendimin e kobshëm për kalimin e këtyre pronave në pronësi të Manastirit e morën të gjitha nivelet e gjykatave, deri te e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese, të gjitha të kontrolluara dhe ndikuara nga ish pushtetarët e korruptuar e të shantazhuar, ndërsa obligimi i mbeti trashëgim Qeverisë aktuale nga qeveritë e kaluara kuislingë, duke u kushtëzuar shteti mu në rastin historik të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, me bllokim, nëse vendimi nuk do të zbatohej.

Unë jam tërësisht kundër këtij vendimi ogurzi, për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, siç jam edhe kundër opozitës, deputetëve dhe analistëve partiak, që kanë miratuar bashkë me listën serbe "zajednicën" në Kuvend, Gjykatën Speciale, etj, etj madje kanë lejuar edhe përdorimin dhe miratimin e ligjeve të Millosheviqit, në Kosovën e pasluftës, ndaj dhe më dhemb zemra, për vendin tim, kur shoh lehtësinë me të cilën falen e tjetërsohen tokat tona autoktone, nga shqipfolësit, në çfarëdo forme a mënyre qoftë, siç më dhemb pafundësisht, ndryshimi i historisë dhe qenies kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, pas lufte”, foli analisti.

Ndër të tjera ai nënvizon që ndërkombëtarët, për balancimin kulturor-fetar, kanë vendosur që siç e quan “turko-arabizmit” të Kosovës, nga shqipfolësit pa kurrizor, t’i kundërvihen me serbizimin e një pjese të madhe të vendit tonë.

“Kështu që, nuk duhet habitur se pasi që shqiptarët dëshmuan para mbarë botës se nuk e din çfarë është mirënjohja, ndaj vendeve të cilat i çliruan, po shihet se ndërkombëtarët, për balancimin kulturor-fetar, kanë vendosur që turko-arabizmit të Kosovës, nga shqipfolësit pa kurrizor, t’i kundërvihen me serbizimin e një pjese të madhe të vendit tonë dhe nëse shqiptarët, nuk do të mbushen mend as me këtë vendim, ky është shembulli se ndërkombëtarët nuk do ta lënë, për asnjë çmim, gjithë Kosovën nën domenin e xhamive dhe të hoxhallarëve turko-arab”, u shpreh Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat