“Rreth 5 mijë ushtarë të NATO-s në Kosovë”/ Profesori: KFOR pengoi marshimet e botës serbe në këtë pjesë të Ballkanit

Politika

“Rreth 5 mijë ushtarë të NATO-s në Kosovë”/ Profesori: KFOR pengoi marshimet e botës serbe në këtë pjesë të Ballkanit

Nga: A.SH Më: 16 mars 2024 Në ora: 08:02
KFOR

Mandati i KFOR-it në Kosovë është për ruajtjen e paqes, dhe këtë po e bën që nga viti 1999.

Situata më e tensionar është në pjesën veriore të Kosovës, gjë që ka bërë që edhe trupa ushtarakë të ketë aty më shumë.

Profesori Muahmet Kelmendi ka thënë se KOFR-i në Kosovë ka për detyrë sigurinë e plotë.

Sipas tij, deria tani në Kosovë janë mbi 5 mijë trupa të KFOR-it, të cilët janë të vendosur kryesisht në veri të Kosovës, aty ku tensionet mbesin akoma.

“Kosova është nën kontrollin e NATO-së që nga viti 1999. Atëherë u vendos KFOR-i nga ana e NATO-s. Tash gjinden rreth 5000 ushtarë të NATO-së në Kosovë. Kryesisht janë të vendosur në veri të Kosovës, në katër komunat e banuara me shumicë serbe. Pikërisht këtu u bë më 24 shtator 2023 një agresion terrorist serb, me qëllim që këtë pjesë të Kosovës të ndajnë nga Republika dhe t'i bashkojnë ato komuna me "majka Serbia", mbi bazën e realizimit të" botës serbe". Vendosja e NATO-së në Kosovë bëri të mundur që të sigurohet një qetësi relative në Republikë dhe kështu edhe në rajon.

NATO ndikoi edhe në ndërtimin e një ushtrie të Kosovës konform parimeve të NATO-s. Kështu u ndërtua FSK dhe tash ka arritur që të ketë një përmbajtje të njëjtë me shtetet anëtare. NATO me forcat e veta të vendosura në Kosovë bëri punë të madhe edhe në ruajtjen e paqes dhe një gjendjeje stabile në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Ai tutje, ngrit vlerat dhe punën e KFOR-it, duke thënë se forcat e tij penguan marshimet e botës serbe duke bashkuar forcat e tyre me aksionet UÇK-së për të parandaluar Serbinë.

“KFOR ndikoi dukshëm dhe pengoi marshimet e botës serbe në këtë pjesë të Ballkanit. Me NATO-n brenda u ruajt edhe paqja dhe barazia në Kosovë. NATO i bashkoi aksionet bombarduese me UÇK-në dhe u çlirua Kosova.

Ky bashkim u bë frenues dhe sigurues i lirive dhe të drejtave njerëzore e nacionale në Kosovë dhe me gjerë, në Ballkan. KFOR ndikoi edhe në ndërtimin e vendit. Ndërtoi ura e rrugë. U ngritën shumë objekte ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Vetëm pas aksionit terrorist në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator 2023, duke vendosur në veri forcat e veta ushtarake, ndaloi marshimin terrorist serb, me ideologjinë e "srpski svet". Me KFOR-in brenda në Kosovë u përgatit edhe Republika për integrime euroatlantike”, potencon Kelmendi.

Derisa, për ushtrinë e Kosovës thotë se KFOR bashkëpunoi ngushtë për të bërë FSK-në ushtri profesionale.

Por, ai shton se edhe Kosova duhet të punojë fort për t’u anëtarësuar në KE, BE, NATO – kështu duke mos mbajtuar qëndrim të ngrutë nga vendet aleate.

“NATO ndikoi në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Bashkëpunoi ngushtë me FSK-në. U ndërtua një ushtri profesionale dhe që mbështetet në të drejtat dhe liritë nacionale dhe politike të të gjithëve. Me punën e NATO-s, si dhe në bashkëpunim me EULEX, me SHBA, me Anglinë e me Gjermaninë, si dhe Turqinë e me KFOR-in, u arrit që vendi të përgatitet për intergtime në Këshillin e Evropës, në BE dhe sidomos në NATO. Nuk ka më asnjë pengesë as politike dhe as ushtarake për të mos u bërë anëtare e NATO-s Kosova. Pritet vetëm koha.

Natyrisht se në këtë drejtim i takon edhe shumë Kosovës të bëjë një politikë shumë më efektive me SHBA-në, me Anglinë, Francën, me Gjermaninë, me Italinë, me Turqinë etj., në drejtim të intergrimit të FSK-së në NATO. Sa më shumë që merr pjesë FSK-ja në aktivitetet e NATO-s, aq me shumë ndikon te shtetet që dhe Kosova të anëtarësohet në këtë fuqi ushtarake paqeruajtëse të demokracive perëndimore. Kosova kërkohet të marrë pjesë edhe në aksionet paqeruajtëse të NATO-së.

Nuk duhet të pritet të vijë kërkesa nga jashtë, për të marrë pjesë në aksionet e NATO-s, por Kosova duhet të shprehet dhe të kërkojë pjesëmarrje të forcave të veta (FSK) në NATO. Shembulli i pjesëmarrjes në Kuvajt të FSK-së me SHBA-në duhet të përshëndetet. FSK kërkohet të jetë kudo krah me NATO-n. Të ushtrojë me ushtarët e kësaj force dhe t’i pranojë të gjitha qëndrimet e sanksionet. Politika kërkohet të jetë aktive dhe sqaruese. Kosova e ka aktualisht një pozicion të ngurtë, e cila nuk po jep fryte. Është politikë jo produktive dhe po tregohet e pabesueshme ndaj BE-së, shteteve dhe NATO-s. Mendimi se Kosova është qendër e paqes në Ballkan e në Evropë e dëmton shumë pozitën e Kosovës. Ngurtësia është e dëmshme. Pa një politikë agresive në kuptimin e sqarimit të gjendjes në vend dhe të interesit të inkuadrimit në NATO nuk ka pozitivitet në drejtim të anëtarësimit në KE, në BE dhe në NATO”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat