“Faqebardhë para ndërkombëtarëve”, eksperti i sigurisë tregon si do ta ndalë Kosova dhunën serbe në veri të vendit

Politika

“Faqebardhë para ndërkombëtarëve”, eksperti i sigurisë tregon si do ta ndalë Kosova dhunën serbe në veri të vendit

Nga: A.Zh Më: 16 mars 2024 Në ora: 10:15
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, e ka quajtur të duhur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që me datën 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se ky vendim korrespodon me zotimet e institucioneve të Kosovës, sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Elezi ka rikujtuar që çështja e zgjedhjeve në veri, nxiti reagimin edhe të faktorit ndërkombëtar.

Image
Bedri Elezi

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, me datë 21 prill, mendoj që është një vendim i duhur dhe korrespodon me zotimet që institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë në Marrëveshjen e Ohrit, për largimin e kryetarëve aktualë, të cilët ishin zgjedhur në mënyrë të rregullt në atë pjesë, por që ishte kontestuar zgjedhja e tyre për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje. Përkundër faktit që kjo çështje ishte e rregulluar me ligj, ishte një reagim vendor dhe ndërkombëtar se pjesëmarrja duhet të jetë e duhur, në mënyrë që të kemi kryetarë legjitimë në atë pjesë”, është shprehur Elezi.

Megjithëse vendimin për zgjedhjet në veri e sheh si të “vonshëm”, eksperti ka thënë se një gjë e tillë do të parandalojë aktivitetet e dhunshme në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që institucionet e Kosovës janë të vonuara sa i përket çështjes së organizimit të zgjedhjeve në atë pjesë, sepse në momentin që ne do të organizojmë zgjedhjet dhe do të sjellim institucione, të cilat do të kenë mund të themi besimin e të gjithë qytetarëve serbë në atë pjesë, apo qytetarëve të tjerë, do të ishte një mundësi reale për të parandaluar të gjitha aktivitetet apo dyshimet për të organizuar situatë të dhunshme në atë zonë, sepse siç dihet, serbët në vazhdimësi janë ankuar se gjoja nuk kanë të drejta të mjaftueshme me ligj, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në këto zgjedhje, dhe mos pjesëmarrjes së qytetarëve serbë në këto zgjedhje. Në këtë aspekt, është dëshmuar se qytetarët serbë kanë reaguar në vazhdimësi, madje duke organizuar edhe aktivitete të dhunshme, siç i kemi parë”, ka thënë më tej Bedri Elezi për gazetën.

Sipas tij, me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Kosova do të dëshmojë se është e gatshme për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj.

“Organizimi i zgjedhjeve dhe zgjedhja e institucioneve në atë zonë pas këtyre zgjedhjeve, është minimalisht, një realizim premtimi dhe ushtrim partneriteti mes faktorit ndërkombëtar, se Kosova nuk është e interesuar që të bëhet arsyetim për të tjerët, për të organizuar aktivitete të dhunshme. Me këtë ne demostrojmë se jemi të gatshëm për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët dhe në këtë rast, edhe përkundër faktit që duhet të bëjmë veprime, të cilat bien në kundërshtim me vet vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, për organizimin e zgjedhjeve nga Serbia, ngase zgjedhjet e fundit ishin organizuar në mënyrë ligjore dhe demokratike, por që serbët kishin dështuar që të marrin pjesë për arsye politike”, ka theksuar ai.

Elezi ka nënvizuar se Kosova duhet të tregojë se është e gatshme t’i bindet edhe kërkesave të miqve të saj ndërkombëtarë.

“Ne duhet të tregohemi që jemi të gatshëm që t’i bindemi kërkesave të miqve të Kosovës për të dëshmuar qartë se Kosova është shtet, i cili pretendon siguri, të drejta të qytetarëve, respektimin e normave ndërkombëtare juridike dhe në këtë rast do të mundësojë edhe një herë zgjedhje të lira në atë pjesë, për t’iu mundësuar të gjithë qytetarëve serbë për të marrë pjesë dhe kështu për t’i pamundësuar njëkohësisht që të njëjtit të organizojnë aktivitete të dhunshme, me arsyetimin se ata nuk janë përfaqësuar nga udhëheqësit e tyre në këto komuna, por që këto komuna janë duke u udhëhequr nga shqiptarët, për çka serbët kanë reaguar në vazhdimësi”.

Ai vlerëson se zgjedhjet e reja do të duhej të mbaheshin më parë, që të parandalohej dhuna.

“Mund të themi se vendimi i KQZ-së është i duhur, edhe pse të themi të drejtën, institucionet tona e kanë zvarritur procesin, ndoshta nuk do të duhej të shkohej në këtë rrugë, por që partitë politike, të kërkojnë nga kryetarët e komunave të tërhiqen, për arsye të ofrimit të sigurisë, apo të mos eskalimit të situatës së sigurisë në atë pjesë dhe këto zgjedhje të mbaheshin më parë dhe kështu të dalim faqebardhë para faktorit ndërkombëtar, se Kosova është shtet i cili mëton siguri, paqe, mirëkuptim dhe tolerancë”, ka shtuar eksperti Bedri Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat