“Drama” mbi pronat e Manastirit të Deçanit, vendimi i Kurtit që ‘trazoi’ opozitën – ja si Haradinaj, Lushtaku…

Politika

“Drama” mbi pronat e Manastirit të Deçanit, vendimi i Kurtit që ‘trazoi’ opozitën – ja si Haradinaj, Lushtaku…

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 mars 2024 Në ora: 20:02
Albin Kurti

Zhurmë të madhe krijoi në opionin publik, kërkesa e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për të zbatuar vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Pothuajse për një dekadë, çështja e 24 hektarëve përreth Manastirit të Deçanit, ka qenë një temë kyçe dhe mjaft e përfolur në vend.

Kjo temë ka prodhuar edhe mosmarrëveshje, ku udhëheqësit e shtetit, përfshirë edhe autoritetet lokale të komunës së Deçanit refuzonin ta zbatonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Si rrjedhojë e diskutimeve të shumta që janë përhapur në këtë mes, ka pasur edhe reagime të shumta nga përfaqësues të lartë të aleatëve ndërkombëtarë, ku kanë kërkuar zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Kushtetueses lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.

Mirëpo, më në fund, këtë problem e “zgjodhi” kryeministri Albin Kurti, e që kërkesa e tij për zbatimin e vendimit të Kushtetueses mbi 24 hektarët e përfolur, u prit mjaft mirë në arenën ndërkombëtare.

Image
Manastiri i Deçanit.

Sipas, juristit shqiptar nga Belgjika, Skënder Musliu, Kurti ishte i detyruar ta zbatonte vendimin e Kushtetueses.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen por ato detyrimisht dhe pa kushte implementohen.

“Ditë më parë, Qeveria e Kosovës, pas presioneve dhe kushtëzimeve trevjeçare, më në fund vendosi t’a zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuse të Kosovës të vitit 2016, me të cilin iu dhanë 24 ha tokë manastirit të Deçanit. Këtë vendim Qeveria e ka marrë, jo vetëm nga fakti se ka qenë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, por se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohen por ato detyrimisht dhe pa kushte implementohen dhe se nuk ka patur zgjidhje tjetë, përpos izolimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si institucioni më i lartë gjyqësor që siguron ndarjen e pushteteve dhe garanton ligjshmërinë, kushtetutshmërinë dhe rendin kushtetues, fatkeqësisht me vendimin e saj të vitit 2016, ka shkelë rëndë Kushtetutën, për të cilën kanë obligim ta mbrojnë”, deklaroi ai.

Kontesti mbi pronat përreth Manastirit të Deçanit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Të kthehemi pas në kohë dhe të kujtojmë se si nisi ky proces dhe si erdhi te vendimi final.

Procesi gjyqësor mbi çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë - ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit të Deçanit – ishte një proces shumë i gjatë dhe i komplikuar.

Vlen të theksohet se 24 hektarët rreth Manastirit të Deçanit janë të mbrojtura me Ligjin për zona veçanta të mbrojtura nga viti 2008.

Brenda këtyre hektarëve të shumëfpërfolur ndodhen objekte që u përkisnin ndërmarrjeve shoqërore ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’.

Me përfundimin e luftës, në vitin 2000, që të dy ndërmarrjet iu drejtuan gjykatës, ku kërkuan me çdo kusht të anulohet marrëveshja për tokën 24 hektarëshe.

Përballja gjyqësore e dy ndërmarrjeve shoqërore dhe Manastirit të Deçanit zgjati për 16 vite të tëra, nga viti 2000 deri në vitin 2016.

I gjithë procesi u përmbyll në momentin kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Megjithatë, juristi Musliu në bashkëbisedimin me “Bota sot” potencoi arsyet se pse Kushtetuesja nuk është dashur ta marrë këtë vendim.

“Duke mos dashur ta elaboroj këtë çështje nga këndvështrimi im, mbase kam shkruar disa herë në mënyrë më të detajuar, në gjykimin tim, edhe pse mendimet e juristëve janë të ndara, Gjykata Kushtetuese nuk është dashur të vendos për këtë çështje, së paku për tri arsye. Së pari, lënda ka qenë në procedurë e sipër, dhe deri sa nuk kemi një aktgjykim të formës së prerë nga gjykatat e rregullta, çështje nuk ka mundur të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Së dyti, me vendimin në fjalë, Gjykata Kushtetuese ka legalizuar dhe legjitimuar vendimet e kundërligjshme të Qeverisë së Serbisë, që janë marrë në kohën e Millosheviqit, kur Kushtetuta e Kosovës ishte suprimuar, institucionet ishin suspenduar dhe ishin nën masa të dhunshme, kurse shqiptarët u përjashtuan nga vendimmarrja. Së treti, që nga fillimi i kësaj çështjeje, ka pasur shkelje procedurale dhe materiale, që nga ujdia e AKM me manastitin e Deçanit e deri në Gjykatën Kushtetuese, përveç tjerash, edhe nga fakti se, juridikisht manastiri nuk ka mundur të jetë palë në këtë proces”, shpjegoi Skënder Musliu.

Image
Skënder Musliu.

Reagimet dhe sulmet ndaj Kurtit pas vendimit për pronat rreth Manastirit të Deçanit

Kërkesa e të parit të qeverisë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses nuk u prit aspak mirë nga kundërshtarët e tij politikë.

Të gjithë hodhën akuza ndaj kryeministrit Kurti.

Më i zëshmi ishte, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili këtë vendim të qeverisë, e quajti të turpshëm.

“Si është ajo shprehja e popullit edhe fikë, edhe koritë, po na ndodh fatkeqësisht me Kurtin nga mënyra se si ky po i trajton aleatët dhe obligimet që i ka marrë me aleatët do t’i kushtojnë Kosovës. Do ta kemi një presion të vazhdueshëm për shumë tema tjera, e rrugës do të ishte pas kësaj që ka ndodhur dje, Kurti të rikthehet në planin franko-gjerman për shkak se ju shihni Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Kjo Qeveri po i harxhon krejt kartat”, u shpreh Haradinaj.

Mirëpo, duket se Haradinaj ka harruar faktin se në kohën sa ishte kryeministër i vendit, bashkë me PDK dhe LDK, në Kuvendin e Kosovës e ratifikuan Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Pikërisht, pas kësaj marrëveshjeje të miratuar, Kosova humbi plot 8,200 hektarë tokë, të cilët iu falën Malit të Zi.

Madje, edhe për këto sulme të opozitës ndaj kryeministrit Kurti, Skënder Musliu kishte disa fjalë.

Sipas tij, është turp dhe hipokriizi që opozita ta kritiojë Kurtin, kinse ia ka falur 24 hektarë Manastirit të Deçanit.

“Në kohën kur kjo çështje është trajtuar, në pushtet ka qenë opozita, e cila përmes seksterëve, parapolitikës dhe pronto mafisë, i kanë vendosur gjyqtarët e dëgjueshëm duke interferuar në marrjen e vendimeve gjyqësore, me qëllim që t’ia plotësojnë kërkesat Serbisë e për t’a shpëtuar veten.

Prandaj, është hipokrizi dhe demagogji e turpshme, që tani opozita derdh lot krokodili, duke kritikuar kryeministrin Kurti, se ai i paska falë 24 ha tokë manastirit të Deçanit, në realitet Kurti po e zbaton një vendim shumë të dëmshëm si obligim ligjor, që është marrë në kohën kur opozita ishte në pushtet”, theksoi juristi nga Blegjika.

Për dallim, që “hektarët e Demarkacionit” iu shkëputën Kosovës, hektarët e Manastirit të Deçanit mbetën në territorin e vendit tonë, thjesht u zgjidh një proces gjyqësor mes dy palëve të ndryshme, gjë që pritet t’ia hapë dyert Kosovës për anëtarësimin në KiE.

E për këto dhënie të tokave foli edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani.

Së pari, ai u shpreh se vendimi për pronat rreth Manastirit të Decannit është i formës së prerë dhe për këtë nuk duhet kritikuar Kurti.

Image
Blerim Burjani.

Madje, sipas tij, kjo ka qenë një çështje që do duhej ta përmbyllnin qeveritë e kaluara, siç në të kaluarën u dhanë toka Maqedonisë e Malit të Zi!

“Çështja e zbatimit të aktgjykimit për pronat e Manastirit është ekskluzivisht çështje gjyqësore, është res judikata, është e formës së prerë.

Dhe këtu politikë nuk mund të bëhet, qeveritë e mëhershme i kanë dhënë tokë Maqedonisë, Malit të Zi, askush nuk e ka harruar këtë!

Por, pse lufta politike po bëhet kundër Kurtit? Kjo është temë e disa qeverive, tash dikush prej të gjithave duhet ta zbatojë një aktgjykim të tillë gjyqësor.

Askush nuk mund ta akuzojë për këtë çështje, kështu është rasti edhe me asociacionin, pra janë tema që do duhej të përmbylleshin nga qeveritë e kaluara”, tha ndër të tjera Burjani.

Hektarët e tokave dhe privatizimet si “karrem” për pasurim të politikanëve shqiptarë ndër vite

Sa jemi te “hektarët” e toka, vlen të theksohet se, shumë politikanë e udhëheqës të shtetit, përfituan gjatë kohës kur Agjencia e Kosovës për Privatizim (AKP) po privatizonte pronat shoqërore.

Këtë gjë e elaboroi edhe juristi Musliu derisa kritikoi ashpër politikanët e opozitës që në mënyrë të pamëshirshme në emër të privatizimit blenin tokë me shuma qesharake, e që më pas, në emër të shpronësimit ua shitën shtetit me shifra shumë të larta.

“Për opozitën, falja dhe grabitja e tokës është gjë normale dhe e familiarizuar, sepse ata vet kanë uzurpuar, plaçkitur dhe grabitur tokën dhe pasuritë e Kosovës. Madje, politikanët e pamëshirshëm dhe të pangopur të kësaj opozite, i kanë devijuar edhe trasetë e autostradës, paraprakisht në emër të privatizimit e kanë «blerë» tokën me shuma qesharake, dhe pastaj në emër të shpronësimit për autostradën, ia kanë shitur shtetit deri në 7 mijë euro hektarin. Dhe tani, politikanët e haraçit, kazinove, kontrabandës, hajnat e tenderëve milionësh, që falën tokë, që deshën ta copëtojnë Kosovën dhe që bashkëvepruan me strukturat kriminale serbe në veri të Kosovës, bëjnë zhurmë për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit që t’i harrojnë tradhtitë e tyre, mirëpo populli është vetëdijësuar dhe nuk e pranon më «sapunin për djathë»”, u shpreh ai.

E një nga politikanët që përfitoi më së shumti nga kjo gjë ishte pikërisht Ramush Haradinaj, që po i “vajton” 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në vitin 2009 kishte blerë një ari tokë për 3,75 euro nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Në kohën kur AKP po privatizonte pronat shoqërore, Haradinaj bleu 200 hektarë tokë të shtetit, për të cilat pagoi 75,000 euro.

Nga kalkulimet doli se Haradinaj, kishte blerë një ari tokë për 3,75 euro nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Ky fakt u konfirmua nga deklarimi i pasurisë që e kishte bërë Haradinaj në vitin 2018, gjatë kohës sa ishte kryeministër vendit.

Image
Grafika e deklarimit të pasurisë së Ramush Haradinajt

E ngjashëm si Haradinaj, kishte vepruar edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ta blesh një ari tokë për 50 euro dhe ta shesësh më pas për 5 mijë euro, duket të jetë një mënyrë e shpejtë e pasurimit.

E kështu veproi edhe Sami Lushtaku, i cili vite më parë konfirmoi se bleu tokë në privatizim me 50 euro arin dhe ia shiti shtetit rreth 5 mijë euro në procesin e shpronësimit bënë bujë në të gjithë Kosovën.

Në AKP shumë toka bujqësore, lokale e fabrika janë blerë nga ata që në atë kohë mbanin pozita shtetërore.

Mirëpo, në disa raste blerjet bëheshin në emër të vëllezërve dhe familjarëve të tyre.

Në këtë rast, bëhet fjalë për Selman Selimi, vëllain e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili në të kaluarën privatizoi tokë prej më shumë se 3 hektarë, në vlerë prej 390 mijë eurove.

Në vitin 2014 ai kishte privatizuar edhe një tokë tjetër në vlerë prej 164 mijë eurove. Po në vitin 2014, në emrin e Selman Selimit është privatizuar një parcelë tokë dhe një ndërtesë administrative në vlerë prej 101 mijë eurosh.

Gjithashtu, edhe Ilaz Selimi, vëllai i ish-deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, në vitin 2009 kishte privatizuar edhe një hapësirë tokë bujqësore prej 1,938  metra katrorë në vlerë prej 102 mijë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat