“Lajme të këqija për Serbinë”, Vuçiq në ‘ankth’ pas vendimit të fundit të Kurtit – çfarë po ndodh me raportet e tij me ndërkombëtarët?

Politika

“Lajme të këqija për Serbinë”, Vuçiq në ‘ankth’ pas vendimit të fundit të Kurtit – çfarë po ndodh me raportet e tij me ndërkombëtarët?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 mars 2024 Në ora: 12:19
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve në Bruksel duket te jetë larg.

Krahas zhvillimeve të fundit, këtë gjë po e konfirmojnë edhe deklaratat provokuese nga pala serbe.

Së fundi, ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që paralajmëroi se është në pritje të “lajmeve të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Nuk u mjaftua vetëm me këtë paralajmërim, presidenti serb iu “vërsul” me kritika e akuza të rënda ndërkombëtarëve, jo krejt për shkak të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE)”, tha Vuçiq.

Vuçiq, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KiE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”.

“Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai.

Kjo deklaratë e Vuçiqit, shpërfaqi prapaskenat e raporteve të tij me ndërkombëtarët, e të cilat nuk duket të jenë mjaft të mira.

E këto deklarata dhe paralajmërime të Vuçiqit, për gazetën “Bota sot” i komentuan analistët politik.

Mehazi: Vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është në dëm të Serbisë

Së pari, foli njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, i cili tha se kjo deklaratë e Vuçiqit tregon hapur se Kurti ka marrë vendimin e duhur për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit.

Image
Sulejman Mehazi

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se anëtarësimi i Kosovës në KiE do ishte një humbje e madhe për Serbinë, andaj Vuçiq edhe është në siklet të madh.

“Edhe pse partitë opozitare dhe disa analistë pa asnjë arsye e dije politike janë duke e zhurmosur opinionin për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka respektuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me dhënien e pronës së 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, mirëpo ja që deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, tregon të kundërtën se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është në dëm të Serbisë se janë "lajme të këqija" për Serbinë se veprimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me rastin e dhënies së pronës Manastirit të Deçanit kanë përkeqësuar Serbinë me ndërkombëtarët në favor të Kurtit që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, që për Serbinë do jetë një debakël i madh diplomatik përballë Kosovës”, theksoi analisti.

Po ashtu, tha se me respektimin e vendimit të Kushtetueses, Manastiri i Deçanit do jetë nën ombrellën e Kosovës, dhe jo të Serbisë.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shtetit që e udhëheq vetë e jo Gjykatën Kushtetues të Serbisë së Vuçiqit, Manastiri i Deçanit është brenda kushtetutës së Kosovës dhe të gjitha tatimet dhe obligimet pronësore të Manastirit do i paguhen Kosovës e kurrsesi Serbisë. Manastiri i Deçanit do jetë nën ombrellën e R. së Kosovës njësoj sikurse vakëfet e Bashkësisë Islame dhe Katolike”.

Ndër të tjera, përmendi formulën politike të Kurtit, e që do jetë “vdekje” për Serbinë.

“Dhënia e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit është një formulë e mrekullueshme politike e Albin Kurti, ndaj Vuçiqit, se, Manastiri i Deçanit tani e tutje do jetë nën administratën shtetërore të Kosovës, se, është “vdekje e Serbisë (Deçanski Manastir je smrt Srbije."

Me dhënien e pronave Manastirit të Deçanit, Gjykata Kushtetuese dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia kanë hangër "zemrën" Serbisë.  Me dhënien e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit kryeministri i Kosovës, sintagmën serbe "Kosovo je srce Srbije" e ka rikthyer në "Kosovo je smrt Srbije"”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Vuçiqi veç se po e vazhdon politikën e tij të njohur në rolin e viktimës

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti potencoi se presidenti serb po vazhdon ende ta luaj rolin e viktimës, ku kjo gjë nuk e befasoi atë.

Sipas tij, Kosova nuk mund të mbetet peng i hipkorizisë së tij dhe se duhet të anëtarësohet në KiE.

“Vuçiqi veç se po e vazhdon politikën e tij të njohur në rolin e viktimës, nuk është befasi kjo qasje e tij. Kështu po tenton të përfitojë sa më shumë, kjo lojë e tij në fakt i ka sjell favore. Gjithsesi Kosova nuk mund të mbetet peng i hipokrizisë së tij, anëtarësimi në KiE është më e pakta që Kosova duhet të përfitojë pas vendimit për Manastirin, e që në fakt është një lloj Asociacioni fetar”, u shpreh ai.

Gjithashtu, analisti potencoi se shteti serb përmes Manastirit dhe Asociacionit, synon të nxisë luftë në të ardhmen.

“Serbia pas Manastirit synon Asociacionin politik duke e cenuar pavarësinë e rrjedhimisht duke hapur shteg për luftë në të ardhmen. Vuçiqi, pavarësisht se paraqitet në hall, në fakt Kosova është duke pësuar humbje në këtë fazë, megjithatë nuk mohohet fakti se edhe laku po i shtrëngohet Vuçiqit për njohje”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat