Eksperti amerikan këshillon Kurtin për dinarin: Ky veprim do të ishte i mençur, për të mos i larguar SHBA-në dhe BE-në!

Politika

Eksperti amerikan këshillon Kurtin për dinarin: Ky veprim do të ishte i mençur, për të mos i larguar SHBA-në dhe BE-në!

Nga: A.Zh Më: 19 mars 2024 Në ora: 10:00
Alon Ben-Meir dhe Albin Kurti

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, i ka quajtur të “panevojshme” tensionet e fundit mes Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ndonëse kryeministri Albin Kurti u pajtua të shtynte zbatimin e plotë për dinarin, kjo gjë nuk e ka kënaqur emisarin amerikan Gabriel Escobar, respektivisht SHBA-në dhe Serbinë.

“Prirja e kryeministrit Kurti për t'u fokusuar, për mendimin tim, në çështjet margjinale si targat, dhe tani përdorimi i euros ekskluzivisht për të shpallur pavarësinë e Kosovës, shkakton tension të panevojshëm mes Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Përfaqësuesi i posaçëm amerikan në Ballkan Gabriel Escobar, u takua së fundmi me Kurtin dhe dukej se nuk kishte arritur të ndryshonte mendimin e Kurtit për monedhën, ndonëse kryeministri ra dakord të shtynte zbatimin e plotë të konvertimit të monedhës së vendit në euro. Megjithatë, kjo vonesë nuk duket se kënaq SHBA-në, e as Serbinë sigurisht”, është shprehur Ben-Meir.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti, që të mos përfshihet në mënyrë eksplicite në simbolikë në lidhje me pavarësinë e Kosovës, pasi ka shumë nevojë për aleatët e Kosovës, SHBA-në dhe BE-në.

“Këto veprime nga ana e Kurtit pa shqyrtim të kujdesshëm po shkaktojnë kaos të gjerë brenda komunitetit pakicë serb, veçanërisht në veri të Kosovës.

Dinari ishte “një çështje humanitare në zhvillim që ne duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar pas takimit me Kurtin, duke shtuar se vendimi “ka shkaktuar disa vështirësi reale për disa nga qytetarët në vend”. Do të jetë e mençur nga ana e Kurtit që të mos përfshihet në mënyrë eksplicite në simbolikë në lidhje me pavarësinë e Kosovës, sepse kjo thjesht i largon aleatët e saj më të rëndësishëm, SHBA-në dhe BE-në, në një kohë kur ai ka më shumë nevojë për ta”, ka thënë më tej profesori.

Meqënëse sipas tij, pavarësia e Kosovës nuk është në rrezik, zbatimi i vendimit për dinarin, mund të pres 3-4 muaj.

“Për më tepër, pavarësia e Kosovës nuk është në rrezik, pasi është e garantuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Zbatimi i euros si monedhë kombëtare sigurisht që mund të presë përtej 3-4 muajve që ai vendosi ta zbatojë plotësisht”.

Analisti ka hedhur dyshime se çështja e dinarit, mund të jetë e lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Ai ka kërkuar nga Kurti, që të arrijë marrëveshje për shtyrjen e vendimit për një vit, pasi vendimi i “papritur” për dinarin, ka shkaktuar kaos të panevojshëm në veri te serbët që jetojnë në Kosovë.

“Nuk jam i sigurt se sa nga kjo është nxitur nga zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, por pavarësisht nëse janë të lidhura apo jo me zgjedhjet, Kurti duhet të arrijë një marrëveshje për të shtyrë zbatimin, të paktën për një vit, për të lejuar që të gjitha palët të jenë përgatiten dhe shkaktojnë vështirësitë më të vogla për serbët etnikë në veri të Kosovës, sepse dinari përdoret gjerësisht për të paguar pensionet dhe rrogat e stafit në institucionet e drejtuara nga serbët, duke përfshirë shkollat dhe spitalet, dhe një ndryshim i tillë i papritur shkakton një situatë kaotike të panevojshme, të cilën duhet shmangur”, ka theksuar Alon Ben-Meir.

Për çështjen e dinarit, sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndërmjetësuesit evropianë të procesit do të presin veç e veç Besnik Bislimin e Kosovës dhe Petar Petkoviqin e Serbisë, si udhëheqës të delegacioneve të tyre.

Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin. Ajo ka shtuar se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat