“Është një sukses historik i kësaj Qeverie”/ Eksperti me fjalë të mëdha për Kurtin e Osmanin: E deklasuan Serbinë!

Politika

“Është një sukses historik i kësaj Qeverie”/ Eksperti me fjalë të mëdha për Kurtin e Osmanin: E deklasuan Serbinë!

Nga: N. Shaqiri Më: 19 mars 2024 Në ora: 22:52
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka kritikuar ashpër ish-qeveritarët e Kosovës, duke thënë se nuk kanë qenë të aftë dhe nuk ishin treguar të shkathët për të mbrojtur interesin e Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Tërnava pohon se, kryeministri Albin Kurti me vendosmëri po këmbëngul që të mos themelohet Asociacioni i nënshkruar nga Hashim Thaçi në vitin 2013, dhe nga Isa Mustafa në vitin 2015.

“Me qëndrimet e tij si një Kryeministër që i ka fituar votat me shumicë mbi 50% nga populli, Kurti arriti ta shtrijë sovranitetin e shtetit deri te kufijtë e kushtetutës së vitit 1974, ku kufizohemi me Serbinë, dhe vetëm tani qe disa muaj është duke i ardhur shtetit era si shtet”, thotë tutje ai.

Sipas tij, pas sulmit terrorist të Serbisë më 24 shtator, policia e Kosovës, ishte në nivel të lartë të kryerjes së detyrave në mbrojtje të territorit të Kosovës, dhe në mbrojtje të atdheut u vra polici Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë u plagosen.

“Sulmi terrorist u pa haptas nga e gjithë bota, dhe reputacioni në të mirë të Kosovës ndodhi, dhe bota tani e ka kuptuar të vërtetën e ndodhive në veri të Kosovës, prandaj tash bota i ka kuptuar sjelljet e Serbisë që po pretendon ta përvetësojë veriun e Kosovës, por nëse i lejohet një veprim i tillë Serbisë lufta ka me qenë e pashmangshme, sepse kufijtë e shtetit tonë dhe sovranitetin e saj e garanton KFOR si pjesë përbërëse e NATO-s”, shprehet ai.

Tërnava e sheh procesin e dialogut në favor të Kosovës, kështu duke mos ia dhënë Asociacionin.

“Kryesimi nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, dhe kundërshtimi i fuqishëm institucional i marrëveshjës për asociacionin nga viti 2013 dhe 2015, të pranuara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, detyrimi që edhe faktori ndërkombëtar të bindet për të pranuar versionin kushtetues që nuk rrezikon shtetin e Kosovës dhe sovranitetin, sipas atij modelit të Republikës Srpksa, është një sukses historik i kësaj Qeverie në krye me Kurtin dhe presidenten Osmani, duke deklasuar Serbinë”, thotë ai.

Sipas tij, liderët shtetërorë, me ngjarjen e 24 shtatorit e deklasuan dhe nënshtruan shtetin serb në provokimin terrorist që kishte për qëllim sulmin klandestin dhe okupimin e territorit të Kosovës.

“Tani edhe definitivisht po dëshmohet më në fund dhe po vërtetohet se sa ka qenë shteti i Kosovës i rrezikuar me dialogun e zhvilluar me Serbinë, derisa në udhëheqje i ka pasur për gati një dekadë njerëzit e shantazhuar nga Beogradi, të korruptuar dhe në lidhje të ngushtë të bashkëpunimit kriminal, për interesin personal e material, me krimin e organizuar, pavarësisht dallimeve politike dhe etnike, e që veriun e Kosovës e kishin shndërruar në një parajsë të madhe të krimit, kontrabandës dhe mos sundimit të ligjit”, shton ai.

“Në bazë të zhvillimeve politike të tanishme tani është koha që pajtimi me Serbinë të ndodhë, sepse marrëveshja e Ohrit e pranuar nga dy palët duhet definitivisht të detyrohen t’iu përmbahen premtimeve dhe njëherë e përgjithmonë këto dy shtete të pajtohen dhe të vije deri te njohjet reciproke, dhe këtyre dy shteteve t’iu hapen dyert e shteteve të BE dhe institucioneve tjera ndërkombëtare si NATO, OSBE, etj.”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat