Vuçiqi në “zgrip”/ Zbardhet prapavija e deklaratës së Roth - Profesori vjen me këto detaje!

Politika

Vuçiqi në “zgrip”/ Zbardhet prapavija e deklaratës së Roth - Profesori vjen me këto detaje!

Nga: M.Haziri Më: 20 mars 2024 Në ora: 14:37
Michael Roth

Gjatë ditës së djeshme Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman Michael Roth, ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka keqkuptuar, pasi që perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën.

Ndërsa ka thënë se me Vuçiqin në krye, Serbia nuk ka shanse të hyjë në BE.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai thotë se Serbia tashmë ka bllokuar çdo mundësi dialogu me Kosovën dhe se në çdo mundësi mundohet ta kërcënoj Kosovën në vazhdimwsi.

Në diskursin e arsyetimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht është përmendur si motiv integrimi në Bashkimin Evropian. Serbia është në një situatë të paqartë, sepse ajo jo vetëm ka bllokuar çdo mundësi dialogu midis të të dy vendeve, por provokon çdo ditë me akuza dhe qëndrime politike e nacionaliste si ato të Milosheviçit. Ndërkaq presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq bën vazhdimisht kërcënime të njëpasnjëshme kundër Kosovës. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut Gjerman, Michael Roth, në deklaratën e tij i referohet fjalës së zotit Vuçiq në një takim akademik, ku hodhi idenë se “Serbia duhet të pranohet në BE, pavarësisht Kosovës” dhe kërkoi që rruga e integrimit e Serbisë të mos kushtëzohet nga dialogu dhe zgjidhja e konfliktit me Kosovën”, u shpreh profesori.

Image
Enver Bytyçi

Dy detaje të rëndësishme nga deklarata e Roth

Më tej, Bytyçi thekson që deklarata e Roth ishte një paralajmërim i duhur për Serbinë duke theksuar dy momente që ne si vend duhet të i shohim.

Së pari, Roth tregoi që Kosova do të anëtarësohet në BE dh së dyti ai paralajmëron se Serbia nuk do të mund të përparojë drejt integrimeve evropiane sa kohë që lider i saj është Aleksandër Vuçiq.

Michael Roth dha përgjigjen e saktë dhe paralajmëroi qartë kur tha se “Presidenti Vuçiq keqkuptoi diçka. Perspektiva e anëtarësimit në BE nuk vlen vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Nuk ka gjë të tillë si “ose Serbia ose Kosova”. Por Vuçiq ka të drejtë, me të në krye nuk ka asnjë mënyrë që Serbia të hyjë në BE”! Duke analizuar këtë deklaratë të një politikani me influencë në Gjermani ne duhet të shohim dy momente:

Së pari, se integrimi në Bashkimin Europian përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor dhe jo vetëm Serbinë. Në këtë tekst, të cilin nuk kemi nevojë ta lexojmë midis rrjeshtash, Roth e shpreh hapur se edhe Kosova është një prej këtyre shteteve që do të integrohet. Koncepti europian që shprehet në reagimin e politikanit gjerman ka të bëjë me integrim të njëhershëm së paku të Serbisë dhe Kosovës, ose të të gjashtë vendeve të rajonit. Kjo është logjike. Sepse nëse Serbia bëhet anëtare e BE-së para Kosovës, atëherë ajo do ta pengojë anëtarësimin e kësaj të fundit.

Por a mund të anëtarësohet qoftë dhe Serbia në Bashkimin Evropian ende pa e zgjidhur konfliktin me Kosovën? Është krejt e pamundur! Është absurde ta mendosh pranimin në BE të një vendi, i cili konteston ekzistencën e fqinjit të tij, në rastin konkret të Kosovës. Brukseli ka nxjerrë një mësim tashmë nga pranimi i Qipros. Në atë moment që Qipro u bë anëtare e BE-së duket se mori fund edhe dialogu midis dy pjesëve të ishullit të ndarë. Kësisoj kriza qipriotë u transferua në Bruksel. Ndërkohë që me Serbinë dhe Kosovën vazhdimi i krizës midis tyre mund të përfundojë në konflikt. Ndaj dhe nuk mund të ndodh që Serbia të bëhet anëtare e BE-së e Kosova të presë prapa dyerve të saj.

Së dyti, në deklaratën e zotit Roth ka një element tjetër të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm. Ai paralajmëron se Serbia nuk do të mund të përparojë drejt integrimeve evropiane sa kohë që lider i saj është Aleksandër Vuçiq. Kjo do të thotë se epoka Vuçiq ka mbaruar. Se ai nuk shihet më si pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve, as të integrimeve, por shihet si vetë problemi, si pengesë e këtyre pritshmërive. Se bashkësia ndërkombëtare e Perëndimit do të vinte në këtë përfundim, ne shqiptarët, ose më mirë të them shumica prej nesh, e kemi ditur. Thjesht për faktin se ne i njohim serbët më mirë sesa i njohin amerikanët dhe evropianët. E testojmë presidentin e Serbisë në krahasueshmëri me paraardhësit e tij. Ne nuk u besojmë fjalëve të mira, ne marrim në konsideratë pjesën ku autoritetet serbe bëjnë diversion e provokojnë vazhdimisht”, shpjegoi profesori.

Vuçiq është pengesa e Serbisë

Në bisedë e sipër Bytyçi potencon që Vuçiq është pengesë për Serbinë dhe se rrezikon stabilitetin rajonal e evropian.

“Në BE ka diplomatë e zyrtarë aq naivë, sa besuan se presidenti Vuçiq do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit thjesht me një ok, pa firmosur ato dokumente. Tani që panë se presidenti serb u tall me ta, janë kthjelluar. Por ka prej tyre që nuk duan ta pranojnë dhe vazhdojnë të fajësojnë Albin Kurtin për pabesitë e Aleksandër Vuçiq. Michael Roth bëri me dije se nuk është nga kjo kategori politikanësh. Pra përcaktoi se Vuçiq është pengesa e Serbisë, por edhe e Kosovës dhe e rajonit për integrime europiane. Mund ta shohim deklaratën e zotit Roth edhe si reagim ndaj arrogancës së udhëheqësve autoritarë në rajonin tonë. Vuçiq është njëri prej tyre, ndoshta më i rrezikshmi edhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale e evropiane”, tha ai.

Në fund, profesori nënvizon që BE ka filluar të bëjë dallimin midis të keqes dhe të mirës.

“Përfundimisht mund të them se BE po shkon drejt njohjes së plotë të realitetit në perceptimin e zhvillimeve në rajon e veçmas në Serbi e në Kosovë. Ka filluar të bëjë dallimin midis të keqes e të mirës, ose më pak të keqes. Ka filluar ta identifikojë publikisht faktin se e keqja qëndron në Beograd. Nga kjo pikëpamje shoh se qëndrimet e Berlinit po afrohen me atë të Londrës. Se kur do të konvergojnë këto qëndrime të prera ndaj Serbisë e presidentit të saj edhe në Paris e Uashington, këtë do ta shohim. Por Aleksandër Vuçiq tashmë është në zgrip dhe po shndërrohet në person i padëshirueshëm për Perëndimin. Sado që ambasadori Hill mban ende shpresa te ai”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat