Kurti i gatshëm për zgjedhje, analisti tregon kur mund të mbahen ato: Opozita nuk është e interesuar siç “paraqitet”

Politika

Kurti i gatshëm për zgjedhje, analisti tregon kur mund të mbahen ato: Opozita nuk është e interesuar siç “paraqitet”

Nga: A.SH Më: 20 mars 2024 Në ora: 17:20
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi.

“Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin... dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty. Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”, kishte thënë ai.

Analisti Saim Tahiraj në një prononcim për “Bota sot” thotë se, edhe pse qeveria Kurti bën shumë gabime, opozita nuk është e interesuar për zgjedhje, sepse sipas tij, ato nuk dinë t'i shfrytëzojnë dhe t'i plasojnë në opinion gabimet e tyre.

“Sado që me kërkesa të zbehta opozita kërkon zgjedhje, ajo nuk është e interesuar për zgjedhje të jashtëzakonshme. E them këtë për arsye se VV ende ka mbështetje të fuqishme në popull. Kjo ndodh falë opozitarizmit të dobët që bëjnë partitë opozitare.

Qeveria Kurti bëri shumë gabime, qoftë në politikat ndërkombëtare e po ashtu edhe në qeverisjen e brendshme. Këto gabime, partitë opozitare asnjëherë nuk dinë t'i shfrytëzojnë dhe t'i plasojnë në opinion, në mënyrë që të njoftohet dhe të bindet opinioni realisht me gabimet qeverisëse”, thotë ai.

Tutje, thotë se zgjedhje mund të kemi vetëm nëse dëshiron Albin Kurti, dhe ai do të jetë personi që do të provokoj zgjedhje.

“Duke parë se ka të bëjë me një opozitë të dobët, Kurti dhe qeveria e tij vazhdojnë avazin e njëjtë, e qetë pa ndonjë rrezik nga opozita. Zgjedhje të parakohshme mund të kemi vetëm nëse i duhen Albin Kurtit, dhe unë mendoj se do kemi. Albin Kurti do provokoj zgjedhje të parakohshme atëherë kur i duhen atij, mendoj se në momentin kur nuk mund të manovrojë më, me mos zbatimin e Asociacionit do i provokoj zgjedhjet.

Situata e pavolitshme për shtetin e Kosovës, fare nuk i intereson Albinit, atij i intereson vetëm përfitimi personal dhe i VV-së. Po më duket se të njëjtin qëndrim kanë edhe partitë opozitare, vetëm interesin e tyre personal dhe partiak kanë, fare nuk ju intereson dëmi apo përfitim shtetëror”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat