“Nga çdo betejë me forcat serbe, ikte me shpejtësinë e një rakete”/ Naim Miftari flet për takimin me “Raketën”: Mos luftoni...

Politika

“Nga çdo betejë me forcat serbe, ikte me shpejtësinë e një rakete”/ Naim Miftari flet për takimin me “Raketën”: Mos luftoni...

Nga: N. Sh. Më: 20 mars 2024 Në ora: 22:52
Xhavit Ferizi, Hashim Thaçi

Xhavit Ferizi i njohur si “Raketa”, ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës në Prishtinë pasi së fundmi ishte diagnostifikuar më sëmundjen e kancerit.

“Raketa” ishte pjesëtar i UÇK-së dhe për më shumë se dy dekada ishte ka qenë pjesëtar i sigurimit të afërt të ish-presidentit e ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pamjet e ‘Raketës” mbrapa Thaçit nuk kishin munguar edhe në takimet ndërkombëtare e as në forume të ndryshme nëpër vende të botës.

Për vdekjen e “Raketës” pati shumë reagime në Kosovë.

Një reagim për këtë e bëri edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thotë se tashmë është një milionerë më pak, teksa shton se, sindromi i vdekjeve të truprojave të Hashim Thaçit po vazhdon.

“Një milioner më pak..., vazhdon sindromi i vdekjeve të truprojave të Hashim Thaçit”, thotë shprehet ai.

Miftari thotë se, “Raketa” ishte postier i qajtores të Gani Thaçit, duke shtuar se ai kishte ikur nga çdo betejë e luftës.

“Roja i Hashim Thaçit, Xhavit Ferizi, alias “Raketa”, postieri e haveri i qajtores (SUP-it) të Gani Thaçit para luftës, dhe haveri e milionieri i biznesve pas luftës, është i vemti ushtar i UÇK-së që e ka aresyetuar emrin e koduar që mbante, pasi ikte nga çdo betejë e luftës që zhvillohej me forcat serbe, me shpejtësinë e një rakete”, thotë Miftari.

Ai tregon tutje se si është takuar me “Raketën” në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe çka thoshte ai.

“Kur filloi bombradimi i NATO-s, e takova rastësisht në murrizat e Qyqavicës. Ishte me shumë do komandantë e gjenerala të Zonës së Drenicës. Ata ishin veshur si gjysmë civilë, pa armë të gjata... Raketa thoshte kujdes, mos luftoni, mos rrezikoni tani se është budallaki e madhe me vdekë për Kosovën, pasi NATO do ta sjellë një marrëveshje”, përfundon Naim Miftari.

“Raketa” ka vdekur në moshën 64 vjeçare. Ai është varrosur të martën në fshatin e tij.

Në varrin e Ferizit dje ishte vendosur një kurore me lule në emrin e ish-presidentit Thaçi.

“Nuk më prite edhe pak Raketë, ashtu siç më prisje”, shkruhet në kurorën me lule nga Presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa, djali i Thaçit, Endri ka thënë se “Raketa” ka qenë personi më i dashur për familjen e tyre.

“Ishte i pandashëm me babin plot 30 vjet. Ishte një prej njerëzve më të dashur të familjes. Do të jetosh përjetësisht në kujtimet tona, Raketë!", shkroi ai.

Kurse, pak muaj më parë, në nëntorin e vitit të kaluar, Hashim Thaçit i kishte vdekur edhe një truprojë.

Ilir Qallapeku, kishte vdekur në një spital të Shkupit pas një sulmi në zemër.

Edhe Qallapeku ishte për shumë vite truprojë e Hashim Thaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat