“Le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme”/ Analistët zbërthejnë deklaratën e Kurtit, tregojnë a janë reale ambiciet e opozitës

Politika

“Le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme”/ Analistët zbërthejnë deklaratën e Kurtit, tregojnë a janë reale ambiciet e opozitës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 mars 2024 Në ora: 09:58
Albin Kurti

Që nga marrja e mandatit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është biseduar për të organizuar zgjedhje.

Opozita ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje për shkaqe të ndryshme, por me kalimin e tre viteve të qeverisjes së Kurtit, pritet që zgjedhjet të mbahen në vitin e ardhshëm, sipas rregullave.

Kryeministri Kurti, i pyetur nga REL, nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme para se të përfundojë mandati, u përgjigj se nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, Kuvendi duhet të shpërbëhet.

“Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin... dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty. Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”, kishte thënë ai.

Mehmeti: Kurti duhet të jetë kryeministri i parë që e mbaron mandatin deri në fund, duke krijuar kulturën e mandatit të plotë

Analisti Faton Mehmeti, në një prononcim për "Bota sot", ka thënë se Kosova nuk është në një krizë që të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe se ambiciet e opozitës nuk do të plotësohen kurrë.

"Aktualisht, Kosova nuk është në një situatë krize që të justifikojë nevojën për zgjedhje të parakohshme, kështu që nuk ka asnjë përfitim nga kjo. Për ambiciet e opozitës, nuk ka mundësi që ato të realizohen, pasi nuk mund të vendosin rrjedhën e ngjarjeve vetëm me dëshirat e tyre dhe pa mbështetjen e Kuvendit", theksoi ai.

Sipas tij, deklarata e Kurtit ishte një rikujtim i procedurave për të organizuar zgjedhjet dhe opozita nuk ka numrat e nevojshëm në Kuvend për ta shpërbërë atë. Prandaj, sipas Mehmetit, nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.

"Kryeministri Kurti thjesht ka rikujtuar procedurat për të organizuar zgjedhjet dhe faktin se opozita nuk ka numrin e votave të nevojshëm në Kuvend për ta shpërbërë atë. Nuk ka nevojë dhe as arsye për të organizuar zgjedhje të parakohshme. Besoj se qeveria ka mbështetjen e mjaftueshme në Kuvend dhe prandaj nuk ka asnjë arsye tjetër për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Unë nuk pres të shoh zgjedhje para dhjetorit të këtij viti, që janë brenda afatit të rregullt të zgjedhjeve. Kurti duhet të jetë kryeministri i parë që e mbaron mandatin deri në fund, duke krijuar kulturën e mandatit të plotë", shtoi ai.

Maraj: Kërkesa për zgjedhje të parakohshme në Kosovë

Image
Milazim Maraj

Analisti Milazim Maraj ka bërë një analizë të gjithë partive politike që veprojnë në Kosovë.

Ai ka thënë se kauza e PDK-së ishte që "nuk do të lëshojmë asnjë milimetër në kufirin me Maqedoninë (Debellde)", por jo vetëm që lëshuan mijëra hektarë, por u angazhuan edhe për të ndryshuar kufijtë dhe për të lëshuar pjesë të tokave të Kosovës, duke i copëtuar ato më parë.

AAK, në të kundërt, bëri fushatë për të mbrojtur Çakorrin dhe Kullën, por kur erdhi në pushtet, nuk i përmendi më ato.

Në lidhje me LDK-në, Maraj thotë se ajo ka ndryshuar shumë nga rruga e Dr. Ibrahim Rugovës dhe tani po fiton vota me emrin e tij.

Sipas tij, në këtë situatë të Kosovës, vetëm VV-ja i konvenojnë zgjedhjet.

“Puna për të organizuar zgjedhje të reja fillon praktikisht atë ditë që formohet qeveria e zgjedhur. Opozita, e cila ndjek veprimet dhe lëshimet e qeverisë që udhëheq, përgatit programin e vet. Në bazë të lëshimeve dhe nevojave të reja, opozita harton kauzën e saj dhe fillon kërkesën për pushtet. Opozita e tanishme ka pasur kauza për të cilat ka fituar zgjedhjet, por për shkak të mosrealizimit të tyre ka humbur besimin e zgjedhësve. Kështu, në këtë situatë, zgjedhjet i konvenojnë vetëm VV-së dhe asnjërit prej partive opozitare”, thekson ai.

Më tej, ai thotë se opozita nuk është e gatshme të fitojë zgjedhjet, duke argumentuar se arsyet e saj nuk janë të qëndrueshme, madje edhe pas lëshimeve të tyre të reja.

“Në pamundësi të fitimit të zgjedhjeve, partitë opozitare nuk kanë bërë asnjë ndryshim, megjithëse kanë bërë lëshime të reja. Vlerësimi i thjeshtë se Albini na ka shkaktuar dëm me aleatët nuk është mjaftueshëm për të fituar zgjedhjet. Kushtet për zgjedhje demokratike nuk janë të favorshme; mund të mbahen zgjedhje, por a do të jenë demokratike, është çështje e diskutueshme. Në këtë klimë, subjektet tona politike duhet të luftojnë për pushtet, si dhe të mbrohen nga ndërhyrjet e Serbisë, Rusisë, Iranit, etj., në këto zgjedhje. Partitë tona politike, me paaftësitë e tyre në qeverisje, kanë bërë shumë lëshime.

Asnjë prej këtyre partiakave deri më tani nuk ka korrigjuar lëshimet e veta. Disa prej tyre përfshijnë: propaganda e madhe për ndërtimin e një akuze për krime lufte në Kosovë kundër Serbisë nuk është realizuar. Kauza për Kosovën si një shtet i drejtë: në Kosovë, krimet e organizuara nuk gjykohen. Për zbardhjen e rasteve të vrasjeve dhe plagosjeve pas luftës, jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por zyrat e dëshmive janë shkatërruar dhe në disa raste, edhe zyrat e mjekësisë ligjore dhe gjykatat në Kaçanik janë djegur. Kuvendi i Kosovës duket më shumë si një skenë gladiatorësh sesa institucioni më i lartë i shtetit në të cilin punojnë zyrtarët e zgjedhur tanë. Fjalimi i mençur dhe i urtë vështirë dëgjohet. Numri i veteranëve të luftës është rritur pa masë, duke i dëmtuar veteranët e vërtetë për shkak të interesave të individëve për të arritur pushtet.”

"Numri i veteranëve të luftës që kanë bërë vetëvrasje për shkak të pamundësisë për të përballuar kërkesat e tyre familjare në shtetin e lirë për të cilin ata luftuan është shqetësues, por kjo çështje e dhimbshme, komprometuese, dhe de motivuese për brezat e ri, kurrë nuk është trajtuar në Kuvend. Mësimdhënësit që nuk pranuan planet serbe u dëmtuan nga pushteti që ata sakrifikuan për të. Tani ata që pranuan planet serbe dhe penguan çlirimin e Kosovës marrin pensione të plotë. Arsimit, drejtuar nga njerëz të ndikuar ashpër nga politika, po ngrihet, por po bie për çdo vit, siç tregon testi PISSA. Kjo gjendje nuk po ndryshon për të mirë, kështu që në këtë kontekst, kush do të duhej të besohej vota?

Shpresa e shqiptarëve për të jetuar në një Kosovë të lirë dhe të pavarur ishte më e madhe para luftës se sa tani. Kush është përgjegjës për shuarjen e kësaj shprese që Serbia nuk arriti ta shuante? Në këtë situatë, VV është ende në pozicionin më të favorshëm, por duhet të punohet në:

Hartimin e programeve shkencore për zhvillimin e vendit dhe mbrojtjen e qytetarëve, duke rikthyer besimin për bashkëpunim me aleatët e natyrshëm.

Hartimin dhe artikulimin e kritikave të drejtpërdrejta, të bazuara dhe të verifikuara për lëshimet e Qeverisë Kurti.

Në zbatimin e hapa të humbur që janë bërë 25 vite pas luftës dhe në mbrojtjen e atyre që tashmë ekzistojnë. Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as opozitës, as Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat