“Është fyese t’i drejtohesh Kurtit ashtu”, profesori kritikon Escobarin për fjalorin e ashpër ndaj kryeministrit

Politika

“Është fyese t’i drejtohesh Kurtit ashtu”, profesori kritikon Escobarin për fjalorin e ashpër ndaj kryeministrit

Nga: N. Shaqiri Më: 21 mars 2024 Në ora: 20:01
Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja ka probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti dhe sipas tij, ky është problem që Kosova e ka edhe me BE-në, NATO-n, dhe madje edhe shtetet fqinje.

Pas këtyre deklaratave kishte reagime të ndryshme në Kosovë.

Një reagim për këtë e bëri edhe profesori dhe analisti politik Binak Maxharraj, i cili thotë se befasohet me këto deklarata.

Profesori thotë se Qeveria Kurti është qeveria më e mirë që e ka pasur Kosova.

Ai pyet Escobarin se pse ka problem me Kurtin dhe jo me kriminelin Aleksandër Vuçiq?

“Këtu po i ngatërroni gjërat z. Escobar. Nuk e di se a keni ju problem me Kurtin, apo Kurti me juve ndërkombëtarët. Duhet të kuptoni se Albin Kurti është një kryeministër me votën më të madhe të popullit, i cili ka popullaritet të pakontestuar për shkak të qëndrimeve të tij parimore. Kurti është i pakorruptuar, nuk është si liderët e tjerë që e kanë rjepur shtetin dhe që janë bërë milionerë”, thotë Maxharraj.

Profesori thekson se, Kurti është duke e luftuar korrupsionin dhe po angazhohet për zbatimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

“A po ju pengon kjo edhe juve që mos të ua prishë rehatinë serbëve”, pyet Maxharraj.

Profesori shton është kryesore që Kurti çdo gjë e bën në bazë të ligjit të cilin as Escobari nuk e kundërshton, por kjo sipas tij po ndodh për moskoordinim të disa çështjeve.

“Ofendime më të mëdha Kurti ka marrë pikërisht nga ju, duke e ofenduar atë, por ju nuk bisedoni me një njeri dhe një parti, por me popullin e Kosovës, me ndonjë alternative të cilën nuk mundët qe sa kohë ta gjenit dhe nuk do ta gjeni, derisa të vijnë zgjedhjet parlamentare”, potencon ai.

Por, Maxharraj beson se përsëri zgjedhjet do t’i fitojë Albin Kurti, pasi shton se populli i Kosovës nuk ka alternativë tjetër.

“Është fyese t’i drejtoheni një kryeministri ashtu, dhe nuk e di nëse ka diku në botë që një delegacion, një emisar të bisedojë me një popull të tërë, kur dihet se ai popull i ka përfaqësuesit e vet të zgjedhur në pushtet”, përfundon profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat