Avokati shqiptar komenton vizitën e Daçiqit me Lavrov/ Shuan shpresat për planet serbo – ruse ndaj Ballkanit!

Politika

Avokati shqiptar komenton vizitën e Daçiqit me Lavrov/ Shuan shpresat për planet serbo – ruse ndaj Ballkanit!

Nga: M.Haziri Më: 21 mars 2024 Në ora: 22:08
Spartak Ngjela

Gjatë ditës së sotme temë diskutimi ka qenë vizita e Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, me homologun e tij rus Sergei Lavrov për bisedime në Moskë.

Lavrov shprehu interesim për të dëgjuar vlerësimin e Serbisë për siç u tha, situatën “serioze” në Ballkan.

Kjo vizitë u komentua të jetë e rrezikshme dhe ‘alarm’ për Ballkanin dhe ndërkombëtarët.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Ai u shpreh se kjo vizitë nuk është rrezik për Kosovën as për Shqipërinë pasi janë nën mbrotjen e NATO-s.

Derisa përmend edhe fjalimet e Vuçiqit që sipas avokatit janë dëshprim në një krah dhe politikë në krahun tjetër.

Nuk mendoj se kjo vizitë mund të jetë alarmante për vendet tona: Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria është në NATO dhe Kosova ka mbrojtjen e NATO-s. Vizita e Daçiqit në Rusi është rutinë sllave, dhe asgjë më tepër për dy vendet tona... Ne shqiptarët tani më shumë, duhet të mendojmë për thellimin konkret të marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë. Duhet të kujtohemi gjithmonë se: nga marrëdhëniet e ngushta Shqipëri - Kosovë, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, forcohet shumë çështja shqiptare.

Kurse fjalimet e Vuçiqit që i krijon herë pas here për Kosovën, janë dëshpërim në një krah, dhe politikë në krahun tjetër. Ishin dhe janë ende të qarta mendimet e analizave që arsyetojnë se Kosova e pavarur është fillimi i fundit të Serbisë. Dhe kjo analizë edhe mund të qëndrojë, sepse lufta e Kosovës duhet të mendohet si fillimi i ringritjes historikë të çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kurse Serbia sot është në krizën e identitetit të saj. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë. Serbia tani e ndien se historinë e ka kundër. Por ne aq na bën”, u shpreh ai.

Avokati më tej theskon që Vuçiq nuk ka harruar çlirimin e Kosovës dhe bombardimet që iu bënë Beogradit.

Andaj sipas tij, vizita e Daçiqit nuk mund të sjellë asgjë.

Ne shqiptarët jemi në të drejtën tonë historike, dhe e kemi fituar luftën për pavarësinë e Kosovës si një gjest ndërkombëtar të një force konkrete të drejtuar nga NATO. Ja, ky është gjykimi i saktë i të vërtetës historike për pavarësinë e Kosovës. Pse, Vuçiç e ka harruar që për çlirimin e Kosovës, është bombarduar Beogradi nga NATO? E pra, çfarë mund t'i sjellë Daçiç kësaj të vërtete historike? Asgjë. Po Moska a mund të ndërhyjë në Ballkanin që sot banohet nga dy shtete shqiptare? Për të gjitha ato që thamë, kjo është një pamundësi absolute”, shpjegoi ai.

Në fund, avokati kërkon që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë një bashkëpunim të fortë mes vete duke shtuar që në të dyja politikat e të dy shteteve shqiptare në Ballkan, duhet të jemi të qartë në momentin historik i cili sot është në favor të historisë sonë.

Prandaj, ajo që duhet të bëjnë shqiptarët tani, është fillimi i një jete të përbashkët politike dhe ekonomike, shoqërore dhe historike, në kuptimin e një marrëdhënieje të re me specifika të veçanta në arsim, në zhvillimin mediatik, në art e në letërsi, në turizëm dhe, sidomos, në bashkimiet e kapitaleve në imvestimet e përbashkëta në të gjitha mundësitë me karakter ekonomik që disponojnë të dy shtetet tona.

Por, imediate është sot kërkesa për ngritjen e një universiteti të fuqishëm dhe të përbashkët Shqipëri-Kosovë; një universitet me nivel të lartë që t'i japë forcë gjuhës shqipe dhe historisë sonë shekullore, ku të bëhen analiza të thelluara të gjuhës, letërsisë dhe historisë sonë, të filozofisë, shkenave moderne dhe historisë së Evropës dhe vetë Ballkanit; sepse shqiptarët sot janë bash në kohën e tyre kur u duhet të ngrenë në një nivel të lartë botëkuptimin modern historik të shqiptarisë.

Dhe, është pikërisht kjo tablo e historisë aktuale të shqiptarisë në zhvillim, ajo që ka shqetësuar sllavët.

Kurse ne shqiptarët, në të dyja politikat e të dy shteteve shqiptare në Ballkan, duhet të jemi të qartë në momentin historik i cili sot është në favor të historisë sonë”, përfundoi avokati Spartak Ngjela për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat