Deklarata për Rugovën e UÇK-në/ Vjen kundërpërgjigja ndaj Xhavit Halitit dhe Baton Haxhiut

Politika

Deklarata për Rugovën e UÇK-në/ Vjen kundërpërgjigja ndaj Xhavit Halitit dhe Baton Haxhiut

Nga: P.Rudi Më: 22 mars 2024 Në ora: 18:04
Ibrahim Rugova

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ditë më parë tha se një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shkuar në Uashington duke i kërkuar presidentit amerikan Bill Clinton që të mos e njohin UÇK-në.

Ka pasur përpjekje shumë të mbrapshta të institucioneve të Kosovës që kanë shku në Uashington te presidenti Clinton i kanë kërku që të mos e njohin UÇK-në”, tha Haliti. E në të njëjtin emsionion prezent ishte edhe Baton Haxhiu, i cili përmendi me emra, ata që sipas tij kishin kërkuar që mos të njihej UÇK-ja.

Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, deklaroi Baton Haxhiu.

Por sipas Saim Tahirajt, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt, deklaratat e Halitit dhe Haxhiut janë skandaloze dhe burojnë nga urrejtja që këta dy të fundit kanë ndaj figurës së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Deklarata të tilla skandaloze kanë ardhur në vazhdimësi nga këta persona dhe krahu i tyre në LPK. Nuk duhet të na çuditin sepse këto burojnë nga një urrejtje patologjike që kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë ndaj Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Baton Haxhiu dihet tani publikisht se kujt i ka sherbyer, është demaskuar plotësisht në Tribunalin e Hagës përballë kryekriminelit Millosheviq”, shprehet Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj

Siç thotë ai, deklarata të tilla që vijnë nga Haxhiu dhe Haliti janë normale, sepse janë dy personalitete të kundërta me Ibrahim Rugovën.

Deri sa Presidenti Rugova dha çdo gjë për Lirinë e popullit, shtetformimin dhe shtetndërtimin, Batoni ishte në anën e kundërt. Për ta arsyetuar pozicionin e vet, normal se duhet sulmuar Presidenti Rugova. Pozicioni i Xhavit Halitit dhe krahut të tij në LPK, dihet botërisht se ishte kundër Presidentit Rugova dhe politikës së tij në mënyrë ekstreme. Na kujtohet të gjithëve deklarata e tij kërcënuese nën uniformën e UÇK-së dhe i maskuar. Në atë intervistë kur kërcënoi Presidentin Rugova me ligje të luftës, e në fakt ai ishte vet ligji. Këta nuk mundë të ndryshojnë qëndrimin ndaj Presidentit Rugova, sepse vet rrugëtimi i tyre, vet ideologjia e tyre e ka brymosur urrejtjen patologjike përjetësisht ndaj tij”, deklaron Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, qëndrimet e presidentit Rugova dhe të profesor Aganit dihen botërisht ndaj ushtrisë së Kosovës.

Ata ishin vet themeluesit e saj, këtë e dëshmojnë dhe vërtetojnë shumë fakte, argumente dhe dokumente. Kurrë nuk ka akuzuar askënd Presidenti Rugova edhe pse iu vranë shumë bashkëpunëtorë, e aq më pak UÇK-në. Përkundrazi e ka mbrojtur çdo herë dhe në çdo takim, kujtojmë vetëm paraqitjen e tij në Tribunalin e Hagës. Kush e mbrojti më mirë UÇK-në se Presidenti Rugova në përballje me kryekriminelin Millosheviq? Ndërsa për profesor Aganin dihet se ai ishte vet truri i Ushtrisë së Kosovës, le të kujtojmë takimin me Hollbrukun në Junik në kohë lufte. Ai takim, falë profesor Aganit bëri kthesë të madhe në qëndrimin Amerikan dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj UÇK-së. Kurse sa i përket Bukoshit, ka qenë bashkëpunëtor i tij. Le të tregojë vetëm sa para i ka marrë nga Bukoshi në emër të luftës?”, shpjegon Saim Tahiraj.

“Të gjitha këto shpifje dhe trillime janë të dështuara që në fillim, populli i Kosovës e di të vërtetën dhe vlerëson lart figurën e Presidentit Rugova dhe profesor Aganit. Xhavit Haliti le t’i len këto trillime që nuk i beson askush, më mirë le të dëshmojë nëse di në Gjykatën Speciale për të gjitha ato vrasje të bashkëpuntorëve të Presidentit Rugova. Ky ka pasur njërin ndër rolet më të rëndësishme në drejtimin e shtabit të LPK-së gjatë luftës në Kosovë, andaj mund të ketë informacione që e ndihmojnë Gjykatën Speciale”, përfundon për “Bota sot” ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat