Haradinaj nuk i “ndahet” Kurtit, bëri akuza të rënda për korrupsion ndaj qeverisë – vjen një parashikim i keq për AAK-në!

Politika

Haradinaj nuk i “ndahet” Kurtit, bëri akuza të rënda për korrupsion ndaj qeverisë – vjen një parashikim i keq për AAK-në!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 mars 2024 Në ora: 08:02
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj njihet si një nga kritikuesit më të zëshëm të qeverisë Kurti.

Ai në vazhdimësi komenton dhe kritikon kryeministrin e vendit, ku duket se ka një mllef, me gjithë këto akuza ndaj të parit të qeverisë.

Madje, se fundi bëri disa akuza të rënda ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.

Haradinaj tha se kjo Qeveri është ndër Qeveritë më të korruptuara në historinë e Kosovës.

“Kurti veç është në fundin e mandatit të vet, është çështje e dakordimeve sesi do të rrjedh procesi, do të mbahet mend për një qeveri që nuk i ka sjellë suksese Kosovës por që ka bërë kthim mbrapa në shumë çështje serioze. Është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova. Asnjëherë në histori të Kosovës nuk ka pasur qeveri që ka pasur kontrata kaq të shumta njëburimore”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, kjo bazuar në qasjen dhe qëndrimet ndaj kryeministrit dhe qeverisë sonë.

Mirëpo, nuk dihet se sa mund të jenë të qëndrueshme akuzat për korrupsion, kur vijnë nga një politikan si Haradinaj, kur dihet e kaluara e tij politike.

Qarri: Opozitës i ka rënë tërësisht vlera

Image
Gani Qarri

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Se pari, kritikoi opozitën në përgjithësi që po e sulmojnë Kurtin, duke thënë se misioni i vetëm i tyre.

Disa shqipfolës naiv, veçanërisht, ata të cilët e konsiderojnë veten si njerëz të zanatit politik, duket të jenë të lindur me defektin gjenetik të urrejtjes, ndaj dhe misioni i tyre i vetëm në jetë, është përfolja, zilia, fyerja dhe përbuzja për të arriturat e të tjerëve, të cilat duan t’i shohin vetëm zi dhe t’i keqpërdorin për të mbuluar bëmat e veta degraduese.

Duke njohur veprimet e opozitës, në kohën sa ishin në pushtet, kur në veri, sundonin bandat kriminale dhe grupet terroriste serbe, zhvillohej lirshëm kontrabanda e mallrave, armëve, narkotikëve etj, bëhej shpëlarja e parave të pista dhe kryeterroristët si Milan Radoiçiqi, priteshin me nderimet më të larta zyrtare, edhe në zyrat e kryeministrisë së shtetit të Kosovës, nuk besoj se ka më shqiptar, me dy fije mend në kokë, që do t’i votonte, as dëshironte që njerëz të tillë, ruana Zot, të riktheheshin përsëri në pushtet”, deklaroi analisti.

Krahas kritikave të opozitës, Qarri tha se kur ajo vjen nga një politikan si Haradinaj bëhet qesharake dhe e pabesueshme, pasi askush nuk dëshiron ta ketë afër vetes.

Opozitës i ka rënë tërësisht vlera, madje nëse mund të krahasohet me gjërat e konsumeve të kuzhinës, ajo është bërë më kutërbuese, se turshia në pranverë, të cilën, njeriu kërkon vend për ta hedh sa më larg, nga shtëpia, që ambienti familjar, të çlirohet nga kutërbimi i erës së kalbësisë!

Mjerisht është shumë tragjike, kur edhe sot, mbi 25 vite, pas çlirimit nga Serbia, shesh se si opozita e çthurur, naive dhe totalisht e pareformuar, me predikimet e paturp, se dëshiron t'i bëjë dëme Albin Kurtit, e dëmton vendin, shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e qytetarëve tanë, e cila në emër të mbështetjes së emisarit pro serb latino-amerikan Gabriel Escobar, i del hapur, në krah Serbisë dhe ndihmon realizimin e interesave serbe në Kosovë.

Madje edhe kritika e njëmendtë, bëhet më shumë, se qesharake dhe fare e pabesueshme, kur vije nga njerëz si kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilin shihet publikisht, se askush në politikën aktuale, nuk dëshiron ta ketë afër vetes, e nuk e duan as në koalicion, siç veproi së fundi edhe Lumir Abdixhiku”, theksoi ai.

Më tej, analisti tha se kritika se “qeveria Kurti është më e korruptuara që ka pasur ndonjëherë Kosova” nuk qëndron aspak, dhe se bazuar në këtë mund të thuhet se kritikës i ka humbur vlera.

Madje, potencoi se Haradinaj nuk ka kompetencë të akuzojë për korrupsion për shkak të historisë së tij politike.

“Për ta kuptuar më mirë se çfarë ka mbetur krejt, nga e ashtuquajtura AAK, shiheni vetëm, kush ka ngelur të hyj në koalicion me AAK-në, si "Nisma" ish parti, e rënë qëmoti edhe nën pragun zgjedhor dhe me një kryetar i cili është i futur edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve, si Fatmir Limaj, ku i bënë shoqëri edhe vëllai i Ramushit, ndaj nëse vërtetë edhe ky njeri ka fytyrë ta kritikojë Qeverinë aktuale, se është “më e korruptuara që ka pasur ndonjëherë Kosova", atëherë vërtetë edhe kritikës i paska humbur tërësisht vlera dhe paska degjeneruar deri në devalvim total, sa që u dashka përjashtuar tërësisht nga fjalori dhe klasifikimet në të shprehur.

Haradinaj është ndër personat më të paduhur për të bërë akuza për korrupsion dhe vlerësime për ndershmëri, kur dihet botërisht se jo rrallëherë në të kaluarën qeveritë në të cilat ka qenë apo edhe i ka udhëhequr ai, kanë qenë të varura nga "lista serbe" dhe janë përfshirë jo vetëm në shumë e shumë afera korruptive, por edhe në ato kriminale, duke i falur 8300 hektar tokë të Kosovës, Malit të Zi, bashkëpunuar publikisht me Milan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe bashkëpunëtorët e tyre, si dhe paguar firma të huaja, për ndarjen e Kosovës, me paratë e taksapaguesve të vendit tonë etj!” – përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Ramushi po thotë gjëra të pavërteta

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se krytari i AAK-së po flet gjëra të pavërteta.

Madje, tha se me këtë qasje dhe këto deklarata, qytetarët nuk e besojnë edhe më hiq Haradinajn.

“Kur flet pa fakte quhet gënjështër, pra Ramushi po thotë gjëra të pavërteta. Deklarata të tilla pa asnjë të vërtetë shpërfaqin arysen pse AAK është në opozitë sepse qytetarët nuk besojnë tek ajo. Me veprime të tilla janë aty ku janë e fatkeqeisht nuk kanë reflektuar për t’u përmisuar por veç se kanë vazhduar me të njëjtin avaz”, nënvizoi analisti.

Po ashtu, tha se Haradinaj nga inati për sukseset e qeverisë, ka vendosur ta sulmojë kryeministrin Kurti.

“Raportet ndërkombëtare thonë se Kosova ka shënuar përparim në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, derisa AAK i ka nga inati sulmet ndaj qeverisë. Me të tilla veprime kurrë nuk rritën, mbase edhe tkurrja e AAK ka shqetësuar aq shumë kreun e saj, sa gjërat që vet i kanë bërë po ia adresojnë dikujt tjetër. Fatkeqësisht, AAK s’po këndellet, veç se po vazhdon shuarjen e saj të pashmangshme”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat