25 vjet nga bombardimi i NATO-s: Kujtohet dhe vlerësohet lart një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës

Politika

25 vjet nga bombardimi i NATO-s: Kujtohet dhe vlerësohet lart një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 mars 2024 Në ora: 10:30
Bombardimet e NATO-s

Sot u mbushën 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër qendrave ushtarake dhe policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet do të fillonin në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s hodhën bombat e para ndaj pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, të njohura si dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan një fjalimin historik, duke njoftuar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillojë operacionin ushtarak, si mundësi e vetme për të mbyllur konfliktin në Kosovë.

"Në bashkëpunim me Aleanca e NATO-s, kemi bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci dhe Bosnjë, ka zgjedhur rrugën e agresionit në vend të paqes," tha presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e njohur edhe si kapitullimi i Millosheviqit, dhe më 11 qershor forcat armike filluan të tërhiqen nga Kosova.

Ky ishte intervenimi ushtarak i parë i NATO-s që nga themelimi i saj, i njohur gjithashtu si një intervenim historik.

Hoxha: UÇK ishte e obliguar të zhvillon luftë guerile

Image
Hafir Hoxha

Duke i kujtuar bombardimet e NATO-s, ish-ushtaraku i UÇK-së, Hafir Hoxha, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ndaj Kosovës u bë luftë e padrejtë nga regjimi kriminal serb. 

Sipas tij, Kosova ishte e obliguar të zhvillonte një luftë guerile, me grupe të vogla ushtarake sulmuese kundër forcave serbe.

Në anën tjetër, ai thotë se Serbia ishte e përgatitur dhe e organizuar, kishte edhe kuadra profesionale.

Por, gjithnjë morali dhe gatishmëria e popullit të Kosovës për ta mbrojtur dhe për ta mbështetur UÇK-në ishte e jashtëzakonshme.

 “Tani pra më 24 mars po bëhen 25 vite nga fillimi i sulmeve ushtarake të NATO-s kundër ushtrisë serbe  që ishte në Kosovë duke zhvilluar luftë kundër popullit shqiptarë si dhe ndaj ushtrisë serbe në Serbi e cila mbështeste njësitet e veta që zhvillonin luftën e ndyrë ndaj popullit të Kosovës ku UÇK u mundonim me fuqitë tona të mbrojmë popullatën civile dhe t’i kundërvihemi me luftë ushtrisë serbe .

Ishte luftë e pa drejtë dhe tejet e vështirë për UÇK-në me vet faktin sepse UÇK ishte strukturë që u formonte nga luftëtarët vullnetar shqiptarë brenda në Kosovë, por edhe një numër i madh i tyre vinim nga diaspora, nuk kishim eksperiencë luftarake, nuk kishim kuadra të mjaftueshme profesionale ushtarake për mobillizim, planifikim, organizim dhe trajnim të atyre luftëtarëve vullnetarë, kishim mungesë të armatimit, municionit dhe të logjistikës ushtarake në tërësi.

UÇK ishte e obliguar të zhvillon luftë guerile, pra me grupe të vogla ushtarake sulmuese kundër forcave serbe të cilat zhvillonin luftë të ndyrë dhe u hakmerreshin në popullatën civile shqiptare aty ku sulmonin njësitet e UÇK-së, e për tu shmangë viktimave civile UÇK shumë herë edhe pse kishim forca ushtarake dhe mundësi për të sulmuar ishim të detyruar të mos sulmojmë.

Ushtria serbe ishte mirë e organizuar, kishte kuadro profesionale por edhe shumë njësite paramilitare që plaçkitnin, dhunonin dhe dëbonin popullatën civile shqiptare nga trojet e veta.

Morali dhe gatishmëria e popullit të Kosovës për ta mbrojtë dhe për të mbështet UÇK-në ishte jashtëzakonisht i madh dhe çdo ditë sa vinte dhe u rritke numri i luftëtarëve të UÇK-së, e që seriozisht shkaktonin dëme dhe humbje ndaj forcave serbe”, rrëfen ai.

Më tej, Hoxha tregon, se ushtria serbe nisi të vrasë e dëbojë shqiptarët për në Maqedoni e Shqipëri dhe në pa mundësinë e UÇK-së që të mbrojë popullatën civile dhe t’i ndalë krimet, NATO u detyrua të marrë vendim kundër ushtrisë serbe për të ndalë krimin dhe gjatë 78 ditëve të bombardimeve arritën të detyrojnë ushtrinë të largohet nga Kosova.

E këtë detyrë, të mbrojtjes e ka edhe sot NATO në Kosovë.

“Edhe pse UÇK do ditë ishte në përforcim e sipër, ushtria serbe filloi masivisht zhvillim spastrim etnik dhe të dënon popullatën civile drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë duke djegë pronat e tyre, duke vrarë, dhuruar dhe masakruar civilë të pafajshëm, në pa mundësinë e UÇK-se qe të mbron popullatën civile dhe t’i ndalë krimet serbe ndaj tyre NATO pikërisht një vit më vonë që kur filloi lufta u detyrua dhe mori vendim që ushtarakisht të intervenon kundër ushtrisë serbe për të ndalë krimin dhe gjatë 78 ditëve të bombardimeve arritën të detyrojnë ushtrinë serbe të kapitullon dhe më 9 qershor u bë marrëveshja dhe me 11 qershor 1999 hyri në fuqi që ushtrinë serbe të largohet nga Kosova, në të njëjtën kohë në marrëveshjen e Kumanovës u vendos që edhe UÇK të çarmatoset dhe të shpartallohet ku ajo strukturë u shndërrua në Trupa Mbrojtëse të Kosovës që ishin në uniformë por të pa armatosur dhe nuk ishin ushtri.

Detyrën për mbrojtje dhe siguri të Kosovës e mori NATO ku ende edhe sot ata e kanë atë detyrë edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë më 17.02.2008 dhe ende nuk kemi ushtri por forcë të sigurisë me armatim të lehtë dhe nuk ka kapacitet ende të ketë fuqi që të kujdeset për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës”, shpjegon ai.

Në fund, ai thotë se Serbia ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe as nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, me këtë BE-ja dhe NATO duhet ta shpartallojnë Serbinë.

Me gjithë, rezistimin që Serbia po bën dhe po provokon Kosovën dhe NATO- n që ka përgjegjësi, detyrë për ruajtjen e stabilitet në rajon, ka gjasa që përsëri të ballafaqohet me forcat e NATO-s.

“Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e në të njëjtën kohë Policinë e Kosovës dhe FSK -në i konsideron si grupe ilegale të armatosura dhe mundin të jetë si pretekst ose arsye që të intervenon edhe ushtarakisht e të futet deri në ato pika ku pretendon të formohet bashkësia e komunave serbe, e saktësisht në veri të Kosovës.

Kaluan 25 vite dhe SHBA, BE ende nuk arritën të bëjnë marrëveshjen me Serbinë që ajo të bëhet pjesë e BE dhe e NATO-s ku detyrë kryesore është ende shpartallimit të ish Jugosllavisë dhe futja e të gjitha shteteve të vogla të reja në BE dhe në NATO dhe të largohet prezenca dhe ndikim rus në Ballkan .

Derisa Serbia nuk bëhet pjesë e BE dhe e NATO-se kapitulli i shpartallimit jugosllav nuk mbyllet.

Serbia ende po reziston dhe po armatoset fuqishëm me Kinën dhe Rusinë e nëse vazhdon të sillet kështu dhe provokon Kosovën dhe NATO- n që ka përgjegjësi, detyrë për ruajtjen e stabiliteit në rajon. Ka gjasa që përsëri të ballafaqohet me forcat e NATO-s ku Serbia pastaj do të humbë shumë. Politika konstruktive e Kosovës, pro-evropiane dhe pro-amerikane duhet të jetë që tu ndihmon atyre që ta fusin Serbinë në BE dhe në NATO .

Sa herë punon Kosova ndryshe nga ky synim ajo dëmton seriozitetin e saj me partnerët tanë”, deklaron ai.

Kelmendi: 24 marsi i vitit 1999 është datë historike për Kosovën

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelemndi thotë se bombardimet ishin të domosdoshme sepse gjendja ishte shumë e rëndë në Kosovë, ku ushtria serbe vepronte me dhunë të ashpër fashiste.

“Bombardimet e NATO-së që filluan më 24 mars të vitit 1999 ishin domosdoshmëri e gjendjes së rendë dhe gjenocidiale të krijuar në Kosovë nga forcat serbe. Forcat militare, policore dhe vullnetare serbe bënin terror dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar.

UÇK ishte forca ushtarake që luftonte për çlirimin e vendit. Në këtë veprimtari çlirimtare UÇK ishte e pa barabartë me forcat okupuese serbe. Dhuna gjenocidiale ishte e rëndë. Serbia vepronte me dhunë të ashpër fashiste. Masakronte fëmijë dhe gra, nëna, pleq edhe foshnje në djep. Përdhunonin burra dhe femra shqiptare. I tërë kombi shqiptar ishte në dëbim. Gjendja ishte e rëndë”, thotë ai.

Tutje, ai kujton se me bombardimin e NATO-s u çlirua vendi.

Sipas tij, sa është KFOR në Kosovë, paqja dhe vet Kosova ka garanci nga NATO.

“Bombardimet filluan me 24 mars të vitit 1999. Me bombardimet e NATO-s rreth 3 muaj, si dhe me luftën heroike të UÇK-së u çlirua vendi. Ushtria dhe forcat tjera kriminale dhe gjenocidiale serbe u dëbuan me dhunë nga Kosova. U vendos misioni i NATO-s, KFOR. Kjo ishte një ndërhyrje ushtarake e NATO-s për të mbrojtur popullin shqiptar nga gjenocidi. Ai është aksion që Kosova kurrë nuk e harron.

 Përkujtohet për çdo vit me krenari dhe me respekt në Republikë. Do të mbetet 24 marsi i vitit 1999, kur ndërhyri NATO me bombardime të caqeve serbe, në historinë e Kosovës, ngjarje e paharruar. Por, përkujdesja e NATO-s vazhdoj. KFOR-i u vendos në Kosovë si forcë ushtarake. Kosova e shpalli pavarësinë. Po ndërton Republikën e pavarur dhe sovrane. Edhe sot gjendet KFOR-i në detyrën e ruajtjes së paqes dhe të lirisë së Kosovës.

Sa është KFOR në Kosovë, paqja dhe vet Kosova ka garanci nga NATO. Mbetet të punojmë dhe të angazhohemi që së bashku me NATO-në të përkujdesemi për lirinë e fituar në vitin 1999. Këtë duhet të ruajmë si sytë e ballit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat