Profesori nga Presheva jep alarmin: Serbia po përgatitet për luftë, dëshiron të krijojë pakënaqësi edhe te hungarezët, shqiptarët...!

Politika

Profesori nga Presheva jep alarmin: Serbia po përgatitet për luftë, dëshiron të krijojë pakënaqësi edhe te hungarezët, shqiptarët...!

Nga: A.SH Më: 24 mars 2024 Në ora: 15:16
Ushtarë serbë

Se Serbia po përgatitet për luftë, këtë e thotë edhe profesori nga Presheva, Refik Hasani.

Serbia më parë ka thënë se do ta rikthejë ligjin e detyrueshëm ushtarak, kurse këto ditë janë publikuar pamjet ku shihet ushtria serbe afër kufirit me Kosovën.

Hasani në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Serbia po përgatitet për luftë duke e rikthyer në fuqi ligjin për detyrimin ushtarak.

Madje, ai thotë se ky ligj ishte pezulluar në vitin 2011, por duke pasur parasysh ambicet për dominim ajo ka rikthyer sërish atë ligj.

“Serbia kishte hequr dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak më 1 janar 2011, përmes një ligj filloi së zbatuari pezullimim e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dhe nga ajo kohë nuk ishte shërbim të detyrueshëm.

Duhet kujtuar opinionin se sivjet në Serbi flitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, inicoi zyrtarisht këtë inciativë ligjërisht në muajin janar.

Dhe, është parashikuar deri më datën 1 maj ky institucion së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes duhet t’i dorëzojnë presidentit Aleksandër Vuçiq të gjitha propozimet për modelin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Dihet mirëfilli se Serbia, ka pretenduar të dominoj në federatën e Jugosllavisë, e pastaj kishte plane për mbajtjen nën kontroll të Sllovenisë, ka luftuar për pushtimi e disa pjesëve të Kroacisë, ka luftuar dhe vazhdon të kenë plane për kontroll në Bosnjë Hercegovinë, ka luftuar në Kosovë etj”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia gjithnjë po vazhdon me plane pushtuese e kolonizuese në shtrirjen e territorit të Kosovës, dhe jo vetëm.

“Serbia gjithnjë po vazhdon të ushqej e helmoj popullin e vetë, vazhdon të synoj me plane pushtuese, kolonizuese edhe shtrirjen në territoret e Kosovës, të Bosnjë e Hercegovinës, Mali të Zi. Me një sërë platformash, dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada.

Përkundër këtyre luftërave dëshiron të kërcënon stabilitetin e ish-Republikave të RSFJ-ës, veçmas kërcënohet Republika e Bosnjë Hercegovina dhe Republika e Kosovës, pa harruar edhe Republikën e Malit të Zi dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndaj Serbisë, është dashur në kohë të përpilohen dhe dorëzohen padi, në Gjyqin Ndërkombëtar, nga Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, dhe Kosova”, shprehet ai.

Në fund, ai thotë se me gjitha këto që po i bën Serbia janë fund e krye përgatitje për luftë.

Ai shton, se përmes rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dëshiron të krijoj pakënaqësi edhe te hungarezët, shqiptarët, bullgarët, boshnjakët, rumunët dhe gjithë pakicat tjera.

“Serbia njihet si agresore dhe vetëm kur ishin gjykuar gjenocidi dhe krimet e luftës, duke kalkuluar dëmet e shprehura në valutën € apo në valutën $, në miliarda, bilion e trilion.

Dëme të shkaktuara, vetëm në këto rrethana Serbia, nuk i kishte shkuar mendja për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Serbisë, kur në momentin historik është e armiqësuar me shtetin e Kroacisë, shtetin e Bosnjë e Hercegovinës, shtetin e Kosovës.

Vazhdon të shpreh haptas pretendimin, manifeston publikisht forcën ushtarake, përgatitet ushtarakisht dhe tani është në përgatitje intensive për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, kjo është fund e krye se po përgatitet për luftë.

Serbia, përmes rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, dëshiron të krijoj pakënaqësi edhe te hungarezët, shqiptarët, bullgarët, boshnjakët, rumunët dhe gjithë pakicat tjera.

Instanca e mekanizma të BE-së, pasi nuk kanë insistuar që Serbia të heqë nga preambulla e Kushtetutës, përfshirjen e shtetit të Kosovës, nëse nuk monitorohen e nëse nuk saksionohet Serbia, do të hapë një kapitull të ri konflikteve në këto hapësira”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat