“Projekti 5000 i Serbisë” ndez alarmin në Ballkan/ Ekspertët “tregojnë” synimet e Vuçiqit me rritjen e numrit të ushtarëve

Politika

“Projekti 5000 i Serbisë” ndez alarmin në Ballkan/ Ekspertët “tregojnë” synimet e Vuçiqit me rritjen e numrit të ushtarëve

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 25 mars 2024 Në ora: 14:36
Foto ilustrim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar një raport në të cilin shqyrton zgjerimin e forcave speciale ushtarake nën “Projektin 5000” të Serbisë dhe pasojat e tij të mundshme në paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Nisma “Project 5000” synon të forcojë forcat speciale serbe, duke e rritur numrin e tyre nga 1500 në 5000. Ky zgjerim ambicioz ngre shqetësime kritike në lidhje me ndryshimin e ekuilibrit ushtarak dhe rrezikun e rritur të tensioneve rajonale.

Raporti shtjellon degëzimet gjeopolitike, duke theksuar sfidën e projektit ndaj interesave strategjike të NATO-s dhe implikimet e tij për peizazhin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Kërcënim për sigurinë në rajon

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala “Projekti 5000” i Serbisë për Ushtrinë e saj është projekt që ka një qëllim politik, një qëllim ushtarak dhe një kërcënim sigurie për rajonin.

Image
Drizan Shala

“Me datën 13.01.2023, në qëndrimin politik të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, se projekti në fjalë është iniciativë politike për ruajtjen e ekuilibrit të fuqisë ushtarake dhe politike të Serbisë nga ndryshimet që po ndodhin (dhe do të ndodhin). Duke ndërtuar bazat e reja ushtarake në pjesën veriore të Serbisë (Vojvodina - kjo bëhet për të ndaluar çdo surprizë nga aleanca e NATO-s si dhe në pjesën e Serbisë Qendrore dhe Lindore për të mbajtur nën kontroll dy pika strategjike të interesit të saj dhe synimin ushtarak/politik. - Kosova Lindore dhe Republika e Kosovës”, shprehet Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia po synon modernizimin e ushtrisë së saj, duke përfshirë edhe blerjen e dronëve të ndryshëm.

“Me datë 25.05.2023, Sipas Ministrit të Mbrojtjes se Serbisë, për t'iu përgjigjur sfidave dhe kërcënimeve bashkëkohore të sigurisë kërkon investime të konsiderueshme në armë dhe pajisje ushtarake dhe në këtë drejtim janë bërë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit duke jetësuar projektin 5000 ushtar për të shërbyer në Forcat Speciale Serbe. Me datë 14.03.2024 , Serbia ka shprehur dëshirën e saj për të nxitur një modernizim më të shpejtë ushtarak, duke përfshirë blerjen e dronëve të ndryshëm dhe zhvillimin e teknologjive vendase UAV (Presidenti i Serbisë). Gjatë një vizite në Institutin Teknik Ushtarak të vendit në Beograd (MIT) javën e kaluar, Vuçiq u kërkoi ekipeve të përshpejtonin zhvillimin e UAV-ve dhe deklaroi se qeveria do të investonte më shumë para për të punësuar staf shtesë për të siguruar që këta avionë të hyjnë në shërbim nga fundi i vitit”, thekson Shala.

“MIT i vendit ka zhvilluar bashkërisht UCAV me shumë role Pegasus me Korporatën e Shkencës dhe Teknologjisë së Hapësirës Ajrore të Kinës (CASC). Serbia ka blerë gjithashtu dronin me krahë fiks FH-92 të ndërtuar nga CASC, duke hedhur dyshime mbi neutralitetin e shpallur të vendit”, shton Shala.

Për fund, Shala ka treguar dhe synimet që ka Serbia përmes ““Projektit 5000”.  

“Investimet në pjesën e komponentit të strukturave speciale ushtarake në rritje. Investimet në teknologjinë ushtarake, veçanërisht dronët dhe sistemet kundër raketave, etj. Investime në baza të reja ushtarake brenda territorit të saj. Investimet e garantuara nga pozicionimi i saj në konfliktin Rusi-Ukrainë për plotësimin e kësaj të fundit me municion etj. Pavarësia në pjesën ekonomike duke u fokusuar në gazin e linjës së re nga Azerbajxhani”, përfundon eksperti Drizan Shala.

Serbia po përgatitet për luftë

Kurse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot” thotë se Serbia në vazhdimësi po përgatitet për luftë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Jo vetëm Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, por edhe autoritet shtetërore, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, si edhe përfaqësues e ekspertë ndërkombëtarë kanë bërë me dije se Serbia përgatitet për luftë në Ballkan. Në fakt është vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ai që çdo ditë kërcënon sidomos Kosovën me agresion ushtarak. Para pak ditësh tha se shembulli i Nagorni Karabakut në Azerbajxhan e bën optimist. E tha këtë në kuptimin se ashtu siç priti Bakuja për këtë rajon të banuar me armenë, edhe Serbia po pret momentin ta “rikthejë” Kosovën nën sovranitetin e saj”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Shumëfishimi i forcave speciale të Serbisë është rrezik shumë i madh për rajonin.

“Megjithatë Vuçiq përgatitet për luftë. Ta ngresh numrin e forcave speciale nga 1500 veta në 5000 gjithsej, siç thotë instituti në fjalë, është më shumë se përgatitje për luftë. Shumëfishimi i forcave speciale të Serbisë është rrezik shumë i madh. Sepse në një agresion pushtimi kundër Kosovës ose kundër Malit të Zi apo Bosnjë-Hercegovinës, trupat e zakonshme e kanë shumë të vështirë të kenë sukses. Avantazhi në mbrojtje ndaj një ushtrie normale është shumë më i madh sesa i forcave ushtarake në sulm. Vetëm forcat speciale mund të kryejnë aksione që mund të kenë sukses në një sulm ushtarak. Kjo është arsyeja pse Serbia kërkon një ushtri elite”, përfundon Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat