Forcat serbe afër kufirit të Kosovës/ Analisti tregon cili është qëllimi i Vuçiqit, tregon a ka rrezik?

Politika

Forcat serbe afër kufirit të Kosovës/ Analisti tregon cili është qëllimi i Vuçiqit, tregon a ka rrezik?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 25 mars 2024 Në ora: 22:38
Forcat serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë, ka publikuar një video ku shihen pjesëtarë të Ushtrisë së Seribë disa metra larg kufirit të Kosovës.

Ai ka thënë se pamjet janë bërë gjatë ditës së mërkurë, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Kurti ka thënë se këto pamje vijnë disa ditë pas kërcënimit të presidentit serb Vuçiq.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar Kurti.

Në lidhje me forcat serbe afër kufirit të Kosovës, ka folur profesori dhe juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se, forcat serbe janë në gatishmëri në rast se ndodhë diçka me serbët e veriut.

Sipas tij, ato forca janë që merren me vëzhgim dhe monitorim të gjendjen.

Ai tutje shprehet se presidentin serb Aleksandër Vuçiq i nevojitën për konsumim politik.

“Këto janë forca shëtitëse poshtë e lartë me qëllim të tregimit të gatishmërisë në rast se ndodhë diçka me serbët e veriut, për më tepër merrem me blof se sa me përdorim të forcës. Këto trupa serbe janë trupa që merren me vëzhgimin dhe monitorimin e gjendjes. Mendoj që janë të panevojshme e shpeshherë duken qesharake, por sidoqoftë Vuçiqit i vyen për konsum të brendshëm politik”, shprehet profesori.

Ai tutje shprehet se nuk ka rrezik prej tyre.

“Këto gjëra dhe udhëtime edukative, sportive e taktike janë thjeshtë për të arsyetuar vetën Vuçiqi që nuk është thjesht spektator. Pra rrezik nuk ka, por ka herë pas here kështu për të krijuar një fotografi angazhimi”, përfundon profesori Burjani.

Ndryshe, Kurti të mërkurën ka thënë se janë të vetëdijshëm për aktivitetet e forcave serbe të cilat po i përdorin për të shkaktuar provokime, duke shtuar se ofrimi i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat