“Sulm mbi Kosovë dhe jo vetëm”/ Vjen thirrja urgjente për NATO-n, BE-në dhe SHBA-në: Nëse Serbia nuk ndalet...

Politika

“Sulm mbi Kosovë dhe jo vetëm”/ Vjen thirrja urgjente për NATO-n, BE-në dhe SHBA-në: Nëse Serbia nuk ndalet...

Nga: M.L. Më: 26 mars 2024 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Javën që lamë pas termi “luftë” ishte ndër fjalët më të përdorura në media përsa i përket jetës politike në Kosovë.

Gjithçka nisi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili njoftoi së fundmi Perëndimin me një paralajmërim që ka të bëjë me zgjedhjen midis Kosovës dhe Serbisë, sipas tij.

Në një paraqitje në një akademi, Vuçiq ka lënë të kuptohet se nëse Perëndimi vendos të favorizojë Kosovën, ata do të përfitojnë nga kjo situatë, në një mënyrë të ndryshme nga përvoja e treguar 25 vite më parë.

"Për ne nuk është problem nëse ata ju duan ata dhe nuk na duan ne, nëse ata ju preferojnë ata, ata nuk do të na kenë ne. Në qoftë se ata ju preferojnë ata dhe doni të ndihmoni ata, ne do të mbijetojmë! Por ne jemi mjaft të arsimuar, të mençur dhe guximtarë, dhe kemi mjaft përvojë dhe përvojë pas të gjitha atyre që keni bërë për ne në 25 vitet e kaluara. Ne presim momentin e duhur dhe do ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë", tha Vuçiq.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti publikoi të enjten në mbrëmje pamje të njësive të specializuara të ushtrisë së Serbisë, që sipas tij janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

"Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, kishte shkruar kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se, Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Duke i komentuar këto zhvillime, juristi Muhamet Kelmendi ka thënë për gazetën “Bota sot” se Serbia duhet të ndalet tash!

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi u ndal pak në histori për të shpjeguar rrjedhën e vazhdueshme të agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës.

“Serbia është shtet militar. Si i tillë është ndërtuar gjatë historisë dhe ka pikëpamje raciste ndaj shqiptarëve. Pikësynimi i Serbisë është ripushtimi i Kosovës dhe serbizimi i tërë hapësirës së saj. Serbia e do Kosovën pa shqiptarë dhe vetëm me serbë. De facto çdo ideologë dhe udhëheqës serb, nga koha që historia i njeh, kurrë nuk janë larguar nga serbizimi i Kosovës. Këtë na tregon viti 1878, atëherë kur nga krahinat e Nišit, të Pirots, të Prokupljes, të Leskovcit etj., bënë spastrimin e tyre nga shqiptarët. Historia njeh rreth 30 mijë burra, gra dhe fëmijë shqiptarë të masakruar. Mbi 300 mijë veta u dëbuan. Këso masakrave ka bërë Serbia edhe në brendi të Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme, deri më 1999. Këtë politikë shfarosëse e përcjell me plane raciste. Fillon me Naçersternjen, e Ilia Garashaninit, vazhdon me punimin mbi dëbimin e shqiptarëve të Ivo Andriq, që bëri planin e spastrimit të Kosovës, vazhdon me Vaso Cubrilloviq dhe ka ecur me krajlat serb, me Rankoviçin, me Titon, me Çosiqin dhe me Milosheviçin”, ka thënë ai.

Kelmendi u shpreh se tash në vazhdën e politikës shfarosëse ndaj shqiptarëve është neoracisti serb, Vuçiq me klikën e vetë raciste.

“Deklarata e fundit e Vuçiqit tregon këtë. Ai tha: "Nuk është problem i doni ata e nuk na doni neve, nëse i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t'u ndihmoni atyre, do të mbijetojmë! Por jemi mjaftueshëm të mençur e trim dhe mjaftueshëm kemi marrë mësime dhe kemi fituar përvojë pas gjithë asaj që na keni bërë 25 vitet e kaluara që të presim momentin më të mirë të mundshëm dhe ta shfrytëzojmë mundësinë, rastin tonë". Kjo deklaratë është qartësim i duhur i pikësynimeve luftarake terroriste në Ballkan të shtetit serb. Krimineli i luftës Vuçiq mori forcë nga përkëdheljet e UE dhe të SHBA-ve dhe tash po e ndien vetëm të fortë dhe po e tregon se në momentin e parë të rastit të mirë do të bashkojë Republikën Serbe në BH, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe se do të sulmojë Kosovën me forca ushtarake dhe me vullnetarë serbo-sllavë për të ripushtuar;. Forca e këtij racisti del edhe nga gjendja në Ukrainë, "fitoren" e Putinit në Rusi dhe nga sukseset e kandidatit të Republikanëve, z. Tramp, në SHBA”, shprehet ai.

Sipas profesorit, sukseset e Rusisë në Ukrainë, fitoren e kriminelit imperialist Putin dhe pozita shumë e mirë e z. Trump janë fakte dhe ngjarja që kanë forcuar dhe do t'i japin kriminelit të luftës, Vuçiq, shkakun për të sulmuar Kosovën.

“Deri në atë moment priten aksione terroriste të llojit të Banjskës në veri të Kosovës, si dhe këtej Ibrit, në brendi të Kosovës. Qëllimi është krijimi i një zone të lirë serbe, sikurse ishte Donbasi në Ukrainë, prej nga marshohet pastaj në tërë Kosovën, kuptohet për të pushtuar. Këtë politikë sllavomadhe dhe nacional imperialiste me pikësynim serbizimin e Kosovës, e dinë kudo në qendrat e vendosjes. Nuk ka logjikë të besohet e kundërta”, potencon ai.

Ndaj, Kelmendi kërkoi që NATO, BE dhe SHBA të veprojnë.

“Të ndalin këtë bishë të çartur, duke e riedukuar me forcën që ka NATO. Deri tash, Serbia u lehtësua dhe iu bënë lëshime të mëdha nga UE dhe SHBA. Edhe agresionin e Banjskës e lanë në harresë në Bruksel dhe në Uashington. Tërë kjo për të larguar Serbinë nga ndikimi ruso-kinez. Këtu ka gabuar rëndë në NATO, në BE dhe në Uashington. U tolerua militarizimi dhe armatimi i shtetit serb. Tash pritet rasti për të bërë invazion mbi Kosovë dhe jo vetëm. Këtë e tha krimineli racist Vuçiq”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat