Paqartësi mbi hetimet, ende asnjë aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë – cilat janë faktet dhe dëshmitë!

Politika

Paqartësi mbi hetimet, ende asnjë aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë – cilat janë faktet dhe dëshmitë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 mars 2024 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Janë bërë 6 muaj që kur terroristët serbë organizuan një sulm në Manastirin e Banjskës në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic të Kosovës dhe duke e plagosur një tjetër.

E deri tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj atyre që organizuan një sulm të tillë, madje duke u dokumentuar me zë e figurë.

Nga ana tjetër, ka një mospërputhje mes Qeveria e Kosovës dhe BE-së.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se u kanë ofruar institucioneve evropiane prova dhe dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veriun e banuar me shumicë serbe nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe –partia kryesore e serbëve të Kosovës – Millan Radoiçiç, por që asnjë lëvizje nuk është bërë akoma në këtë drejtim.

BE-ja, nga ana tjetër, ka përsëritur se institucionet evropiane ende nuk e kanë pranuar raportin përfundimtar të përgatitur nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë, ku mbeti i vrarër një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë. Nga blloku në mënyrë të përsëritur kanë theksuar se qëndrimi për ngjarjen mbetet i pandryshuar derisa të pranojnë raportin.

Duke qenë se në këtë fazë nuk dihet akoma nëse ndonjë prej shteteve perëndimore ka kryer hetime për sulmin terrorist të 24 shtatorit, zyrtarë institucionalë dhe vëzhgues të huaj megjithatë kanë kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare të përgjigjen dhe t’i prezantojnë të gjeturat e hetimeve, për shkak se autoritetet serbe mohojnë përfshirjen në këtë sulm.

Burjani: Raporti po kërkohet të shtyhet, apo mos të publikohet ende, arsyet janë të natyrës politike

Image
Juristi Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se BE po kërkon që raportin ta bëjë Kosova, kurse SHBA po heton mundësinë për ndkimin serb në rastin Banjska, dhe se deri tani nuk kemi asnjë reagim zyrtar në bashkësia ndërkombëtare.

Në qarqet ndërkombëtare, BE po thotë se hetimet dhe raportin përfundimtar duhet ta bëjë Kosova, kjo po i bie se ende nuk ka raport, në anën tjetër SHBA thonë se janë duke hetuar mundësinë se a ka shteti serb ndikim dhe deri ku në rastin Banjska, pra kjo çështje duket se ka mbet në koordinim me aleatët për tu bërë publik në raport.

Deri tash, nuk ka asnjë reagim të bashkësisë ndërkombëtare rreth rastit”, deklaron ai.

Tutje, thotë se Porkuroria ka zhvilluar hetime, por ideja është që ato të mos bëhen publike.

Më tej, Burjani thotë se në këtë mes qëllimi mund të jetë që Serbia mos të ikë nga dialogu, thjesht të ruhet dialogu.

“Prokuroria e Kosovës ka zhvilluar hetimet dhe janë të qartë, por nuk kanë të dhëna të plota për publikun. Ideja është të mos bëhet publike hetimet e as detaje. Pra, duket se po kërkohet të shtyhet, apo mos të publikohet ende raporti, arsyet janë të natyrës politike. Qëllimi mund të jetë që Serbia të mos ikë nga dialogu, por, të qëndroj deri në fund të artitjes së qëllimit të zbatimit të plotë të marrëveshjes. Pra, të ruhet dialogu, po të akuzohet Serbia në këtë stad frika e perëndimit është shkak për t’u ndal dialogu. E dialogu duhet të vazhdojë më tutje”, shprehet ai.

Bajraktari: Alternativat e vetme, e mundshme është gjykimi në mungesë

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se prokuroria është brenda afateve të përcaktuara me nenin 157 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet se nëse hetimi është filluar, ai përfundon brenda dy (2) viteve.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

“Sa i përket çështjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për rastin e sulmit terrorist në Bansjke, të shtatorit të vitit të kaluar, Prokuroria është brenda afateve të përcaktuara me nenin 157 të Kodit të Procedurës Penale, ku përcaktohet se nëse hetimi është filluar, ai përfundon brenda dy (2) viteve, me mundësi të vazhdimit edhe për një (1) vit shtesë, me kërkesë të prokurorit dhe me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Kjo kategori e veprave penale është mjaft komplekse, pastaj kemi një numër të konsideruar të personave të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë sulm, e që bënë që të jetë jo i lehtë procesi hetimor, kur i shtohet fakti që fqinji ynë verior vazhdon të jetë strehë e kriminelëve e po ashtu nuk ka gatishmëri fare për të bashkëpunuar, kjo e bënë edhe më komplekse situatën”, thekson ai.

Avokati për “Bota sot” shprehet se mundësia e vetme është gjykimi në mungesë dhe prokurori duhet të veprojë siç parashihet me nenin 303.

“Prandaj, nga alternativat e vetme, e mundshme është gjykimi në mungesë, e për t’u siguruar në proces sikurse parashihet me nenin 303 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori duhet të bëjë përpjekje të arsyeshme për ta siguruar prezencën e të pandehurve në procedurë, si dhe duhet ta bindë gjykatën, natyrisht me veprime dhe prova konkrete që edhe përkundër këtyre përpjekjeve, ka qenë e pamundur sigurimi i tyre.

E të gjitha këto veprime natyrisht se marrinë kohë”, deklaron Bajraktari.

Halimi: Faktet janë të qarta!

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se të gjitha faktet janë të qarta si nga ana objektive ashtu edhe ajo subjektive, andaj s’ka dilema për mos ngritjen e aktakuzës.

Sipas Halimit, nëse e gjitha kjo është bërë me ndërhyrje, atëherë kjo është vula e nënçmimit të shtetësisë së Kosovës.

“Sa i përket punës së prokurorisë, ne nuk mund të dijmë pasi që për rrjedhat e hetimeve i dijnë vetëm prokuroria dhe policia.

Por, edhe pse faktet jane të qarta si për nga ana objektive po ashtu edhe ajo e subjektive e rastit, pra jane regjistruar akti dhe terroristët, s’ka dilema që duket absurditet mos ngritja e aktakuzave. Nëse është lënë për mbledhje të më shumë fakteve, këto do mund të bëheshin edhe pas ngritjes së aktakuzës, ngase ato bazë janë jo vetëm në dorën e institucioneve por, edhe në dispozicion të opinionit (video-imazhet).

E nëse e gjithë kjo është bërë me ndërhyrie, kërkesë a presion ndërkombëtar, është vula e nënçmimit dhe injorimit të shtetësisë së Kosovës që i është bërë”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat