“Edhe NATO e paralajmëroi, çdo sulm ndaj Kosovës është vetëvrasje për Serbinë”

Politika

“Edhe NATO e paralajmëroi, çdo sulm ndaj Kosovës është vetëvrasje për Serbinë”

Hava Orana Nga Hava Orana Më 26 mars 2024 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Pak ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti publikoi disa pamje, ku njësi të specializuara të ushtrisë serbe bëjnë disa lëvizje në afërsi të kufirit me Kosovën, më saktësisht lëvizjet ata i bëjnë në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm se “Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.

“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, sekretari në Ministrinë e Mbrojtjes sw Serbisw, Nemanja Staroviq, i ka quajtur pamjet e publikuara të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën si patrullim i rregullt.

“Alarmizmi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë “pushtimi” të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohet nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, shkruan ai ndër të tjera në reagimin e tij.

Kjo vjen pas kërcënimit të drejtpërdrejtë të presidentit të Serbisë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

Mirëpo, a po bëhen gjërat shumë serioze sa i përket mundësisë së shpërthimit të një konflikti apo eskalimit te situatws? Çka duhet të ndërmerr Kosova e ndërkombëtaret pas këtyre kërcënimeve direkte nga Serbia?

Burjani: Vuqiҫ vetëm po bën lojën e vet nacionaliste, për konsum të brendshëm të Serbisë

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë çështje, për ‘Bota sot’ kanë folur disa analistë.

Kështu njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thekson se, çdo provokim i Serbisë, tashmë mobilizon NATO-në për bombardimin e Serbisë.

“Dok shpërthim me përmasa të gjera mobilizon NATO-n për bombardimin e Serbisë. Tash Serbia duhet të mat fushën ushtarake, forcat e saj me NATO-në,  andaj kjo është e qartë tashmë dhe i është bërë me dije Serbisë”, thekson ai.

Sipas profesor Burjanit, ky do të ishte kapitullimi i dytë i Serbisë.

“NATO është gati për intervenim, mendoj se Vuҫiqi do ta ketë ose fatin e tradhtarit për shkak se duhet të njohë në një mënyrë shtetin e Kosovës ose do ta ketë fatin e Millosheviqit, tash le të zgjedh Vuqiҫi. Mendoj se Vuqiҫ vetëm po bën lojën e vet nacionaliste, për konsum të brendshëm të Serbisë”, vlerëson ai.

Tutje, ai thotë se momenti i mirë për Vuqiҫin është me pas fatin e Millosheviҫit.

“Pra le të zgjedhë çfarë do? NATO tashmë ka paralajmëruar gatishmërinë për ndërhyrje, vetëm urdhri ekzekutiv pritet. Mendoj se nuk do të provokoj NATO-në”, thekson Burjani për ‘Bota sot’.

Tahiraj: Serbia nuk ka shkuar deri në atë shkallë të çmendurisë, sa të bëjë vetëvrasjes

Image
Saim Tahiraj

Ndërkaq, analisti Saim Tahiraj në një prononcim për këtë çështje, thekson se, Serbia për asnjë moment nuk ka pushuar së vepruari kundër shtetit të Kosovës duke përdorur të gjitha institucionet e shtetit.

“Këtë temë e kemi trajtuar disa herë për gazetën tuaj, dhe kemi dhanë mendimet tona, bazuar në  fakte të veprimeve politike, diplomatike, ushtarake dhe të shërbimeve inteligjente të Serbisë. Serbia për asnjë moment nuk ka pushuar së vepruari kundër shtetit të Kosovës duke përdorur të gjitha institucionet e shtetit, madje edhe Kishën Serbe, dhe kështu do veproj edhe në të ardhmen”, vlerëson ai.

Tahiraj thotë se këto kërcënime të ditëve të fundit, janë për të ngritur tensione në mënyrë që të bëjë presion mbi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe shtetin e Kosovës, që bisedimet të shkojnë në favorin e saj.

Mendoj se Serbia nuk ka shkuar deri në atë shkallë të çmendurisë, sa të bëjë vetëvrasjes. E them këtë se jam i bindur që çdo sulm ndaj Kosovës është vetëvrasje për Serbinë. Kur dihet se NATO gjendet në Kosovë dhe e ka për detyrë t’i mbrojë kufijtë e saj, madje ka shtuar forcat e saj ushtarake. FSK është forcuar në aspektin profesional dhe me armatime. Po ashtu Serbia është e rrethuar nga shtete që janë anëtare të NATO-s”, tha ai.

Sipas analistit Tahiraj, duke i llogaritur këto fakte, çdo sulm ushtarak i Serbisë ndaj Kosovës është shkatërrim definitiv i saj.

“Unë do dëshiroj dhe lutesha, që Serbia ta sulmoj Kosovën ushtarakisht, sepse aty e shoh shkatërrimin definitiv të Serbisë. Kosova duhet të punoj shumë, pa reshtur në rritjen e numrit të ushtarëve të FSK-së, në ngritjen profesionale të saj dhe armatosjen me armë moderne. Kjo është siguria më e mirë për shtetin tone”, nënvizoi Tahiraj për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat