“Serbia pa ndihmën e KFOR-it nuk do të ketë mundësi ta sulmojë Kosovën”/ Akuzat e rënda të analistit

Politika

“Serbia pa ndihmën e KFOR-it nuk do të ketë mundësi ta sulmojë Kosovën”/ Akuzat e rënda të analistit

Nga: N. Shaqiri Më: 26 mars 2024 Në ora: 22:16
Pamje nga Banjska

Serbia po vazhdon me provokime ndaj Kosovës.

Kërcënimet e liderëve serbë, se do të futen me ushtri në Kosovë, po vazhdojnë, sidomos nga Aleksandër Vuçiqi.

Së fundmi, në një video të publikuar nga kryeministri Albin Kurti, janë parë ushtria serbe afër kufirit të Kosovës.

Ato pamje ngjallën reagime të mëdha.

Për këtë, analisti politik Gani Qarri thotë se, duke pasur parasysh faktin se, në bazë të marrëveshjes së Serbisë me KFOR-in, Forcat e Armatosura të Serbisë, nuk guxojnë të afrohen më shumë se 1 kilometër nga distanca me kufirin e Kosovës, dhe për çdo lëvizje, janë të detyruara ta informojnë KFOR-in, kjo dëshmon se çdo gjë, që po ndodhë, është duke ndodhur me marrëveshje të dy-anshme, për ta vënën nën presion, sa më të rëndë Kosovën, që të bëjë lëshime të mëtejme, sipas dëshirave të emisarëve pro-serb euro-amerikan si Eskobar & Co.

“Sa i takon gjendjes në Kosovë, falë veprimeve të vendosura të Qeverisë, dhe masave të ndërmarra adekuate, në dy-tre vitet e fundit nga Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim të ngushtë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për fat të mirë, nuk ka qenë asnjëherë më e qetë dhe stabile, ani pse, për mua, për shkaqe të pashpjeguara, sikur është bërë zakon, që edhe pa arsye, të thuhet se "situata" mbetet e brishtë, pasi që vlerësime të tilla, ndoshta edhe me porosi të emisarëve, plasohen nga përfaqësuesit e misioneve paqeruajtëse në Kosovë”, thotë ai.

Qarri shprehet se, përderisa në vendin tonë, ka prezencë të trupave të NATO-së, Serbia nuk mund të rrezikojë, të ndërmarrë sulme frontale kundër Kosovës.

“Nëse në mesin e pjesëtarëve të KFOR-it, nuk ka edhe dele të zeza, që bashkëpunojnë me Serbinë dhe bëjnë lejimin e futjes së grupeve të caktuara diversante të forcave speciale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe, për kryerjen e aksioneve të kufizuara terroriste, siç duket, se ndodhi fillimisht me rastin e kidnapimit të tre policëve në brendësi të territorit tonë, e më vonë edhe futjen e bandës terroriste prej rreth 100 banditësh, në krye me Milan Radoiçiqin, të cilët pasi vranë policin tani hero, Afrim Bunjakun, në Banjë të Zveçanit dhe bënë ca fotografime në oborrin dhe objektet e Manastirit në Banjë, ikën pothuajse pa therrë në këmbë dhe gati, fare të pa dëmtuar, kaluan në Serbi”, thotë ai.

Sipas tij, siç dihet nga përvoja e deritanishme, megjithëse, lëvizje dhe grumbullim të forcave të ushtrisë serbe, përgjatë kufirit verior, të vendosur edhe në pozicionime lufte, kundër Kosovës, ka pasur disa herë, por Kosova është rrezikuar nga Serbia, më tepër indirekt dhe vetëm atëherë, kur kanë dashur edhe miqtë tanë dhe kanë lejuar forcat e tyre "paqeruajtëse" prezentë në atë pjesë të territorit, që të ndodhë ndonjë "aksion" taktik, për vënien nën  presion të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, për shkak të mosdëgjueshmërisë për zbatimin e urdhrave të emisarëve euro-amerikan, që të vazhdojnë edhe 25 vite pas çlirimit, ti bëhen koncesione Serbisë fashiste, brenda territorit të shtetit tonë.

“Veçanërisht tani, kur niveli i përfaqësimit të Kosovës në asamblenë e NATO-së është ngritur dhe gjendet shumë afër pranimit në Këshillin e Evropës, Serbia duket se në koordinim edhe me emisarin Eskobar, po e përdorë edhe mjetin e fundit, për t`i frikësuar politikanët evropian, eurodeputetët dhe mbështetësit e Kosovës, se kinse gjendja është para "eksplodimit" dhe vendimi i Asamblesë së Këshillit të Evropës, duhet të shtyhet për më vonë, madje sipas diktateve të Serbisë, as mos të pranohet Kosova fare në asnjë instancë euro-atlantike, përderisa të vazhdojë dialogu shterp dhe i pafund, ani pse, marrëveshjet e arritura të të cilit, Serbia deklaron publikisht para BE-së, edhe me shkresë zyrtare të qeverisë, se nuk do ti zbatojë”, vazhdon ai.

Analisti thotë se me Kosovën po luhet lojë e shumëfishtë.

“Siç u pa edhe në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ku shumica e armatimit, municioneve dhe mjeteve luftarake, ishte e pamundur të jenë bartur me krah dhe të transferoheshin natën nëpër terrenet e thepisura malore, nga Serbia në Kosovë, përkundrazi ato ishin kontrabanduar duke keqpërdorur jo vetëm uniforma, targa dhe sinjalizues të paqeruajtësve më tepër italian, hungarez e rumun, por duket se edhe makina të blinduara e transporter të misionit të EULEX-it, dhe KFOR-it, e që në fakt, KFOR është përgjegjës për ruajtjen e kufijve të shtetit të Kosovës”, shton tutje ai.

Qarri pohon se, krejt kjo dëshmon edhe njëherë më tepër, se provokimet e Serbisë me ofrimin e ushtrisë buzë kufirit të Kosovës, kanë për qëllim që me acarimin e gjendjes në kufi, të bëjë shtyrjen dhe pengimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që besojë se është duke ndodhur në koordinim dhe me dijeninë e emisarit Eskobar, i cili edhe vet personalisht i kërkoi BE-së që ti vendosë kushte shtesë Kosovës për pranimin në KiE.

“Përndryshe, është botërisht e ditur, se Serbia, pa ndihmën, apo lejimin e forcave të KFOR-it, nuk ka asnjë mundësi, të ndërhyjë në Kosovë, siç nuk do të kishte mundësi, të arrinte as deri në Banjskë, vitin e kaluar, andaj nëse një ngjarje e ngjashme përsëritet, përfaqësuesit e KFOR-it nuk duhet t’i garantojnë vendet e veta prej nga vijnë, as Republikën e Kosovës, se janë përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës dhe mundë t’iu përgjigjet të gjitha situatave që rrezikojnë qoftë edhe nga Serbia, një mjedis të "sigurt”, në Kosovë, por në veri duhet të vendosen Forcat e Armatosura të Kosovës, të cilat janë të përgatitura dhe duan e dinë, më së miri se si ruhen dhe mbrohen pa kushte, nga armiqtë, kufijtë dhe tokat e Republikës së Kosovës”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat