Dialogu Kosovë – Serbi/ Çfarë paralajmëroi ambasadori Rohde me deklaratën e fundit?

Politika

Dialogu Kosovë – Serbi/ Çfarë paralajmëroi ambasadori Rohde me deklaratën e fundit?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 mars 2024 Në ora: 08:05
Jorn Rohde

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të jenë temë diskutimi në instancat ndërkombëtare, duke mbetur në qendër të vëmendjes së diplomacisë globale.

Një marrëveshje finale mes dy palëve duket ende larg në horizont, megjithatë përpjekjet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme nuk mungojnë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka vënë theksin në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Ai ka theksuar se moszbatimi i tyre në përputhje me parimet e tyre themelore dëmton procesin e dialogut.

Në një postim të tij në rrjetin social 'X', ai ka përcjellë një koment të Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitetin (ESI), i cili ka kritikuar kryeministren e Serbisë për kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Rohde i ka kujtuar kryeministres serbe se marrëveshja e nënshkruar parasheh se Serbia nuk mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Rohde ka shprehur plotësisht pajtimin me deklaratën e Knausit, duke e përforcuar nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit.

Ndërkohë, nëse marrëveshjet nuk zbatohen, Rohde paralajmëron për pasojat që mund të kenë për procesin dhe për stabilitetin në rajon.

Elezaj: Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit duhet të zbatohet e plotë, mendoj se kjo është agjendë e përbashkët e të gjitha vendeve të QUINT-it

Image
Rexhep Elezaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai tha Gjermania ka qenë gjithmonë krah Kosovës përgjatë këtij rrugëtimi politik dhe se deklarata e ambasadorit Rohde është e saktë dhe e duhura e në veçanti për Vuçiqin i cili po refuzon një gjë të tillë.

Dihet se roli i Gjermanisë në të gjitha rrjedhat politike dhe sociale në Kosovë, që nga vitet e 80-ta, ka qenë tepër pozitiv, mbase dhe jetik për Kosovën dhe shqiptarët, kur gjatë viteve të luftës Gjermania pranoi dhe strehoi mbi 700 mijë refugjatë shqiptarë me 1989/99, duke dërguar në Kosovë ndihma të shumta humanitare me vlerë prej miliona markash, por edhe pas mbarimit të luftës ishte ndër vendet kryesore evropiane që popullin shqiptar në Kosovë e ndihmojë përmes firmave gjermane në rindërtimin e mijëra shtëpive të shkatërruara nga lufta.

Deklaratën dhe angazhimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, z. Jöhn Rohde, unë e kundroj nga prizma e lartë përmendur, meqë qëkur e ka marrë postin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shtet-ndërtimin dhe stabilitetin politik në Kosovë, e që sipas vlerësimit tim, është ndër ambasadorët më aktiv evropian në Kosovë, puna dhe aktiviteti i të cilit gjithnjë kanë qenë në të mirë të popullit të Kosovës.

Deklarata e tij, se Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit duhet të zbatohet në plotëni, është e sakët dhe e cila dërgon mesazh të qartë tek te dyja palët në dialog, atë serbe dhe shqiptare, duke u nisur nga fakti, sepse të dyja palët e kanë pranuar gojarisht këtë Marrëveshje, e që sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve (1969), ajo është obliguese për palët edhe pa nënshkrim, por këtë marrëveshje është presidenti çetnik i Serbisë, A. Vuçiq, ai i cili kategorikisht e ka refuzuar, posa është kthyer në vendin e tij, madje duke i dërguar BE-së letër zyrtare, se Serbia nuk i pranon disa pika të kësaj marrëveshjeje, e që i bie refuzim i plotë i zbatimit të saj nga ana e Serbisë”, u shpreh ai.

Analisti më tej thekson që Rohde është në dijeni për dëmin që palët fitojnë nëse nuk zbatojnë marrëveshjet, duke shtuar që edhe Asociacioni dëmton Kosovën shumë.

Ambasadori Rohde është krejtësisht në dijeni, se moszbatimi i kësaj marrëveshjeje do jetë i dëmshëm për të dyja palët, në veçanti për Kosovën, e cila sfidë kryesore tani e ka (mos)formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë kjo implicite ndaj Kosovës nga ana e BE-së, sidomos nga SHBA-të, si nyje gordiane në raportet Kosovë-Serbi, me vetë faktin, sepse pala serbe ka 12 vite që kërkon me ngulm nga ndërkombëtarët që ta detyrojnë qeverinë e Kosovës ta formojë asociacionin në fjalë”, thekson ai.

Ndër të tjera, ai nënvizon që nëse marrëveshjet nuk zbatohen, ambasadori gjerman Rohde, e dinë fare mirë se do të ketë reperkusione të mëdha politike, si për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë.

Unë jam i sigurt, se vetë ambasadori J. Rohde, e dinë fort mirë se formimi i këtij asociacioni në veri të Kosovës është shumë i dëmshëm për shtetin e Kosovës, pra një Republika srpska e re në Kosovë, por ajo që e bën atë të deklaron, se Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit duhet të zbatohet e plotë, mendoj se kjo është agjendë e përbashkët e të gjitha vendeve të QUINT-it, dhe se kjo marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka alternativë.

Pra, nëse kjo marrëveshje nuk zbatohet, ambasadori gjerman, shkëlqesia e tij, J. Rohde, e dinë fare mirë se do të ketë reperkusione të mëdha politike, si për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë, meqë mos zbatimi i saj nënkupton qartë tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat madje mund të shpien në konflikt të armatosur midis tyre, siç edhe po kërcënon qe një kohë të gjatë regjimi kriminal i Serbisë, në krye me A. Vuçiqin, me ndërhyrje ushtarake në Kosovë, kinse për t’i mbrojtur serbët lokal nga “dhuna dhe “terrori i shqiptarëve”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”.

Burjani: Fjalët e Rohde më shumë obligojnë Kosovën se sa Serbinë

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që kjo deklaratë e Rohde obligon më shumë Kosovën për t’u pajtuar në lidhje me Asociacionin.

Image
Blerim Burjani

Sipas juristit, marrëveshja për Asociacionin është e dëmshme për vendin dhe se ndërhynë në sovranitetin e Kosovës.

“Fjalët e Rohde më shumë obligojnë Kosovën se sa Serbinë, kjo marrëveshje është e destinuar për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, që ishte i vetmi element konkret , tjerat ishin plotësisht të njohura: siç janë marrëveshjet e shumta të pa zbatuara. Kjo marrëveshje është plotësisht në interesa të gjera të Serbisë. Kjo marrëveshje si e tillë është destinuar të mos zbatohet ,asgjë konkrete për Kosovën, marrëveshje për të rregulluar dhe futur në sovranitet të Kosovës edhe shtetin e Serbisë me garanci të fuqishme për Asociacionin dhe me tërësinë territoriale”, potencon ai.

Në fund, juristi shton që Gjermania dhe shtetet tjera Perëndimore insistojnë në zbatim edhe për një kohë do të tentojnë të modifikojnë draft statutin për Asociacionin që është i vetmi element konkret për çka është bërë Marrëveshja e Ohrit.

“Marrëveshje të këtij lloji mbesin në sirtar dhe diskutohen një kohë të gjatë dhe nuk gjejnë zbatim të plotë, por pjesërisht zbatohen. Kjo marrëveshje ishte e dëmshme për Kosovën dhe e dobishme për Serbinë. Gjermania dhe shtetet tjera Perëndimore insistojnë në zbatim edhe për një kohë do të tentojnë të modifikojnë draft statutin për Asociacionin që është i vetmi element konkret për çka është bërë Marrëveshja e Ohrit”, përfundoi juristi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat