Zgjedhjet e parakohshme, opozita “përballë” Kurtit, analistët parashikojnë humbje për këto parti

Politika

Zgjedhjet e parakohshme, opozita “përballë” Kurtit, analistët parashikojnë humbje për këto parti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 mars 2024 Në ora: 10:00
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Zgjedhjet parlamentare janë kthyer në një nga temat më të diskutuara në vend.

Tash e sa kohë, partitë opozitare kanë përmendur zgjedhjet e reja dhe rrëzimin e qeverisë Kurti, mirëpo që deri tani nuk ka pasur diçka konkrete.

Krahas kësaj, deklaratat e fundit për zgjedhje të ardhura direkt nga qeveria, më saktësisht nga kryeministri Kurti, kanë nxitur shpresat e opozitës për zgjedhje të mëhershme.

Mirëpo, kishte paqartësi, pasi nuk definohej nëse do kishte shpërndarje të Kuvendit apo rrëzim të qeverisë Kurti, përmes mocionit të mosbesimit.

E këtë gjë, e specifikoi kryeministri Kurti në një konferencë për media, ku tha se nëse do opozita është i gatshëm të ulet e të bisedojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, ku tha se “por nuk ka pse të rrëzohet qeveria’.

Unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, mund ta bëjmë me dy të tretat e Kuvendit shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat, po qeverisim fare mirë, jemi rehat me punën që bëjmë. Pra, nëse vetëm opozita dëshiron zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrezohet qeveria”, tha Kurti.

Më gjithë këto zhvillime e deklarata, duke se zgjedhjet e reja parlamentare, nuk janë larg.

Por, ajo çka tërheq vëmendje më shumë do jetë pozicionimi i partive opozitare përballë partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

E për këtë temë për gazetën “Bota sot” folën analistët politikë.

Mehazi: Momentalisht asnjëra prej partive opozitare nuk mund të përballet me LVV-në

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Së pari, ai u shpreh se këmbëngulja për zgjedhje të parakohshme është “vetëvrasje” për partitë opozitare.

Këmbëngulja e partive opozitare në Kosovë për zgjedhje të parakohshme nuk është gjë tjetër përveç se vetëvrasje për PDK-së, LDK-se dhe AAK-së, naiviteti më i madh i partive opozitare është që kërkojnë zgjedhje të parakohshme mu në momentin kur partia LVV-së e Kurtit është në hovin më të madh të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës”.

Gjithashtu, Mehazi potencoi se kërkesa e opozitës për zgjedhje, më së shumti i konvenon Lëvizjes Vetëvendosje.

Kërkesa e opozitës për zgjedhje parlamentare më shumë i konvenon LVV-së sesa partive opozitare të cilat jo që mund ta sfidojnë LVV-në, por aq do dalin të pasuksesshëm sa që do dobësohen dhe më shumë deri në zhdukjen e tyre. Nuk është e rastësishme dhe deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se dëshirën e partive opozitare për zgjedhje të parakohshme mund ta bëjë realitet në fund të vitit 2024”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, profesori vlerësoi se asnjëra parti opozitare nuk ka fuqi politike dhe elektorale të përballet me LVV-në.

Madje, tha se mënyra e vetme që të shpëtojnë është të bëjnë koalicion të përbashkët kundër partisë aktuale në pushtet, ndryshe do pësojnë debakël nga Kurti.

Momentalisht asnjëra prej partive opozitare nuk mund të përballet me LVV-në, jo që nuk do ta mundin LVV-në, por numri i deputetëve të partive opozitare do zvogëlohet aq shumë sa që para LVV-së do mbeten parti minore pa farë ndikimesh politike. Shpëtimi i partive opozitare gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do jetë koalicionimi i tyre kundër LVV-së, për ndryshe do pësojnë debakël para LVV-së së Kurtit, po edhe sikur të bashkohen tog Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj përsëri nuk do mund ta fitojnë Kurtin e LVV-së”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Preqi: Orvatjet e kësaj opozite për ta rrëzuar qeverinë Kurti, janë më shumë si shfaqje teatrale 

Image
Dedë Preqi

Kurse, edhe opoinionisti Dedë Preqi dyshon se partitë opozitare i kanë bërë mirë “llogaritjet” e tyre për zgjedhje të parakohshme.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se opozita nuk ka përmirësuar pozicionin e saj në elektorat, por që nga xhelozia për Kurtin, dëshirojnë zgjedhje.

Opozita i ka përhapë fjalët në treg për të mbajtur zgjedhje të reja këtë vit, por nuk po dihet se si i ka bërë llogaritë e saj, sepse ky seriozitet nuk erdhi nga pjekuria e tyre politike, por më shumë nga xhelozia dhe urrejtja ndaj qeverisë Kurti, që ua ka ndryshuar imazhin e tyre dhe atë cilësi që e emërtojmë, apo i thonë si «njerëzore».

Duhet të theksojmë faktin se, pamundësia dhe pa aftësia e tyre për t’u pozicionuar në realitetin opozitar, dhe efekti i tyre nuk depërtoi fare në favor dhe interes të popullit dhe shtetit, të paktën kur kërkohej nevoja më sublime për mbështetjen e qeverisë ndaj faktorit të jashtëm dhe fqinjit serb, që po na kërcënohej përditë.

Dhe kjo «opozitë» bëhet gjithnjë edhe më e pakapshme, kur ndër të tjera, brenda saj nuk u krijua vetëm një lloj marrëdhënie e zbehtë me pozitën, por dhe sikur me qenë të «huaj» në mes vete në kuptimin e një kauze të përbashkët dhe interesit të këtij vendi, kur kërkohej nevoja e votimit për ratifikimin e një serie të Marrëveshjeve ndërkombëtare, që kapnin shifrën milionëshe në favor të shtetit tone”, deklaroi opinionisti.

 Po ashtu, Preqi përpjekjet për rrëzimin e qeverisë Kurti, i cilësoi si shfaqje teatrale të opozitës.

Derisa, tha se është bërë si traditë, që qeveritë të mos e përfundojnë mandatin plotësisht.

Orvatjet e kësaj opozite për ta rrëzuar qeverinë Kurti, janë më shumë si shfaqje teatrale, se do ta mbushin mendjen të tregojnë një realitet dhe kulturë zgjedhore, që një pjesë e madhe e tyre e kanë humbur këtë element fare, por ndoshta do duken të zakonshëm për njeriun primitiv.

Deklaratat e opozitës për zgjedhje të reja, do të ishin normale si në çdo vend demokratik, por e gjithë çka është e veçantë dhe e rëndësishme, pse nuk ia bëjmë pyetjen vetvetes, se pse duhet të mbahen këto zgjedhje, pothuaj gati në përfundim të mandatit që ka kjo qeveri në krye me kryeministrin Kurti, apo sikur është bërë traditë në këtë vend, që të mos përfundoj asnjë qeveri e deritanishme mandatin e vet të caktuar”.

Më tej, opinionisti potencoi se nuk është shqetësuese nëse Kosova shkon në zgjedhje, derisa tha se opozita nuk qëndron mirë, pasi nuk ka arritur reformim të plotë.

Sipas opozitës përmes zgjedhjeve të reja do u hapet ndonjë shteg dhe rrugë e re e tyre, megjithatë do duhej të tregohemi të matur dhe të përvijohet një ndjenjë vigjilence, serioziteti dhe përgjegjësie përballë problemeve që i ka Kosova, si nga pozicioni i saj ekonomik, por edhe sidomos me fqinjin verior, duke nënkuptuar me të, jo si një gjykim, por thjeshtë përshkrimin e një fakti konkret, me të cilin po merret edhe bashkësia ndërkombëtare.

Asgjë nuk është shqetësuese nëse Kosova, shkon në zgjedhje të reja dhe opozita e vënë në opsion vendimtar këtë çështje dhe premton ta sfidojë pozitën, por jo edhe të sillen si romantikë, apo edhe aventurier, me qëllim që të shpëtohet tipari i një opozite të pafrytshme, e cila pretendon ta merr pushtetin e saj me të njëjtat vese dhe të meta, të cilat kanë mbetur gjurmë të këqija në historinë qeverisëse të këtij vendi”, shpjegoi ai.

Në fund, tha se nuk dihet nëse zgjedhjet do mbahen në pranverë apo në vjeshtën e vonë, por që megjithatë potencoi se LVV do fitonte sërish, derisa LDK do pozicionohej në vendin e dytë dhe PDK në vendin e tretë.

Edhe kryeministri Kurti dhe krye parlamentari Konjufca, pajtohen për zgjedhje të reja, siç thotë një fjalë e urtë, njerëzit modern dhe të kulturuar janë të bindur se, më së fundi përballë sfidave kanë në rend të parë vetveten, prandaj edhe në këtë rast, populli dhe Kosova, në rend të parë të sfidave e ka përballë vetveten, si për mirë, por edhe për t’i bërë vetvetes keq.

Apetitet e partive janë të mëdha dhe pa përjashtim, dhe ne nuk kemi për qëllim të kritikojmë njërën apo tjetrën, por veset e trashëgimisë së tyre, të cilat lënë gjurma të niveleve të ulëta, ku kritika duhet t’u kundërvihet nga qëndrimi besues i tyre deri te qëndrimi pesimist dhe skeptik, por edhe te qëndrimet optimiste, që qojnë drejtë nevojës për një të ardhme më të mirë për këtë popull dhe këtë vend.

Ndoshta e kemi të vështirë ta nxjerrim fituesin e zgjedhjeve të ardhshme, në shpërthimin e një pranvere të re, apo në vjeljen e një vjeshte të vonë, por si do që të jetë, sipas një matematike të thjeshtë, LVV, do të jetë e para, që do të prinë përsëri, pastaj LDK, PDK dhe NISMA, e cila kjo e fundit, ka gjasa të vogla të mbijetojë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat