Kosova e kërcënuar nga Serbia s’e ka luksin për zgjedhje/ Vjen paralajmërimi: Mbrojtja e kufirit, prioritet mbi gjithçka tjetër!

Politika

Kosova e kërcënuar nga Serbia s’e ka luksin për zgjedhje/ Vjen paralajmërimi: Mbrojtja e kufirit, prioritet mbi gjithçka tjetër!

Nga: M.L. Më: 28 mars 2024 Në ora: 10:02
Ushtria serbe në kufi me Kosovën

Në kohën kur debatohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, një nga temat që ka nisur të shfaqet është diskutimi rreth koalicioneve të mundshme në skenën politike. Në kuadër të kësaj, disa subjekte politike kanë filluar të lëvizin në drejtim të një koalicioni të përbashkët, ndërsa të tjerat kanë bërë deklarata të qarta se kë duan apo nuk duan në koalicion.

Një ndër zhvillimet më të fundit është deklarata e partisë Guxo, e cila ka shpallur që do të kandidojë në një listë të përbashkët me LVV-në.

Ky zhvillim solli në vëmendje mundësinë e koalicioneve të reja dhe bashkëpunimin ndërmjet subjekteve politike me qëllime të përbashkëta. Guxo, aktualisht është në koalicion me partinë qeverisëse, Lëvizjen Vetëvendosje.

Në anën tjetër, një tjetër deklaratë e rëndësishme ka ardhur nga LDK-ja, e cila ka theksuar se nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me AAK-në.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se një koalicion parazgjedhor me AAK-në s’do të ndodhë asnjëherë. Kjo erdhi si kundërpërgjigje, pasi javë më parë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kërkonte koalicion me partitë opozitare për zgjedhjet e ardhshme.

Pyetja që ngrihet është se si duhet të interpretohen këto qëndrime dhe si do të ndikojnë ato në koalicionet e ardhshme, qofshin ato para apo pas zgjedhjeve.

Publicisti Gani Qarri duke komentuar idenë e zgjedhjeve, në një prononcim për “Bota sot” fillimisht është ndalur tek zhvillimet rreth dialogut me Serbinë.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, nën këto kushte tensioni, Kosova nuk e ka kohën as luksin që t’u kushtoj kaq shumë vëmendje, siç shprehet “pallavrave politike të opozitës së shthurur”.

“Fakti që vërtetë dështuan shumë keq, premtimet e emisarit pro-serb latino-amerikan Gabriel Eskobar të dhëna Serbisë, se ai nuk do ta lejojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa formimin e asociacionit një etnik serb, pretendimet e të cilit u hodhën kategorikisht poshtë nga euro deputetët dhe deputet të Bundestagut gjerman, ka egërsuar aq shumë Vuçiqin, sa që shihet hapur, se ai serish po shqyrton “mundësinë” e okupimit ushtarak të veriut të Kosovës, përderisa Kosova i ka duart e lidhura nga letra e kuislingut Hashim Thaçi, dërguar sekretarit të NATO-së, dhe nuk mund ta vendosë ushtrinë në veri të vendit të vet.

E nën këto kushte tensioni, Kosova nuk e ka kohën as luksin që tu kushtoj kaq shumë vëmendje, pallavrave politike të opozitës së shthurur, e cila edhe në pushtet, ka mbijetuar duke u falur tokat tona autoktone, vendeve fqinje dhe bërë pazare e paguar firma të huaja, për ndarjen  e Kosovës. Andaj para se të marrë vendim, për shkuarjen në zgjedhje të reja, Qeveria duhet ta shqyrtojë mirë situatën politike përreth Kosovës, se a është vërtetë ky momenti i duhur, për amortizimin e institucioneve shtetërore nga kujdesi permanent për mbrojtjen e vendit dhe orientimin e tyre, në fushata elektorale, që në një formë, do t`ia lehtësonte Serbisë fashiste mundësinë për ndërhyrje shumë më të lehtë, në territorin e vendit tonë”, ka thënë Qarri.

Ai përmendi edhe mundësinë e shpërthimit të një lufte të re në Ballkan, që e ka paralajmëruar këto ditë edhe vet shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Sipas tij, në këtë situatë, zgjedhjet vetëm sa do t’ia shtonin kërshërinë Serbisë për intervenim ushtarak në Kosovë.

“Borrell, ka theksuar se Evropa është në rrezik nga shpërthimi i një konflikti të ri në rajon, gjë që vet shtimi i pranisë së trupave të ushtrisë serbe, në kufirin me Kosovën, vetëm sa i konfirmon raportet mbi aktivitetet përgatitore për operacionet e mundshme okupuese të Serbisë fashiste, kundër vendit tonë.

Prandaj pikërisht në kohën kur niveli i përfaqësimit të Kosovës u ngrit në vend të asociuar të Asamblesë së NATO-s dhe pritet votimi pozitiv i propozimit të zonjës Bakoyanis për pranimin e Kosovës edhe në Këshillin e Evropës, të përmendet mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme dhe ideohen edhe koalicionet e mundshme, vetëm sa ja shton kërshërinë Serbisë hegjemoniste, që ta shfrytëzoj këtë situatë, duke e parë si mundësi ideale, për intervenim ushtarak në Kosovë, që mundë të vije edhe si pasojë e ndikimit të Rusisë përmes lidhjeve, që ajo ka me Serbinë hegjemoniste, për tërheqjen e vëmendjes së faktorit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë dhe përqendrimi tek problemet në Ballkan”, ka potencuar ai.

Andaj, sipas analistit sado që përmenden koalicionet e mundshme, Qeveria është ajo, e cila duke pasur shumicën në parlament, para se të marrë vendim, për shkuarjen në zgjedhje të reja duhet ta shqyrtojë mirë situatën politike përreth Kosovës.

“Kështu që le të përmenden nga kushto që dëshiron, mundësitë për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, lidhjen e koalicioneve të mundshme, apo edhe kush me kënd, preferon të kandidonte me një listë të përbashkët votimi, por Qeveria është ajo, e cila duke pasur shumicën në parlament, para se të marrë vendim, për shkuarjen në zgjedhje të reja, duhet ta shqyrtojë mirë situatën politike përreth Kosovës, se a është vërtetë ky momenti i duhur, për amortizimin e institucioneve shtetërore nga kujdesi permanent për mbrojtjen e vendit dhe orientimin e tyre, në fushata elektoral, e jo ta rrezikojë vendin, duke e lënë, me vetëdije, pa institucione legale, mu në momentet më delikate, kur edhe mund të ndodhin veprime të papritura të armiqve të Kosovës, kundër rendit e ligjit, kushtetutshmërisë dhe ndoshta edhe ndonjë invadim i mundshëm ushtarak i Serbisë hegjemoniste, në territorin e vendit tonë”, shprehet analisti.

Sipas tij, grumbullimi i ushtrisë serbe, në kufirin me Kosovën, vetëm sa i konfirmon raportet mbi planet përgatitore për operacione të mundshme okupuese ushtarake të Serbisë në veri të Kosovës.

“Kështu që duhet të jemi më vigjilent e të kujdesshëm dhe ta kuptojmë drejtë gjendjen reale, kur dihet se zgjedhjet ende kanë kohë dhe nuk u ka kaluar afati, ato edhe ashtu, kanë gati edhe një vit afat ligjor, për tu mbajtur, madje edhe po qe se mbahen sot, Kosova as që ka alternativë tjetër, përveç rivërtetimit të koalicionit të partive që edhe aktualisht, janë në pushtet, ndaj prioritet i Qeverisë dhe institucioneve shtetërore, duhet të jetë, pikë së pari siguria e vendit, anëtarësimi në sa më shumë organizata të fuqishme ndërkombëtare dhe forcimi sa më i madh i shtetndërtimit, si garancia më e fortë, për paprekshmërinë e kufijve dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Përndryshe, Qarri rikujtoi edhe raporti i ekspertëve ndërkombëtar të “Robert Lasing Institute”, që thekson qartë faktin, se Rusia tanimë mund të ketë sjellë një grup të inteligjencës ushtarake në Beograd.

“Ky grup në bashkëpunim me presidentin Vuçiq dhe Shefin e Inteligjencës Serbe Aleksandër Vulin, mundë ta nxisë Serbinë, për ta sulmuar Kosovën, me ndërmarrjen e një operacioni të përbashkët serbo-rus, i cili mund të fillonte në rajonin e Mitrovicës, ku forcat speciale serbe, së bashku me grupet e armatosura kriminale, të kontrolluara nga bandat terroriste të Radojçiqit dhe të ndihmuara nga grupet speciale ruse, si pjesë e operacionit, që thuhet të jetë planifikuar në vitet 2021-2023, mund të fillonin ngjashëm me sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në Banjë të Zveçanit, kur dihet se sot e asaj dite, Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ishte në gjendje të ngritë asnjë padi të vetme penale!”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat