Çështja për dinarin/ Deputeti nga LVV: Vendimi nuk diskutohet dhe as vihet në pikëpyetje nga ndërkombëtarët

Politika

Çështja për dinarin/ Deputeti nga LVV: Vendimi nuk diskutohet dhe as vihet në pikëpyetje nga ndërkombëtarët

Nga: M.Haziri Më: 28 mars 2024 Në ora: 16:50
Agon Batusha

Deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me trysnin ndërkombëtare për çështjen e dinarit.

Sipas tij, vendimi i BQK-së është vendim që nuk duhet të diskutohet as të vihet në pikëpyetje nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, nuk ka qenë vendim për dinarin, por rregullim i shumë çështjeve që kanë të bëjnë me transaksionet dhe përdorimin e monedhës në Kosovë, pra Euros.

Vendimi i pavarur i BQK-së për të hartuar rregulloren, është vendim që nuk diskutohet dhe as vihet në pikëpyetje nga ndërkombëtarët. S’ka qenë vendim për dinarin, por rregullim i shumë çështjeve që kanë të bëjnë me transaksionet dhe përdorimin e monedhës në Kosovë, pra Euros. Askund nuk përmendet dinari. Askund. Por, në praktikë ka obliguar organet ligjzbatuese që të marrin masa dhe të parandalojmë e ndalojnë përdorimin e paligjshëm të monedhave tjera. Kjo ka afektuar qytetarët tanë serb, të cilët për 25 vite pas luftës dhe 16 vite që nga hartimi i Kushtetutës, kanë përdorur ilegalisht një monedh që nuk është pjesë e sistemit monetar të Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti përmend problemet që janë shkaktuar nga Banka Qendrore e Serbisë që nuk ka nënshkruar marrëveshje me BQK-në.

Problemi është shkaktuar nga Banka Qendrore e Serbisë, e cila nuk ka pranuar të nënshkruaj marrëveshje me BQK-në si gjithë bankat homologe, e për pasojë ka bërë që qytetarët tanë serb të kenë probleme në qasjen e tyre në pensionet apo pagesat që marrin nga Beogradi.

Pra, nuk po kërkohet ndryshim i vendimit, as legalizim i dinarit. Përkundrazi, gjithçka është e qartë. Por, po diskutohet gjetja e një zgjidhje që qytetarët serb të kenë qasje në pensionet e tyre përmes bankave komerciale të Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës sonë, pagesa apo monedha të cilat duhet të konvertohen në Euro dhe si të tilla të qarkullojnë në treg. Pra, në mungesë të një marrëveshje normale, duhet gjetur modaliteti i të pasurit qasje në pensionet e tyre”, përfundoi deputeti Batusha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat