Krasniqi “sfidon” Kurtin me Bedri Hamzën/ Analistët zbërthejnë qëllimet e PDK-së me kandidatin për kryeministër

Politika

Krasniqi “sfidon” Kurtin me Bedri Hamzën/ Analistët zbërthejnë qëllimet e PDK-së me kandidatin për kryeministër

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 mars 2024 Në ora: 12:02
Bedri Hamza dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dje ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.

Ai tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.

Kurse, vet kandidati Hamza, tha se përkrahja e tij për këtë post do të jetë nga të gjitha profilet. Ai tha se premtimet do të mundohet t’i realizojë.

Mehazi: Autoriteti i Hamzës është tejet i dobët për të sfiduar Albin Kurtin e LVV-së

Duke komentuar këtë  zhvillim, profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se që në start, Memli Krasniqi po shpreh një frikë të dukshme për t'u përballur me kryeministrin Albin Kurtin.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, autoritetit i Hamzës është shumë i dobët për të sfiduar Albin Kurtin e LVV-së.

Se sa e autoritetshme është PDK-ja dhe kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tregon fakti se nga gjithë kryesia qendrore e kësaj partie për kryeministër të ardhshëm kanë zgjedhur kryetarin aktual të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamzën, i cili për nga opinioni është shumë më pak i njohur sesa disa prej anëtarëve të kryesisë qendrore të PDK-së.

Që në start të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare Memli Krasniqi shpreh një frikë të dukshme për t'u përballur me kryeministrin Albin Kurtin duke u arsyetuar se Bedri Hamza qenka ai që do sfidojë Kurtin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Kandidimi i Bedri Hamzës nuk duhet fare analizuar për shkak se autoriteti i tij është tejet i dobët për të sfiduar Albin Kurtin e LVV-se, pyetja ndaj qytetarëve të Kosovës është se cili mund të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Kurti apo Bedri Hamza?, pa farë mëdyshje shumica e qytetarëve do përkrahnin, do votonin e do dëshironin që Kurti të vazhdonte punën e kryeministrit dhe gjatë mandat të ardhshëm katërvjeçar”, thotë ai.

Më tej, Mehazi thotë se PDK ka zgjedhur personi me dosje të moralshme politike e jo më të autoritetshmit dhe më të zëshmin e partisë që kanë dosje korruptive.

Por, profesori ka një pyetje për Krasniqi, pse ai nuk shprehi kandidaturën e tij për kryeministër?

Qëllimi i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, është që nga partia e tij të propozohet për kryeministër personi me dosje të moralshme politike e jo më të autoritetshmit dhe më të zëshmin e partisë që kanë dosje korruptive, e njëri me dosje më të pakta korruptive është kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

Pyesim Krasniqin se pse ai nuk shpreh kandidaturën e tij për kryeministër, pse ik nga konkurrimi me Kurtim, kush e detyroi të kandidohet Bedri Hamza e jo ai?, a mos Krasniqi ka vepruar sipas urdhrave të komandantit të UÇK-se dhe ish-kryetarit të PDK-së nga Gjykata e Hagës, Hashim Thaçit?.

Propozimi i kryetarit të PDK-se, Memli Krasniqit, që kandidat për kryeministër të jetë, Bedri Hamza, e jo ai duket si propozim i dhunshëm dhe i padëshiruar dhe për vetë Krasniqin pasi dhe kryesia qendrore e kësaj partie e kanë të qartë se Bedri Hamza nuk është i denjë për të përmbysur kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin”, përfundon ai.

Duhanaj: Një kryeministër si z. Hamza, do ta rikthente Kosovën në normalitet

I kundër me mendim është analisti Leon Duhanaj, i cili këtë kandidaturë e sheh si më të mirë dhe ofertën më të mirë për qytetarët e vendit.

Image
Leon Duhanaj

Së pari, Kryetari i PDK z. Memli Krasniqi, nëse nuk dëshiron të kandidohet vetë ka të drejtë, nëse nuk do të kandidohet vetë, atëherë ka të drejtë ta emëroi dikë tjetër, për të cilin mendon që mund t'i sjellë dobi më shumë partisë.

Në rastin e z. Hamza, bëhet fjalë për një intelektual, ekspert të dëshmuar të ekonomisë, gjë për të cilën Kosova ka nevojë më së shumti.

Nëse z. Krasniqi ka vendosur ta propozoi z. Hamza si kandidat dhe, nëse z. Hamza e pranon kandidaturën, atëherë mendoj që do të jetë kandidatura me e mirë dhe oferta me e mirë për qytetarët dhe për vendin.

Këtë e bazoj në faktin se qeveria e tanishme, sidomos duke pasur mungesë të theksuar të profesionalizmit në sektorin ekonomik, ka dështuar në të gjitha segmentet. Shto kësaj edhe papërgjegjshmërinë kolektive në Qeveri, nuk do koment se jemi kaq keq”, thotë ai.

Sipas tij, Hamza do ta rikthente Kosovën në normalitet, dhe do të kishte një ngritje të theksuar të zhvillimit ekonomik.

 “Një kryeministër si z. Hamza, do ta rikthente Kosovën në normalitet e pastaj edhe ngritje të theksuar të zhvillimit ekonomik, përkatësisht mirëqenies së qytetarëve.

Njëkohësisht do ta rikthente Kosovën në rrjedha normale në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare,  duke e hequr nga bllokada e sanksionet”, përmbylli ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat