Miroslav Lajçak dhe misioni i tij i dështuar për shkak të njëanshmërisë!

Politika

Miroslav Lajçak dhe misioni i tij i dështuar për shkak të njëanshmërisë!

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 31 mars 2024 Në ora: 08:56
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak do të largohet nga ky post në fund të muajit gusht. Sipas burimeve mirë të informuara Lajçak pritet të emërohet për ambasador të BE-së në Zvicër, post të cilin sipas të gjitha gjasave do ta ushtrojë nga shtatori.

Miroslav Lajçak, më 1 prill, shënon katër-vjetorin e emërimit në postin emisarit evropian për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Mandati i tij skadon në fund të muajit gusht.

Gazeta “Bota sot” ka pyetur njohësit e çështjeve politike lidhur me atë se si do të duket dialogu Kosovë-Serbi pa Lajçakun si ndërmjetësues? A mund të jetë largimi i Lajçakut një arsye për "zbehjen" e përpjekjeve në dialog? A ka dështuar Lajçaku në këtë aspekt?

Ymeri: Brukseli e pati zgjedhur qëllimisht nga një vend që nuk e njeh Republikën e Dardanisë

Image
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Lidhur me këtë ҫështje, Prof. Dr. Eshref Ymeri thekson se, misioni i Lajҫakut është i dështuar, pasi erdhi nga një shtet që nuk njeh shtetin e Kosovës.

Në këndvështrimin tim, misioni i Lajçakut, në qëndrimin ndaj Republikës së Dardanisë, sigurisht që ka qenë i dështuar krejtësisht. Sepse Brukseli e pati zgjedhur qëllimisht nga një vend që nuk e njeh Republikën e Dardanisë. Por, për interesat e Serbisë, misioni i tij, në bashkëpunim me Borelin e Spanjës, e cila vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim negativ, si edhe Sllovakia e Lajçakut, ka qenë plotësisht i suksesshëm”, vlerëson ai.

Tutje, profesori thotë se qëndrimi i Lajçakut kundër Republikës së Dardanisë nuk është absolutisht qëndrim personal.

“Përkundrazi, me atë qëndrim ai reflekton tërësisht qëndrimin e Brukselit. Por meqenëse deri tani Brukseli, si mbrojtës i interesave të Serbisë, ka demaskuar veten me misionin e Lajçakut, kërkon të luajë komedinë e radhës me Republikën e Dardanisë. Se kush na siguron se Brukseli nuk do të emërojë si ndërmjetës një tjetër person, të zgjedhur nga po ato vende që nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Dardanisë? Ose edhe nga ndonjë vend tjetër që e njeh pavarësinë e Republikës së Dardanisë, por që ai ndërmjetës të ketë si mision vetëm mbrojtjen e interesave të Serbisë”, vlerëson Prof.Dr. Ymeri.

Ai thotë po ashtu se, Brukseli, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, po përjeton periudhën e pendesës së madhe për kryerjen e atyre bombardimeve.

“Për fat të keq, Brukselit i është bashkuar edhe Departamenti i Shtetit, i cili drejtohet nga Blinkeni, që është nën pushtetin e Sorosit, armikut të kombit shqiptar. Për më tepër, përkrahja e Uashingtonit për Serbinë do të jetë edhe më e fuqishme, nëse në muajin nëntor rizgjidhet president Donald Trumpi, i cili, në dhjetor të vitit 2015, në fillim të fushatës zgjedhore për mandatin e parë, pati deklaruar: “Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë...” (Citohet sipas: “Trampi i kërkoi falje Serbisë…”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015)”, vlerëson ai.

“Perëndimi evropian, si mbrojtës i interesave të Serbisë, vazhdon traditën e qëndrimit antishqiptar, e cila shtrihet në një periudhë 146-vjeçare (1878-2024), prandaj, edhe për pazotësinë tonë, megjithëse kemi qenë etnia më e madhe në Gadishullin e Ilirisë, na i copëtoi trojet etnike si ujku delet”, thotë ai për ‘Bota sot’.

Burjani: Dialogu u komplikua shumë me marrëveshjen e Ohrit, Kosova duhej të themelonte pa kushte asociacionin, për Serbinë nuk kishte asgjë konkrete

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se Lajҫakut i skadoi kontrata në qershor dhe nuk fitoi një besim të dytë. Mirëpo ai u shpërblye me postin e ambasadorit.

“Jo, Lajҫakut në qershor i skadon kontrata, ai më nuk ka fituar një besim të dytë kontraktues megjithatë ai u shpërblye me post të ambasadorit. Pa marrë parasysh problemet me dialogun ai nuk ka mundur më të tregoj sukses, siҫ e dini ky dialog është dashur të përfundoj në dhjetor 2023, por as në vitin 2024 nuk pritet të përfundojë”, thekson Burjani.

Juristi thotë se, ky dialog u bllokua me marrëveshjen e Ohrit që ishte marrëveshje e dëmshme për të dy palët në një nuancë më i keq shumë për Kosovën, tash duhet të gjendet një ndërmjetësues tjetër.

“Dialogu u komplikua shumë me marrëveshjen e Ohrit, Kosova duhej të themelonte pa kushte asociacionin, për Serbinë nuk kishte asgjë konkrete madje as ta njohë Kosovën, kjo shkatërroj këtë dialog, në Kosovë kjo marrëveshje kuptohet favor për Serbinë në mënyrë të plotë”, vlerëson ai.

Burjani thotë se ‘Marrëveshja e Ohrit ishte e dëmshme për të dy palët, sepse asnjë palë nuk fitonte asgjë, as Serbia asociacionin e as Kosova njohjen, kjo politikisht u kuptua si dështim i BE-së sepse për të dy palët duhet të kishte fitim, ëin, ëin’.

“Por kjo marrëveshje e Ohrit dështoj të bënte këtë, dihet se Serbia nuk pranon asgjë, e Kosova bëri diplomaci, po marrëveshje por e kushtëzoj me nënshkrim të saj nga Serbia, kjo i dha fund këtij zbatimi të mundshëm nga palët”, thekson ai për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat