Musliu ‘godet’ Lajçakun: E ka luajtur rolin e zëdhënësit të Vuçiqit – BE të ketë kujdes në këtë pikë!

Politika

Musliu ‘godet’ Lajçakun: E ka luajtur rolin e zëdhënësit të Vuçiqit – BE të ketë kujdes në këtë pikë!

Nga: A.M. Më: 1 prill 2024 Në ora: 11:20
Miroslav Lajçak, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu në një bashkëbisedim me “Bota sot” largimin e Lajçakut nga posti i ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi, e cilësoi si një lajm shumë të mirë.

Sipas tij, emisari sllovak dhe Borrell, janë shkaktarët pse niveli i bisedimeve mes dy palëve ka degraduar deri në këtë pikë.

“Ditë më parë u kuptua se, në kuadër të rotacionit të zakonshëm diplomatik të BE-së, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, do të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër.

Largimi i Lajçakut për një post tjetër, është lajmi më i mirë që ka mund t’i ndodh dialogut, sepse ky proces gjatë mandatit Borell-Lajçak, do t’i takojë të kaluarës së hidhur. Ky binom, bashkë me Vuçiqin, janë shkaktarët dhe aktorët kryesor që zvarritën, degraduan dhe dështuan dialogun. Veprimet jokonstruktive, keqpërdorimi flagrant i kompetencave dhe rolit të ndërmjetësuesit dhe lehtësuesit, dhe marrjen e rolit të palës në dialog, duke imponuar zgjidhje në dëm të Kosovës, ka bërë që dialogu të pësojë fiasko. Veprimet e Borrell dhe Lajçak kanë nxjerrë në shesh paaftësinë dhe disfunksionimin e institucioneve dhe strukturave politike të BE-së dhe nevojën e madhe për reformimin e funksionimit dhe vendimmarrjes të BE-së, të cilat nuk janë efikase”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Musliu vlerësoi se Lajçak e ka vështirësuar shume dialogun, kjo pasi në vazhdimësi ia mbante ‘krahun’ Serbisë, kurse nga Kosova kërkonte zbatimin e vendimeve kundëkushtetuese.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

Madje, fajësoi dy ndërmjetësit evropianë për sanksionimin e Kosovës.

“Lajçak jo vetëm që nuk e ka lehtësuar dialogun, por e ka vështirësuar, në vend të ishte neutral, ai u bë palë duke ia mbajtur krahun Serbisë si dhe në vazhdimësi ka kërkuar nga Kosova zbatimin e vendimeve të ndryshme që ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Lajçak dhe Borell ishin ndër më « meritorët » për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mbase në vend që ata të propozonin sanksione kundër Serbisë për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe udhërrëfyesit të Ohrit, për kidnapimin e tre zyrtarëve policor kufitar, për agresionin në Banjskë ….. ata shpërblelin Vuçiqin me lavdata të pajustifikuara, kurse ndëshkonin Kosovën sepse respektonte Kushtetutën dhe zbatonte ligjin. Madje Laçak në një konferencë për shtyp në Prishtinë, për t’ia plotësuar kërkesat e Vuçiqit, kishte kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, vetëm e vetëm për t’a akomoduar Asociacionin me kompetenca ekzekutive.

Prandaj, për veprimet jo korrekte, Lajçak dhe Borell, disa herë janë kritikuar ashpër nga eurodeputetët në mbledhjet e Parlamentit Europian, me arsyetimin se ata nuk janë neutral ndaj dialogut dhe se po e favorizojnë punën destruktive të Serbisë”, shpjegoi ai.

Më tej, juristi nga Blegjika, foli edhe për Escobarin, ku e kritikoi edhe atë për linjë të qëndrimeve të njëjta me Lajçakun dhe Borellin.

Megjithatë, ai tha se rëndësi të madhe ka fakti se kush do vije në krye të negociatave.

“Punës jokunstruktive dhe dështimit të dialogut « kontribut » i ka dhënë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel Eskobar, i cili ka qenë në një vijë me Lajçak dhe Borell, madje në një rast kishte deklaruar se, duhet të vazhdohet me inkurajimin e Vuçiqit për qasjen e tij konstruktive karshi dialogut. Çfar paradoksi dhe ironie?! Ky trinom më shumë ka luajtur rolin e zëdhënësit të Vuçiqit duke ia mbrojtur kërkesat e tij, se sa të diplomatëve ndërmjetësues dhe lehtësues.

Të përmendi se Kosova edhe me ndërmjetësuesen paraprake të dialogut, Frederica Mogherini, jo vetëm që nuk pati fat të avancojë, por fatkeqësisht ajo u bë pjesë e lojës së rrezikshme të Thaçit dhe Vuçiqit, për ndarjen e Kosovës.

Tani, ajo çka ka rëndësi të madhe, është se kush do t’a zëvendësojë Lajçakun, por edhe Borellin!?” – nënvizoi Musliu.

Në fund, ai tha se Bashkimi Evropian duhet të ketë kujdes në përzgjedhjen e ndërmjetësuesit të ardhshëm të dialogut.

Ndërsa, tha se duhet edhe urgjentisht ta ndryshojë qasjen në këtë negociata, pasi nëse nuk e bënë një gjë të tillë, atëherë mund të kalohet në një krizë, që do destabilizonte sigurinë e Ballkanit.

“Në qoftë se përbërja e re e BE-së, pas zgjedhjeve europiane, nuk ndryshon qenësisht konceptin, qasjen dhe seriozitetin e veprimit në dialog, jo vetëm se nuk do të ndryshojë gjendja ekzistuese, por dialogu mund të eskalojë në krizë edhe më të madhe, që do ta destabilizonte sigurinë në rajon. Prandaj, BE duhet të ketë kujdes të shtuar në përzgjedhjen e diplomatit – ndërmjetësuesit të ardhshëm të dialogut, i cili, mendoj se, duhet të jetë një person me përvojë diplomatike, njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor, i përgjegjshëm dhe kredibil.

Po ashtu, dua të konstatoj se, Lajçakut, jo vetëm që i skadoi mandati, por kjo i bie se BE-ja e largoi qëllimisht si ndërmjetësues, për shkak dështimit dhe komplotit ndaj dialogut, sepse sikur të kishte pasur pak sukses, atij do t’ia kishin vazhduar mandatin për t’a finalizuar dialogun, që ai vet qëllimisht e komplikoi dhe e dështoi.

Dhe në fund, gjykoj se, me largimin e Lajçakut edhe Gabriel Escobar domosdoshmërisht duhet të largohet, sepse edhe ai ka dështuar sikurse Borrell dhe Lajçak, të cilët në vend që t’i zgjidhnin problemet që i krijonte Serbia, ata me deklaratat dhe veprimet e tyre të papërgjegjshme krijonin kriza duke vënë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe rajonit”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat