“Në dy baza po trajnohen për sulme në Kosovë/ Eksperti i sigurisë hedh ‘bombën’ – tregon detyrën që Serbia ka marr nga Putin

Politika

“Në dy baza po trajnohen për sulme në Kosovë/ Eksperti i sigurisë hedh ‘bombën’ – tregon detyrën që Serbia ka marr nga Putin

Nga: P.R Më: 4 prill 2024 Në ora: 07:56
Policia e Kosovës

Sipas drejtorit të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, Policia janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, ashtu siç ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Mund të jenë grupe të ngjajshme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera, mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.

Se situata e sigurisë në Kosovë nuk është e mirë, e thotë edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi. Sipas tij, Serbia ka marr detyrë nga Putin për destabilizimin e Ballkanit.

“Siç kemi deklaruar edhe në të kaluarën, fatkeqësisht situata e sigurisë në Kosovë është shumë e brishtë dhe kjo për shkak të pretendimeve të vazhdueshme të Serbisë e cila e siç duket ka marrë detyra konkrete nga Vladimir Putin për destabilizimin e Ballkanit, përkatësisht shkaktimin e ndonjë incidenti në Kosovë, veçanërisht në katër komunat me shumicë serbe nga ku edhe mund të fillojë një eskalim i situatës së sigurisë. Ne kemi pa edhe kërcënime direkte të presidentit të Republikës serbska në Bosnjë, po ashtu kemi parë edhe paralajmërimet e presidentit rus, njëkohësisht edhe të Serbisë, të cilët kanë thënë se pritet që të ketë ballafaqime serioze në të ardhmen”, shprehet Elezi për “Bota sot”.

Siç thotë Elezi, ekzistojnë dy baza ushtarake serbe që po trajnojnë kriminelët serb për sulme në Kosovë.

“Këtë fakt besoj, shërbimet inteligjente të Republikës së Kosovës dhe atyre partnere, kanë punuar shumë që të sigurojnë informacionet e nevojshme në lidhje me rrezikun që i kanoset Kosovës. Dhe besoj që kemi deklaruar edhe ne në të kaluarën, ka deklaruar edhe drejtori i Policisë së Kosovës. Ne kemi thënë se janë dy baza ushtarake brenda territorit të Serbisë, diku afër 20 kilometra në afërsi të kufirit të Kosovës, ku besohet se grupe kriminale të ri serb, janë rekrutuar dhe po trajnohen të njëjtit ushtarakisht për të depërtuar brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për të organizuar sulm terrorist”, thekson Elezi.

“Ky deklarim i drejtorit të Policisë së Kosovës sigurisht se mbështetet në informacionet e shërbimeve sekrete vendore dhe ndërkombëtare, dhe qëndron sepse është e qartë që ka një përpjekje të vazhdueshme për destabilzimin e vendit. Ne duhet të besojmë se krahas këtyre paralajmërimeve, janë marrur edhe vendimet e duhura, sidomos të NATO-s e cila është garantuese e sovranitetit të Republikës së Kosovës, sipas rezolutës 1244, dhe këtë garanci e zbaton përmes forcave të saj të cilat janë në kuadër të KFOR-it”, shton eksperti Elezi.

Ai thotë se çdo eskalim i situatës s sigurisë në Kosovë, është i organizuar nga Rusia dhe Serbia.

“Njëkohësisht duhet të kemi parasysh faktin se edhe Policia e Kosovës me Forcën e Sigurisë së Kosovës pas ngjarjes së vitit të kaluar, pra pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë marrë veprime konkrete për tu organizuar programe koherente të garancisë së sigurisë në vend. Ne besojmë fuqishëm se koordinimi me NATO-n, Policisë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe shërbimin inteligjent të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, që në kohë reale të marrin informacione të duhura, do të arrihet që ndoshta të parandalohet një eskalim i mundshëm, për të cilin kemi parë që është angazhuar seriozisht Rusia dhe Serbia”.

Për fund, Elezi kërkon nga institucionet e sigurisë në Kosovë që ta ngritin shkallen e vigjilencës në pikën më të lartë pas kërcënimeve nga Serbia.

“Por njëkohësisht duhet të kemi një vigjilencë të theksuar, sepse këto paralajmërime janë serioze dhe tani po konfirmohen edhe nga burime lokale e ndërkombëtare dhe nga personalitete të ndryshme, të cilët sigurisht se bazohen në informacione që vijnë nga terreni dhe që janë shumë mirë të informuara. Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës që të ngritin nivelin e vigjilencës në piken më të lartë, dhe të hartojnë projekte dhe programe operative koherente, të cilat kanë pikërisht bazë informacionin në kohë reale dhe burime të sigurta, ngase nga këto informacione ne do të arrijmë që të organizojmë mbrojtjen, do të organizojmë plane operative mbrojtëse, të cilat mund të jenë të bazuara në informacione që do të vijnë nga burime shumë mirë të informuara të cilat janë brenda këtyre organizmave që synojnë destabilizimin e vendit”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat