Nën hijen e Vuçiqit: Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë propozohet për kryeministër, ekspertët alarmojnë për rrezikun

Politika

Nën hijen e Vuçiqit: Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë propozohet për kryeministër, ekspertët alarmojnë për rrezikun

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 prill 2024 Në ora: 12:15
Millosh Vuçeviqi dhe Aleksandar Vuçiq

Millosh Vuçeviqi është kandidat për kryeministër të Serbisë i propozuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq edhe pse dyshohet se ishte organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Kjo po shihet nga njohës të zhvillimeve politike në Beograd dhe ish-ushtarak nga Kosova si rrezik për përshkallëzim të situatës në Kosovë.

Në sytë e politikanit jotipik serb Nenad Çanak, kur një Ministër i Mbrojtjes bëhet Kryeministër, kjo tregon qartë një vazhdimësi të plotë të doktrinës ushtarake që është ndjekur deri tani.

“Unë mendoj se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe një ofensivë e mundshme ruse në Ukrainë ose një përshkallëzim në një pjesë tjetër të botës të shkaktuar nga Kremlini mund të rrisin tensionet në rajon”, thotë Çanak.

Çanak, po ashtu thekson se çështja në këtë fazë është “pritja e dobësimit të vëmendjes së NATO-s në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë”, dhe pastaj përdorimi i këtij dobësimi të vëmendjes për “një ndërhyrje të mundshme ushtarake dhe militarizimin e brendshëm në Serbi”.

Meha: Instalimi i rrjetit serbo-rus brenda institucioneve të Kosovës

Njohësi i politikës, Xhevat Meha, thotë se ky propozim është thotë se Serbia ka disa elemente solide që do të hapë konflikt në Kosovë.

Image
Xhevat Meha

Ai i rendit disa opsione të cilat i laboron dhe janë ‘reale’ për konflikt në Kosovë.

“Propozimin e Vuçeviqit për Kryeministër të Serbisë e shoh jo vetëm si rrezik hipotetik po hap real drejt hapjes së konflikteve nga Serbia, a në Kosovë, a në Bosnje a në të dyja mbetet të shihet. Shoh disa elemente solide se Serbia do të hap konflikt në Kosovë:

1) Shtyrja përpara e skenarëve të luftës nga rrjeti rus i instaluar fuqishëm brenda institucioneve të Serbisë. -  Hapja e fronteve tjera të luftës është një politike e Putinit që pritet të jetësohet në Ballkan.

2) Instalimi i rrjetit serbo-rus brenda institucioneve të Kosovës. - Ky rrjet është instaluar konsolidueshëm brenda institucioneve të Kosovës dhe këtë sigurisht se Serbia përpiqet që të vë në veprim në gjendje lufte. Mirëpo, vënia në veprim e këtij rrjeti nga Serbia i jep Kosovës mundësi të artë që Kosova të trajtoj veprimet e këtij rrjeti me ligje të luftës.

3) Mitet e rrejshme serbo-ruse. - Edhe Serbia edhe Rusia mitet e rrejshme i kanë në ekzistencën dhe mbijetesën e tyre. Duke parë që janë duke e humbur Kosovën hapin konflikt për të ndërtuar narracione të miteve që u duhen atyre.

4) Veprimet e qeverisë së Kosovës. - Qeveria e Kosovës me politikën e saj të zbatuar ka ndihmuar në krijimin e kushteve për hapje të konfliktit në dy drejtime: i) Ka prishur marrëdhëniet me aleatët dhe këtë sigurisht janë të gatshme që Serbia dhe Rusia të shfrytëzojnë, dhe ii) Ka acaruar marrëdhëniet me serbët e Kosovës me disa nga veprimet, që ka çuar në humbje të besimit të shumë qytetarëve serbë të Kosovës në qeverinë e Kosovës”, shpjegon Meha për “Bota sot”.

Qarri: Vuçeviqi, do duhej të ishte në burg, apo të paktën i përjashtuar nga veprimtaria aktiv politike, në Serbi

Edhe analisti Gani Qarri thotë se Vuçeviq, realisht, do duhej të ishte në burg, por i është dhënë mandati dhe mundësia të organizojë edhe sulme të reja terroriste në Kosovë.

Image
Gani Qarri

Ai në gjithë këtë mes thotë se fajtor janë edhe faktori ndërkombëtar i cili nuk ndërmori asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Mosndëshkimi praktik me masa adekuate sanksionuese, i sulmit terrorist serb në Banjë të Zveçanit, nga faktori ndërkombëtar si dhe mos ngritja e padisë penale ndaj krye terroristit Milan Radojçiq dhe terroristëve tjerë serb, që morën pjesë bashkë me të, në aktin e 24 shtatorit 2023, ku u vra edhe polici hero Afrim Bunjaku, nga drejtësia e stërlodhur e Kosovës, i lanë duar të lira kriminelit dhe pasardhësit të kasapit të Ballkanit Sllobodan Muillosheviq, Aleksandër Vuçiqit, që ai për kryeministër të Serbisë, në qeverinë e ardhur në pushtet me vota të vjedhura, ta propozoi pikërisht organizatorin e sulmit terrorist të Banjës së Zveçanit, Millosh Vuçeviqin.

Në fakt, Vuçeviqit, i cili realisht, do duhej të ishte në burg, apo të paktën i përjashtuar nga veprimtaria aktiv politike, në Serbi, me ardhjen e tij, në funksion të kryeministrit të Serbisë, mos-sanksionimin e shtetit serb, për aktin terrorist të Banjës nga faktori ndërkombëtar dhe mos-ngritjen e asnjë padie të vetme penale, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i është dhënë mandati dhe mundësia të organizojë edhe sulme të reja terroriste në Kosovë.

Kështu që sa është fajtor Aleksandër Vuçiqi për propozimin e Millosh Vuçeviqit për kryeministër të Serbisë edhe pse ai dyshohet se ishte organizator i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, po aq fajtor nëse jo edhe më tepër, është edhe faktori ndërkombëtar i cili përveçse nuk ndërmori asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, në vijimësi përdori edhe një fjalor tejet monoton, e aq të paqartë, sa që, vetëm sa nuk u shprehen publikisht të njëjtin mendim publikisht me Vuçiqin, apo vetëm që nuk i thurën edhe lëvdata publike Vuçiqit, për sulmin terrorist në Banjë, duke ju bërë krah i fortë atyre në këtë drejtim edhe Prokuroria Speciale dhe gjyqësia e kalbur e Kosovës që me gjithë kalimin e mbi 6 muajve, dhe hyrjes në muajin e 7-të nga kryerja e sulmit terrorist serb, nuk kanë ngritur asnjë padi të vetme kundër autorëve të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit”, thotë ai.

Tutje, analisti thotë se me sulmi në Banjskë është shkelur edhe kushtetuta e ligji në Kosovë si dhe është rrezikuar në mënyrën më të rëndë e flagrante, sovraniteti territorial i Republikës së Kosovës.

“Prandaj njohësit e zhvillimeve politike në Serbi dhe ish-ushtarakët e famshëm nga Kosova, si rrezik për përshkallëzim të situatës në Kosovë, nuk duhet ta shohin me vetëm Serbinë, Vuçiqin, Vuçeviqin apo Millan Radojçiqin, por Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale që tërhoqi me aq lehtësi dhe pa i dhënë asnjë shpjegim askujt në Kosovë, fletarrestin ndaj krye-terroristit Milan Radojçiq, dhe bashkë me shokë e dashamirë të tij në Prokurorinë Speciale, as pas kalimit të mbi 6 muajve dhe hyrjes në javën e dytë të muajit të shtatë nga sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit, atë ditë e sot, nuk kanë ngritur asnjë padi të vetme, kundër terroristëve serb, sikur në pritën e tyre të armatosur, të ishte vrarë ndonjë pëllumb në lisat e malit, dhe jo rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.

Me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, është shkelur publikisht jo vetëm nga terroristët serb, por edhe nga vet Serbia hegjemoniste integriteti territorial e Republikës së Kosovës, ligji e kushtetuta e shtetit tonë, si dhe është rrezikuar në mënyrën më të rëndë e flagrante, sovraniteti territorial i Republikës së Kosovës.

Prandaj në sytë e politikanit jotipik serb Nenad Çanak, kur një Ministër i Mbrojtjes bëhet Kryeministër, i një vendi që jo vetëm kërcënon por edhe sulmon vendet fqinje, përfshi edhe aktet e hapura terroriste si sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit, tregon qartë një vazhdimësi të plotë të doktrinës ushtarake që nga Serbia është ndjekur në vijimësi tash e mbi tri dekada, që nga sulmet në Kroaci, e Bosnjë, deri në Kosovë”, shprehet tutje ai.

Në fund, ai thotë se Kosova, vijon të mbetet qendër e synimeve të Serbisë për sulme të reja terroriste.

Ai shton se për sa i takon rrezikut nga Vuçiqi, ai t'i jetësojë këto simbolika dhe ta përsëris serish aktin terrorist të Banjës së Zveçanit me një sulm të dytë, a të ngjashëm apo edhe diçka me tepër.

“Kosova, vijon të mbetet qendër e synimeve të Serbisë për sulme të reja terroriste dhe ndërhyrje e destabilizim të mëtejmë agjenturor e gueril, përderisa as Prokuroria Speciale, e cila për turpin e saj, ka tërheq aq lehtë dhe pa asnjë lloj shpjegimi a mbajtje përgjegjësie flet arrestin kundër krye terroristit serb Milan Radojçiq, nuk vepron as nuk sillet, sipas obligimeve që ka ndaj shtetit dhe qytetatëve, në bazë të ligjit dhe kushtetutës së vendit, për ngritjen e padive kundër terroristëve dhe grupeve e organizatave kriminale serbe, të cilat organizojnë sulme terroriste dhe vrasin policët e shtetit në detyrë, siç veproi kryeterroristi Radojçiq & Co, fundshtatorin e vitit të kaluar, brenda territorit të Kosovës!

Ndërsa sa i takon rrezikut nga Vuçiqi, që ai t'i jetësojë këto simbolika dhe ta përsëris serish aktin terrorist të Banjës së Zveçanit me një sulm të dytë, a të ngjashëm apo edhe diçka me tepër, kjo nuk varet vetëm nga Vuçiqi që në fakt, prej çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, për shtetin tonë, është vetëm një faktor i jashtëm, nga i cili vendi ynë qysh në vitet e okupimit klasik të Kosovës, nga Serbia hegjemoniste, në vijimësi ka qenë e rrezikuar.

Ngase, për të kryer një sulm të njëjtë, apo të ngjashëm si ai i vitit të kaluar, në Banjë të Zveçanit, Vuçiqit dhe Serbisë i nevojiten edhe bashkëpunëtor të brendshëm dhe pajtimi, miratimi në heshtje apo edhe kooketimi i pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse, të stacionuara në Kosovë, veçanërisht atyre që janë caktuar të kujdesen për kufijtë dhe sigurinë e pjesës veriore të vendit tonë, pasi që mbështetjen e Prokurorisë Speciale dhe të një pjese të madhe të sistemit të drejtësisë së kalbur të Kosovës, shihet hapur, që jo vetëm se nuk e ka humbur asnjëherë, por edhe 25 vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, ish shefi i informatave të Serbisë, Aleksandër Vuçiq e gëzon edhe sot, madje në përmasa tejet të larta dhe tmerrësisht shqetësuese për shtetin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Dyshimet kryesore dhe frika e bazuar nisur edhe nga aktet e kaluara, sikur sinjalizojnë me theks të veçantë, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, i cili përveçse ka tërhequr pa asnjë shpjegim fletarrestin ndaj Milan Radojçiqit, ai edhe tani kur po e lëmë javën e dytë të muajit të 7-të, që nga sulmi terrorist serb në Banjë të Zveçanit, jo vetëm që nuk ka ngritë asnjë padi, kundër Radojçiqit e terroristëve tjerë serb, pjesëmarrës në atë sulm dhe nuk ka dhënë asnjë sqarime, as për këtë veprim të palejueshëm ligjor, por ekziston frika se në koordinim me disa nga ndërkombëtarët anti-Kosovë, dhe një pjesë të opozitës së inkriminuar, ku bën pjesë edhe vet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kanë për qëllim ta detyrojnë me forcë Qeverinë Kurti për ti bërë koncesione të dhembshme, në veri të vendit tonë, Serbisë fashiste dhe kriminelit Vuçiq, gjë që dëshmon se përveç armiqve të jashtëm, Kosova është në luftë, për jetë a vdekje edhe me armiq të brendshëm që dikush po teton qëllimisht, në njërën anë ti fuqizojë sa më shumë, e në anën tjetër, para qytetarëve, ti bëjë sa më të padukshëm, derisa ta kryejnë plotësisht, misionin e tyre, për shkatërrimin e shtetit të Kosovës”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat