Avokati shqiptar alarmon për çështjen e dinarit: Mbajtja e monedhës së ish-pushtuesit, e cenon rëndë...!

Politika

Avokati shqiptar alarmon për çështjen e dinarit: Mbajtja e monedhës së ish-pushtuesit, e cenon rëndë...!

Nga: M.H Më: 5 prill 2024 Në ora: 08:08
Spartak Ngjela

Gjatë ditës së sotme është mbajtur takimi I radhës mes kryenegociatorit Lajçak dhe përfaqësueseve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Temë diskutimi ka qenë dinari ku edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”.

Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë.

Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela.

Ai thotë se takimi i shtyrë pa një konkluzion për monedhën e Kosovës është një inerci politike e Serbisë dhe se monedha kombëtare është rrjedhojë direkte që vjen nga pavarësia e shpallur botërisht e një shteti dikur të pushtuar.

Gjitashtu avokati thekson që çështja e monedhës është e lejuar edhe në mënyrë juridike.

“Takimi i shtyrë pa konkluzionin thelbësor për monedhën e Kosovës, për mendimin tim, është thjesht një inerci politike e ish pushtuesit të Kosovës, dhe asgjë më shumë. Monedha ligjore e shtetit të Kosovës është euro. Dinari ka qenë monedha e pushtuesit të Kosovës.

Monedha kombëtare është rrjedhojë direkte që vjen nga pavarësia e shpallur botërisht e një shteti dikur të pushtuar.

Prandaj...

Duhet të kemi gjithmonë parasysh pikën sunduese në faktin historik të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Kjo pikë mban me vete kushtin themelor në këtë çështje, i cili nuk mund të mos kujtohet në çdo rast bisedimesh apo analizash: Serbia ka qenë pushtues i shtetit të Kosovës, dhe Kosova e ka fituar me luftë dhe sakrifica të mëdha pavarësinë e saj nga Serbia.

Ja, ky është kushti primar themelor në këtë kohë historike të Shtetit të Kosovës.

Por, ky është edhe principi ku mbështetet sot e gjithë veprimtaria shoqërore e shtetit të Kosovës në aspektin politik, shoqëror, ekonomik, por edhe në sensin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Prandaj, në funksion të kësaj, çështja e monedhës së Shtetit të Kosovës është rrjedhojë juridike absolute e pavarësisë së Kosovës nga pushtimi i Serbisë.

Ky është dhe vetë fakti juridik që nuk mund të lejojë që në territorin e shtetit të pavarur të Kosovës të vijojë të qarkullojë monedha e ish pushtuesit të saj - Serbisë.

Monedha e pranuar me vendim të Parlamentit të Kosovës është euro”, u shpreh ai.

Avokati më tej thekson që pranimi i dinarit është cenim i rëndë i pavarësisë së Kosovës.

“Gjithkush që nuk e kupton këtë fakt, sigurisht që nuk pranon konceptin juridik që Kosova është shtet i pavarur dhe, prandaj, mbajtja e monedhës së ish pushtuesit, e cenon rëndë pavarësinë e Kosovës.

Kurse cenimi i pavarësisë është vepër penale, prandaj, cilado qeveri në Prishtinë që do ta pranonte edhe dinarin si monedhë kombëtare të Kosovës, kryen një krim për cenimin e pavarësisë së Kosovës”, përfundoi avokati shqiptar Spartak Ngjela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat