Analiza nga eksperti i sigurisë: Kështu Rusia përmes Serbisë po spiunon Ballkanin Perëndimor

Politika

Analiza nga eksperti i sigurisë: Kështu Rusia përmes Serbisë po spiunon Ballkanin Perëndimor

Nga: P.R Më: 5 prill 2024 Në ora: 10:18
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot” thotë se Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si rajonin ku mund ta ushtrojë influencën e saj, me qëllim që ta sfidojë NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Strategjia e Rusisë ndaj Ballkanit është në funksion të marrëdhënieve ruse me Perëndimin. Kur këto marrëdhënie ecin mirë për arsye pragmatike, Rusia nuk u bie shumë ndesh politikave të Perëndimit. Kur ndezën përplasjet, Rusia ka tendencë ta shohë Ballkanin si thembra e Akilit për Aleancën Perëndimore, një rajon ku ajo mund të ushtrojë influencën e saj në nivele të ndryshme sikur edhe në media dhe në mënyrë të tërthortë t’ia vështirësojë punët NATO- s dhe Bashkimit Evropian”, shprehet Shala.

Sipas tij, në rajon çdo ditë e më shumë po rritet ndikimi hibrid rus, me qëllim të përhapjes së propagandës ruse.

Image
Drizan Shala

“Pra këtu kemi një lidhje të qartë mes synimeve të politikës së jashtme të një vendi dhe reagimit të medias dominante në këtë vend. Kjo shihet në Serbi, në Republikën Serbe të Bosnjës. Por nëse analizon vende pro-perëndimore si Mali i Zi, Bosnja, MKD vërehet tani me një rritje e ndikimit hibrid ndërsa me Kosovën e Shqipërinë e sheh dallim të madh në reagimin apo përcjelljen e propagandës ruse. Pra modeli hibrid ka marrë pamjen më të plotë në sistemin e sotëm Rus, ku disa parime të përgjithshme të demokracisë Perëndimore ravijëzohen vetëm në Kushtetutën e Federatës Ruse, por që përtej parimeve dhe germave kushtetuese realizohen përmes një modeli autokratik, autoritarist, të centralizuar dhe të kontrolluar nga presidenti rus mbi ekzekutivin, legjislativin në dy nivelet e tij, mbi sistemin e drejtësisë, mbi ekonominë, mediat etj”, shpjegon eskperti Shala.

“Këtu duhet bërë një analizë krahasuese midis modelit hibrid rus dhe tranzicionit hibrid të vendeve të Ballkanit Perëndimor që na shpie në konkluzionin se të gjithë elementët më problematik që i hasim aktualisht në Ballkan, si autoritarizmi qeverisës e korruptiv, centralizmi institucional i pushteteve, oligarkia ekonomike, simbioza e politikës me krimin, kontrolli mbi median, injorimi dhe margjinalizmi i opozitave, paqartësitë në politikën e jashtme etj., tregojnë për praninë e modelit Putinist në këtë rajon, prani e cila i hapë dyert dhe rritë mundësitë për zgjerimin e ndikimit rus në rajon”, shton Drizan Shala.

Për fund, Shala deklaron se tani Rusia do të përdor infrastrukturën serbe si qendër spiunazhi për Ballkanin Perëndimor.

“Për këto qëllime, Kremlini, përveç mediave, përdor si mjet ndikimi edhe Kishën Ortodokse Ruse dhe Kishën Ortodokse Serbe në vendet me një pjesë të konsiderueshme të ortodoksëve në popullsinë e përgjithshme. Prandaj luftërat të formatit hibrid do të jenë shtylla e politikës ruse në Ballkanin Perëndimor duke futur tani me brenda strukturave të sigurisë së Serbisë që nga BIA-VOA-VBA etj, pra spiunazhi rus përmes infrastrukturës serbe”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat