Beteja e lavdishme dhe e përgjakshme/ Si ushtria kriminale serbe pësoi humbjen e madhe nga Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë

Politika

Beteja e lavdishme dhe e përgjakshme/ Si ushtria kriminale serbe pësoi humbjen e madhe nga Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 prill 2024 Në ora: 17:17
Agim Ramadani dhe Sali Çekaj me shokë thyen kufirin Shqipëri-Kosovë

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila arriti të hapte kufirin Kosovë-Shqipëri.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo ka pamundësuar kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ka ndarë në mes një komb të vetëm, ka shuar ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet më të suksesshme të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe për ndikimin që ka pasur ky operacion në rritjen e besimit të popullsisë tek UÇK-ja dhe aleatët e saj.

Kjo betejë ishte bërë shkas i motivimit të shumë vullnetarëve, të cilët pas kësaj beteje iu bashkuan UÇK-së në front. Betejën në Koshare e udhëhoqi Brigada 128, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, i cili me ushtarët e tij arritën që ta shembin murin gati njëqindvjeçar të vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Tash afër 25 vite më vonë, reflektohet mbi këtë betejë të rëndësishme dhe historike për Kosovës.

Por, a është sot Kosova ajo që luftëtarët dhe dëshmorët e Koshares do ta donin?

Tahiraj: Beteja e Kosharës ka vlera të mëdha historike

Saim Tahirajt, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur në lidhje me Betejën e Kosharës dhe hapjen e kufirit Kosovë-Serbi.

Image
Saim Tahirajt, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt

Së pari, ai e cilësoi betejën e Kosharës si një nga vlerat më të mëdha historike të shqiptarëve, e për këtë radhiti plotë pesë arsye.

“Beteja e Kosharës ka vlera të mëdha historike:

E para, duke shkulur gurin famëkeq që ndante padrejtësisht një popull dhe një territor shqiptar, u pastru plotësisht kufiri i ndarjeve, tragjedive dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët.

E dyta, Komandanti i parë i Ushtrisë së Kosovës Salih Çekaj së bashku me Adem Jasharin, Ilaz Kodrën dhe 29 ushtarë të tjerë, me 02.12.1991 theu këtë kufi të hekurt famëkeq. Pikërisht Salih Çekaj ishte njëri ndër komandantët më të lavdishëm të Betejës së Kosharës, pra këtu ishte vazhdimësia e luftës institucionale të udhëhequr nga Presidenti Rugova, 1991-1999.

E treta, ushtria kriminale serbe pësoi humbje të mëdha në teknik dhe ushtarë.

E katërta, u vërtetua edhe një herë, si në Betejën e Loxhës, kur profesionistët, oficerët e MMRK planifikojnë dhe komandojnë në fushëbetejë, suksesi është i garantuar.

E pesta, kur ka unitet dhe ideologjitë e huaja nuk mund të depërtojnë brenda organizimit profesional ushtarak, suksesi do vi domosdoshmërish”, shpjegoi ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt.

Krahas kësaj, Tahiraj potencoi se kjo ngjarje kujtohet me krenari, si një nga më të rëndësishmet në luftën e fundit të Kosovë, ku shqiptarët shënuar fitore të madhe mbi ushtrinë kriminale serbe.

“Beteja e Kosharës kujtohet me krenari si ngjarja më rëndësishme e luftës së fundit në Kosovë. Ushtria jonë e lavdishme e komanduar nga oficerë profesionistë, fitoj mbi ushtrinë kriminale serbe, edhe pse në numër ishte shumë më e madhe dhe e pajisur më mirë në armatim dhe teknik. Kujtohet me dhimbje të madhe për rënien heroike të të gjithë atyre komandantëve dhe luftëtarëve trima në fushën e nderit. Ata/ato janë gurthemel i fortë mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt vlerëson se Kosova ndonëse po ecë përpara, ende nuk është ajo për të cilën luftuan heronjtë dhe dëshmorët e kombit.

Ai kërkoi që në të ardhmen, të gjithë si shoqëri të reflektojmë dhe t’i korrigjojmë gabimet e bërë dhe të mos përsëriten ato.

“Kosova ka ecur dhe po ecë përpara në të gjitha drejtimet, edhe pse me vështirësi të mëdha. Këto vështirësi po ia sjellin udhëheqjet politike në vazhdimësi, të cilat nuk po e kryejnë punën si duhet apo nuk po e kryejnë fare. Kjo nuk është Kosova për të cilën luftuan heronjtë dhe dëshmorët e kombit. Ata/ato Kosovën do ta donin ta shihnin ndryshe, pa korrupsion, me arsim cilësor, me një ekonomi të zhvilluar, pa një islam radikal, me respektim të Kushtetutës si një shtet laik, me respektimin e ligjit dhe me një drejtësi funksionale. Sa herë të vijë përvjetori i Betejës së Kosharës dhe përvjetorë të tjerë, të gjithë si shoqëri e në veçanti pushteti, duhet të reflektojmë pozitivisht, të korrigjohemi për gabimet e bëra dhe të mos përsëriten ato.

Lavdi të përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që flijuan jetën për lirin dhe shtetin e Kosovës”, përfundoi Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Hoxha:  Beteja e Koshares mbetet e vetmja betejë e UÇK-së që u zhvillua luftë frontale me ushtrinë serbe

E në lidhje me këtë ngjarje, ka folur për gazetën “Bota sot”, ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha.

Fillimisht, tha se lufta e UÇK-së ishte e pashmangshme, derisa tregoi për shpartallimin e Jugosllavisë dhe shërbimet e tij si komandant.

Image
Ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha.

“Lufta e UÇK-së ishte proces i pashmangshëm në kuadër të luftërave që u zhvilluan në ish-Jugosllavinë duke filluar nga 12 qershori i vitit 1991 ku filloi lufta mu në ish kazermën ku shërbeja unë si ish ushtarak në APJ dhe me 29 qershor tejkalova me njësitin tim në ushtrinë sllovene ku bllokuam, ngujuam dhe dëbuam ish ushtrinë jugosllave nga Sllovenia, lufta pastaj vazhdoi në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në fund edhe tek ne në Kosovë.

Shpartallimi i ish Jugosllavisë ka qenë projekt shumë mirë i organizuar nga SHBA dhe NATO.

Ishte luftë me princip të gradualitetit, ish Jugosllavia filloi të shpartallohet aty ku ishte më lehtë, pra në Slloveni e në fund në Kosovë, ku ishte më së vështiri, pasi ne shqiptarët në Kosovë nuk kishim armatim, kuadra ushtarake as logjistik për të luftuar me ushtrinë serbe në Kosovë. Mirëpo, aleatët e tyre me siguri me planifikim të mirëfilltë shpartalluan ushtrinë shqiptare në Shqipëri, armatimi doli në rrugë dhe u krijuan kushtet ku ne shqiptarët nga Kosova kishim mundësi të mobilizohemi, të stërvitemi dhe të bartim armatim dhe municion brenda në Kosovë, dhe filluan luftimet e luftës guerile në grupe të vogla”, u shpreh ish-komandanti i UÇK-së.

Krahas kësaj, Hoxha foli edhe mbi financimet që u bënin për UÇK-në, derisa rrëfeu diçka interesante mbi qëndrimet Fatos Klosit dhe Kudusi Lames.

Ai përmendi edhe kolonel Ahmet Krasniqin dhe vrasjen e tij.

“Ish-qeveria ndau buxhetin e 3% për disa qendra stërvitore në veri të Shqipërisë, në të njëjtën kohë u grumbullua buxheti “Vendlindja thërret” për luftëtarët e mobilizuar për luftë.

Pasi ishin dy-tri fonde që mblidhnin dhe ndanin buxhet për luftë, për armatim dhe logjistikë e kuptueshme ishte se u bënë po ashtu tri vija mobilizuese dhe veprimi luftarak i të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së por disa në LPK, disa në LKÇK dhe disa struktura tjera në FARK.

U tentua të bëhet bashkimi i këtyre grupeve por nuk ndodhi ashtu si duhej, buxhetet gati se i bashkuan “komandantët” me Bukoshim e 3 % dhe dhësjon, bartnin shpërndanin para mes tyre por kurrë nuk u kuptua se kush kujt sa i dha dhe si u menaxhuan dhe si përfunduan ato fonde!?

Disa individë si Fatos Klosi në Shqipëri e me vonë edhe gjenerali Kudusi Lama, dinin diçka interesante që ne pjesëtarët e UÇK-së nuk e dinim, ata nuk lejonin që të strukturohet dhe të profesionalizohet UÇK si ushtri profesionale dhe serioze, e ajo ndodhte në repartet ku ishin pjesëtarët e UÇK nën menaxhimin dhe komandimin e FARK-ut. Klosi dhe gjenerali Lama mundoheshin t’i pengojnë dhe t’i shpartallojnë ato njësite, ato reparte ushtarake, kjo u arrit pasi u vra ish ministri Kolonel Ahmet Krasniqi, i shpalluar nga Bukoshi, njësitet gati se u shpartalluan kurse Bukoshi me disa ish ushtarakë të FARK-ut vazhduan të ndajnë buxhetin e 3 % me disa shumë komandantë të UÇK-së, ku më vonë vet Bukoshin e emërojnë edhe ministër”, shpjegoi ai.

Më tej, ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së tregoi edhe për qendrën stërvitore “Papaj” dhe detyra dhe funksionet që kolonel Krasniqi ua kishte thënë Rrustem Berishës dhe Agim Ramadanit.

“Qendra stërvitore Papaj ishte qendra kryesore e FARK-ut, aty kishte shumë ushtarakë dhe ushtarë mirë të stërvitur dhe kjo qendër i rezistoi politikës se shpartallimit të njësiteve të FARK-ut, Shqipëria ose disa si duket e kanë mësuar atë kohë se UÇK do të jetë strukturë afatshkurtër, NATO filloi bombardimet e veta kundër ushtrisë serbe në Kosovë dhe Serbi, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Kazerma në Papaj ishte e gatshme për luftime, kishte ushtarakë, luftëtarë, dhe pas vrasjes se Kolonel Ahmet Krasniqit kjo qendër mbeti si qendër neutrale, faktikisht nuk ishte më nën komandën as të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e as  të disave në Tiranë që vazhdonin të thirren në FARK, në atë qendër ushtarakët në detyra e funksione ishin të emëruar nga kol Ahmet Krasniqi, pra Rrustem Berisha, Agim Ramadani ishin në Brigadë kurse unë isha i emëruar Komandant i Policisë Ushtarake dhe Anton Quni i njësisë vëzhguese që nuk ishin njësi të Brigadës”, nënvizoi  Hoxha.

Gjithashtu, ai kujtoi betejën e Kosharës dhe sulmin e brigadës së Kosharës, ku ishte reparti i parë që UÇK mori nën kontroll.

“Shtabi i Përgjithshëm shpalli mobilizim publik, u lajmëruan mbi 8000 luftëtarë në Shqipëri, mungonte logjistika, armatimi, municioni, paisjet, kuadrat për stërvitje dhe komandim! Në këto rrethana kazerma në Papaj ishte pikë referuese e luftëtarëve, tani Rrustem Berisha e Agim Ramadani kërkonin mbështetje të logjistikës nga dy anët nga përgjegjësit që kishin fondet 3% dhe atë “Vendlindja thërret”. NATO zhvillonte luftimet por Ushtria Jugosllave ende nuk jepte shenja se do të kapitullonte dhe Komanda e Brigadës në Koshare 15 ditë pasi bombardonte NATO në caqet serbe, zhvilloi sulmin e parë frontal në postbllokun kufitar në Koshare ku u dëbua ushtria serbe nga ky objekt dhe faktikisht mbetet i pari dhe i vetmi repart ushtarak i ushtrisë Jugosllave që sulmoi dhe e mori nën kontroll UÇK”.

Në fund, përmbledhi rëndëinë e kësaj beteje, derisa tha se luftimet e UÇK-së ishin tejet të fuqishme aty sidomos ditët e para të luftimeve.

“Pasi u hap fronti aty në Koshare, atëherë filluam të sjellim ushtarë nga regjioni i Kukësit, nga Kruma, Cahani nga Kolshi e Kalimashi në frontin e Koshares, ku tani më kishte rënë në fillim heroi Agim Ramadani, kurse Rrustem Berisha nuk kishte mundësi të mjaftueshme të ketë situatën nën kontroll pasi vinin njësi në luftime aty që jo të gjitha i dinin rregullat e komandimit dhe të subkoordinimit në vijë të frontit. Luftimet e UÇK-së ishin tejet të fuqishme aty sidomos ditët e para të luftimeve, kurse më vonë ardhja e luftëtarëve nga njësitet tjera aty dhe koncentrimi i dendur, i shpeshtë i luftëtarëve aty ka ndikuar që të jetë numri i dëshmorëve, ndoshta më shumë se sa do të ishte.

Beteja e Koshares mbetet e vetmja betejë e UÇK- së që u zhvillua luftë frontale me ushtrinë serbe.

Intervenimi dhe ndërhyrja e NATO-s kishin atë politikë që pas 12 qershorit 1999 u dashtë të çarmatoset dhe të ç’përbëhet UÇK-ja ku mbetet ekzistenca dhe vepra e asaj kohe dhe akt historik për çlirimin e vendit. Lavdi dëshmorëve”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat