Kurti në veri: Kundërpërgjigje për Vuçiqin dhe mesazh i fuqishëm i vendosjes së sovranitetit në gjithë territorin

Politika

Kurti në veri: Kundërpërgjigje për Vuçiqin dhe mesazh i fuqishëm i vendosjes së sovranitetit në gjithë territorin

P.R. Nga P.R. Më 5 prill 2024 Në ora: 19:37
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i vizitoi të mërkurën komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Kurti vizitoi edhe vendin në Banjskë ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku në sulmin terrorist serb që ndodhi me 24 shtator të vitit 2023.

Kjo vizitë nxiti reagimin e menjëhershëm të serbëve, të cilët e quajtën provokim dhe vizitë për min e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve.

Por analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë e mirëpresin vizitën e kryeministrit Kurti në pjesën veriore të Kosovës, si dhe kundërpërgjigje ndaj Serbisë, e cila çdo ditë e më shumë po dëshmon se nuk ka hequr dorë nga dhuna.

Mesazhi i vizitës nga Kurti

Image
Gani Qarri

“Vendimi i pasardhësit të Millosheviqit, apo siç njihej ndryshe- kasapit të Ballkanit, kriminelit Aleksandër Vuçiq, që për kryeministër të Serbisë, në qeverinë e ardhur në pushtet me vota të vjedhura, ta propozojë pikërisht Millosh Vuçeviqin, ish ministrin e mbrojtjes dhe organizatorin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, si dhe deklaratat e sinkronizuara të Petkoviqit dhe të ashtuquajturës "listë serbe" në kryesinë e të cilës kishte edhe terrorist të dëshmuar, për vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në veri të Kosovës, dëshmojnë publikisht se ky provokim kaq i egër, flet hapur për të gjithë faktorët relevant ndërkombëtar, se Serbia, ende nuk ka hequr dorë, nga ideja fashiste, për gllabërimin me forcë të veriut dhe pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës”, shprehet analisti Gani Qarri.

Ai thotë se vizita e Kurtit është një mesazh publik edhe për qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës.

“Pra nga këto qëndrime kaq të egra, dëshmohet edhe një herë më tepër, se Serbia përveçse ka penguar me të gjitha mjetet, minoritarët serb tash e mbi dy dekada, të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës dhe mashtruar ata, se ajo pjesë do të okupohet nga Serbia, edhe pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, nuk ka hequr dorë nga qëllimet e saj ogurzeza, për okupimin me forcë të një pjese të territorit të Kosovës. Prandaj vizita e kryeministrit Kurti në veri të vendit, pas rivendosjes së plotë të rendit e të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit dhe shtetësisë në çdo cep të tokave të Kosovës, ishte edhe një mesazh publik, për qytetarët e të gjitha përkatësive por edhe për Serbinë hegjemoniste, e veçanërisht për organizatorin e sulmit terrorist të Banjës së Zveçanit-Millosh Vuçeviqin, Petkoviqin e Vuçiqin, të ashtuquajturën "lista serbe" e cila është dëshmuar me fakte se në kryesinë e saj, kishte edhe kryeterrorist si Milan Radojçiqi, etj, se njëjtë si të gjitha territoret e vendit edhe veriu është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës”, shton Qarri.

“Madje ishte shumë e habitshme se si provokimet dhe akuzat e Petkoviqit, mund të shkonin aq larg, sa përveçse e quajti vizitën e të parit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në veri të vendit tonë, “provokim”, ai duke shfrytëzuar heshtjen e pakuptimtë të faktorit ndërkombëtar, mori guximin ta akuzonte edhe KFOR-in dhe EULEX-in, se kinse, pse ata e paskan lejuar kryeministrin Kurti, ta vizitojë një pjesë të vendit të vet?!... Përveç Vuçiqit duket se edhe mjerani Petkoviq, ka harruar fare, apo vetëm bëjnë, bashkë me mentorin kriminel, sikur nuk e dinë, se tanimë ka kaluar mese një çerek shekulli, qysh kur Serbinë okupatore, shqiptarët me luftën e tyre dhe ndihmën e NATO-së, e kanë dëbuar përfundimisht nga tokat e veta autoktone dhe hedhur jashtë kufijve të Kosovës, e cila nga vitit 2008 është shtet i lirë e i pavarur, e njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës dhe me pavarësi të vulosur që më 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është organi më i lartë juridik i vet OKB-së, vendimet e të cilës, janë të plotfuqishme dhe të parevokueshme”, thekson Gani Qarri për “Bota sot”.

Qarri kritikon edhe qasjen e televizionit publik të Kosovës për raportimin e vizitës së Kurtit në veri të Kosovës.

“Është mjaft interesant të ceket me këtë rast, se përveç provokimeve nga Serbia hegjemoniste, qëndrimet agresive të të cilës dihen tanimë botërisht nga të gjithë, edhe lexuesja e lajmeve të RTK-së, përveçse nuk pati gojë para pak ditësh, as ti uronte qytetarët e Kosovës për votimin pozitiv të propozimit të zonjës Dora Bakoyannis në Asamblenë e KE-së, për pranimin e Kosovën në Këshillin e Evropës dhe detyroi ministren e jashtme zonjën Donika Gërvalla, që ajo pak para përfundimit të intervistës ta uronte spikeren e RTK-së dhe popullin e Kosovës, e njëjta edhe në lajmet e mbrëmjes së 3 prillit 2024, të RTK-së, irritoi në mënyrë tepër cinike shikuesit dhe qytetarët e Kosovës, duke thënë se Kurti shkoi pa asnjë paralajmërim në veri!!!”.

Qarri thotë se kryeministri Kurti është kryeministri i vetëm i cili nuk ka nevojë që të marr leje nga Milan Radojeçiq për ta vizituar veriun e Kosovës.

“Këndë dhe kujt duhej paralajmëruar kryeministri Kurti, ai nuk ka nevojë ti marr leje Milan Radojçiqit, as ta huazojë barkën e Radojçiqit si Hashim Thaçi me shokë, për të lundruar me lejen e Radojçiqit në Ujman, veriu i Kosovës ka kohë që është vendosur nën kontrollin e institucioneve të shtetit të Kosovës dhe nuk kontrollohet më nga bandat kriminale dhe terroristët serbe, ndaj se kujt i shërbejnë lajme të tilla kaq irrituese për shikuesit, me konotacione të qëllimshme e thellësisht të ulëta negative dhe mesazhe tepër provokuese, deri në primitivizëm klasik, duhet ta di redaksia e RTK-së, që në momente të veçanta për vendin, i lejon një gazetareje të tillë politike, të ngacmojë ndjenjat e qytetarëve të paanshëm, madje të asaj lexuese, burri i të cilës digjte publikisht në sheshet e kryeqytetit të Kosovës, Flamujt e Kosovës, të dizajnuar nga presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, por nuk i pengonin asaj, as komandantëve gangster flamujt e Serbisë, që valonin nga veriu deri në Shtërpcë e Brezovicë në jug të Kosovës”, shprehet Qarri.

“Të njëjtit "patriot" me bateria të pjerrura, të cilët edhe përkundër ndalesës së futjes së mallrave të Serbisë, për shkaqe sigurie, tash e sa kohë, në Kosovë, po këta gangster mendje tredhur edhe sot e mbushin, anë e kënd Kosovën me mallra të kontaminuara të Serbisë, por u pengon, vizita e kryeministrit Kurti në veri të Kosovës, vetëm pse pas shtrirjes së shtetësisë së plotë edhe në këtë pjesë të vendit, është ndër të paktët politikanë që ka marrë guximin edhe ta vizitojnë, një ditë me diell veriun, që siç dihet, është pjesë e pandashme e shtetit tonë, vizitë e realizuar tamam si burrat dhe në vendin e momentin e duhur, madje edhe pikërisht në kohën kur shfaqen alarme të përditshme, për kërcënime dhe tensione nga Serbia dhe terroristët serb, akt për tu përshëndetur e veprim për tu admiruar, që bën për tu krenuar të gjithë shqiptarët, pa dallim!”, përfundon analisti Gani Qarri.

Vendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti Faton Mehmeti thotë se çdo iniciativë e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri nga serbët shihet si provokim.

“Është e natyrshme që lista serbe reagon çdo herë kur institucionet e Kosovës kanë provuar që të vendosin rend dhe ligj në pjesën veriore, dhe e kanë quajtur këtë provokim. Kjo shprehje e tyre është bërë si një lloj shprehje pas secilës po fshehën për të sulmuar këdo që vendos rend dhe ligj, dhe në këtë rast ndaj Kurtit, edhe pse në këtë rast nuk ka asnjë provokim me vizitën e Kurtit në veri të Kosovës, pasi Kurti thjesht ka shkuar në shtëpinë e tij, pra njeriu të lëvizë në shtëpinë e tij. Pra imagjino sikur një fqinjë ta quaj provokim pse njeriu po lëviz në shtëpinë e tij. Kjo nuk ka sens”, deklaron Mehmeti.

Siç thotë ai, qeveria Kurti e ka marr me seriozitet të madh vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Kështu që këto janë më tepër edhe qesharake, dhe kjo dëshmon se Albin Kurti e ka marr shumë seriozisht çështjen e veriut të Kosovës, dhe për herë të parë institucionet e Kosovës po funksionojnë në këtë pjesë dhe më së miri frikën e atyre pak bandave që kanë mbetur atje e shprehin edhe përmes liderëve të cilët ato banda i sponsorizojnë”.

“Unë jam shumë i bindur se serbët lokal të veriut nuk e quajnë provokim vizitën e Kurtit, por thjesht politika e cila sponsorizohet nga Radojeçiqi dhe mbështetet nga Vuçiqi, përndryshe serbët në veri janë të çliruar dhe në një farë mënyre i janë mirënjohës edhe Albin Kurtit që i ka çliruar nga terrori ku grupacionet e Radojeçiqit i kanë mbajtur dhe i kanë terrorizuar duke iu djegur makina, duke i rrahur e kërcënuar këdo që ka provuar që të jetojë normalisht”, përfundon Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat