“Presin urdhrin e Vuçiqit”/ Detaje të reja mbi grupet terroriste serbe që po trajnohen rreth kufirit me Kosovën, ka vullnetarë edhe nga këto shtete!

Politika

“Presin urdhrin e Vuçiqit”/ Detaje të reja mbi grupet terroriste serbe që po trajnohen rreth kufirit me Kosovën, ka vullnetarë edhe nga këto shtete!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 prill 2024 Në ora: 09:05
Pamje nga sulmi terrorist serb në Banjskë

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuar dhe në vazhdimësi po përflitet rreth rreziqeve për sulme të reja.

Serbia, më saktësisht presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq në vazhdimësi po lëshon deklarata provokuese dhe kërcënuese, duke nxitur tensionet edhe më shumë.

Para pak ditësh, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla lëshoi një deklaratë alarmuese ku njoftoi se rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen dhe mund të aktivizohen në sulme agresive ndaj Kosovës.

Gjithashtu, Sveçla shtoi se në Kosovë, po përgatiten për të parandaluar çdo lloj skenari serb, por edhe për t’u ballafaquar!

 “Rreth 400 ekstremistë serbë po trajnohen në zonat përreth kufirit me Kosovën dhe me një urdhër të Vuçiç mund të aktivizohen në sulme agresive. Po përgatitemi për të parandaluar çdo lloj skenari serb, por edhe për t’u ballafaquar”, tha ndër të tjera Sveçla.

Ky paralajmërim i ministrit Sveçla duket të jetë alarmues, jo vetëm për institucionet e vendit tonë, por edhe ndërkombëtarët.

Duke marrë parasysh këtë gjë, do ishte e rrugës që të merreshin masa ndaj planeve dhe skenarëve që Serbia po i përgatit në prapaskenë.

E gjithë këtë, e komentuan ekspertë për gazetë “Bota sot”.

Halimi: Serbia të disiplinohet përfundimisht me masa adekuate sanksionimi

Image
Armend Halimi

E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Ai tha se informacionet që ka ministri Sveçla janë të sakta dhe ka indikacione, e që për këtë vlerësoi se janë të informuara edhe NATO dhe shtetet e fuqishme.

“Institucionet shtetërore natyrisht që nuk dalin me hamëndesime, në këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, sidomos kur kemi të bëjmë me indikacione të rasteve të tilla.

Sigurisht që kur institucionet tona janë të informuar për këso ngjarje, nuk janë të pa informuara shërbimet e NATO-s apo edhe vendeve të fuqishme”, deklaroi ai.

Sipas tij, Serbia është toleruar shumë dhe kjo nuk do duhej të ndodhte, madje potencoi se mosndëshkimi i shteti serb hedh dyshime se mund të jetë sinkronizuar me ndërkombëtarët.

“Por duke qenë se Serbia po tolerohet dhe është toleruar vazhdimisht, dhe për më keq nuk u ndëshkua për të bëmat e saj, sikur ka diçka të sinkronizuar mes Serbisë dhe faktorit vendimmarrës ndërkombëtar!

Ndryshe, do duhej të ndodhte e kundërta, Serbia të dorëzohet dhe të heq dorë nga kërkesat e saj hegjemonistë e ekspansive dhe të disiplinohet përfundimisht me masa adekuate sanksionimi” – përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Elezi: Në fakt, në njërën bazë janë rreth 400 persona dhe në bazën tjetër janë rreth 270, ku përafërisht në dy bazat janë 700 persona

Image
Bedri Elezi

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një prononcim për “Bota sot” dha detaje mbi grupet terroriste serbe dhe trajnimet e tyre.

Fillimisht, tha se këto grupe përbëhen nga vullnetarët të disa shteteve jo vetëm Serbisë, por edhe Malit të Zi, Bosnjës e Kosovës.

“Në fakt, ne kishim deklaruar më parë, që nga fillimi i janarit të këtij viti, se janë dy baza të ndryshme brenda territorit të Serbisë, diku rreth 20 kilometra me kufirin e Kosovës, baza të cilat merren me organizimin apo trajnimin dhe rekrutimin e grupeve terroriste serbe.

Këto dy baza rekrutojnë djem të ri të moshës së rritur dhe vullnetarë nga vende të ndryshme si nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia dhe Kosova, të cilët janë të gatshëm për të organizuar aktivitete të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës, në këto dy baza”

Krahas kësaj, Elezi tha se janë rreth 700 persona që po trajnohen dhe përgatitet ushtarakisht dhe fizikisht për të hyrë të territorin e Kosovës.

“Në fakt, në njërën bazë janë rreth 400 persona dhe në bazën tjetër janë rreth 270, ku përafërsisht në dy bazat janë 700 persona dhe jo 350 sa ishin diku në fillim të janarit. Në këto dy baza bëhet rekrutimi i personave të cilët janë vullnetarë dhe dëshirojnë që të trajnohen dhe përgatitet fizikisht dhe ushtarakisht për të kaluara brenda territorit të Kosovës dhe për të organizuar aktivitete të dhunshme dhe të njëjtit përpos trajnimeve ushtarake dhe fizike e bëjnë edhe do të thotë mund ta themi inkurajim veprime të cilat kanë të bëjnë me moralin e tyre, siç janë: qasja kombëtare dhe gjëja, përgatitja psikike për t'i ndihmua serbët sipas tyre të cilëve u janë mohuar të drejtat e tyre në Republikën e Kosovës”, potencoi ai.

Në vazhdim, eksperti i sigurisë dha informacione shtese së pjesëtarët e këtyre grupeve qëndrojnë vetëm në baza, pra nuk shkojnë as në shtëpitë e tyre.

Duke, shtuar se ekzistojnë dyshime se këto grupe terroriste janë të udhëhequra nga grupi famëkeq, tanimë i njohur i Novi Sadit.

“Këta grupe terroriste, besohet se janë nga grupi i cili ishte futur më 24 shtator në territorin e Republikës së Kosovës dhe një numër tjetër i është bashkangjitur dhe po kryejnë trajnime kundrejt një pagese e cila vjen nga 1500 deri në 5000 euro në varësi nga pozitat që ata mbajnë.

Sipas informacionit që ne kemi, janë njësitë e specializuara të Serbisë të cilat organizojnë këto trajnime dhe të njëjtit gjithashtu qëndrojnë në këto baza, duke mos shkuar në shtëpitë e tyre.

Sipas këtyre informacioneve, këto grupe nuk do të veprojnë, derisa një urdhër nuk do të vinte nga institucionet e Serbisë, presidenti apo persona të cilët janë të ngarkuar me këto grupe terrorist. Ajo që dua të përmend për herë të parë është se besohet dhe dyshohet e këto grupe terroriste janë të udhëhequra nga grupi famëkeq, tanimë i njohur i Novi Sadit. Grup kriminel dhe klan i cili mund të themi se është organizim i ri, ku edhe klani i Zemunit është shkrirë në këtë klan”, nënvizoi Elezi.

Në vazhdim, tha se ka informacione që strukturat e sigurisë së Beogradit po i mbështetin këto grupe terrorist.

Krahas kësaj, kërkoi nga institucionet e Kosovës që të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, pasi është i nevojshëm shkëmbimi i informacioneve për të organizuar plane operative kundër grupeve terroriste serb.

“Ne gjithashtu kemi marrë informacione, se të njëjtit kanë një mbështetje të fuqishme dhe një komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Serbisë, sidomos ato ushtarake, siç janë GRU-ja.

Ndërsa se çfarë veprime duhet të ndërmarrin institucionet e zbatimit të ligjit për të parandaluar çdo aktivitet të dhunshëm të tyre në territorin e Republikës së Kosovës, fillimisht se duhet koordinuar fuqishëm me faktorin ndërkombëtar në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat veprojnë, siç janë KFOR-i, EULEX-i, dhe strukturat tjera të sigurisë që punojnë në kuadër të ambasadave të ndryshme dhe më pas të shkëmbejnë informacione e nevojshme për të organizuar informacionet e duhura, për të organizuar plane operative kundrejt planeve të cilat mendohet që organizohen nga ky grup terrorist apo edhe nga institucionet e sigurisë në Serbi dhe Rusi.

Prandaj, mund të themi se shkëmbimi i informacioneve mes shteteve anëtare të NATO-s, mes shteteve fqinje që kemi ne, gjithashtu mes institucioneve të sigurisë, siç janë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Inteligjenca e Policisë së Kosovës, KFOR-i, UNMIK-u, EULEX-i dhe struktura të tjera”.

Në fund, tha se një nga gjërat më të rëndësishme është të kemi informacione për lëvizjet e këtyre personave dhe grupeve serbe.

“Është tejet e nevojshme dhe në kohë reale të kemi informacione për lëvizjet e këtyre personave dhe planet e tyre për organizimin e veprimeve të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës.

Më pas, në bashkëpunim për të organizuar një surveim të fuqishëm të vijës kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu për të organizuar masa konkrete e operative, siç janë vendosja e post blloqeve në vendet e caktuara apo edhe shtimi i numrit të dronëve të cilët vëzhgojnë çdo lëvizje në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat