Komentohen kritikat e Hotit ndaj qeverisë Kurti për dialogun me Serbinë - analistët kanë këtë përgjigjje!

Politika

Komentohen kritikat e Hotit ndaj qeverisë Kurti për dialogun me Serbinë - analistët kanë këtë përgjigjje!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 prill 2024 Në ora: 20:32
Avdullah Hoti

Dialogu Kosovë – Serbi ka vite që është pjesë e pandashme, përveç palëve në bisedime edhe e ndërkombëtarëve.

Mirëpo, një marrëveshje mes dy vendeve duket ende larg të ndodhë pasi Serbia është ajo e cila po vazhdon politikën të Millosheviçit duke mos pranuar ende Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.

E në lidhje me bisedimet e tanishme mes dy vendeve ka folur edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas tij, ngecjet që ka.

 Ai thotë se mungesa e përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës “ia dhanë të mbrapshtën dialogut”.

“Për fatin e keq të Kosovës, mungesa e vetëdijes dhe përvojës shtetërore nga Qeveria e Kosovës, duke mos u dhënë hapësirë në këtë proces ekspertëve, duke mos dëgjuar këshillat e aleatit kryesor, duke mos ofruar transparencë të procesit për opozitën për të marrë me kohë vërejtjet dhe sugjerimet, i dhanë të mbrapshtën dialogut.

Mbështetja nga aleatët për Kosovën nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se tani. Kjo sigurisht nuk mundëson asnjë lloj marrëveshje të mirë për Kosovën në dialog apo në çfarëdo procesi euro-integrues. Si rezultat, dialogu është zhvendosur nga një proces “me njohjen në qendër” që mbështetej nga letrat e liderëve kryesorë perëndimorë, në një proces “me asociacionin në qendër e i orientuar në menaxhimin e krizave”, është shprehur Hoti.

Po ashtu, ai ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje më të vogël për Kosovën nga aleatët.

Mirëpo, duhet kujtuar që gjatë qeverisjes së Hotit nuk kemi pasur zhvillime pozitive dhe të rëndësishme për Kosovën.

Ahmeti: Qeveria e tanishme po bartë pasojat e qeverive të kaluara

Image
Hidajet Ahmeti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë se pasojat nga koncesionet e qeverive të kaluara po i bartë edhe qeveria e tanishme.

“Dialogu nuk nënkupton që domosdoshmërisht duhet të ketë marrëveshje e të dëmtohet shtetësia e Kosovës. Me këtë logjikë kanë vepruar qeveritë e kaluara dhe dihet rezultati. Pasojat nga koncesionet e qeverive të kaluara po i bartë edhe qeveria e tanishme, pasi marrëveshjet ndërkombëtare kanë efekte juridike ndërkombëtare, pasi shtetet marrin përgjegjësi”, u shpreh ai.

Më tej, analisti theksoi që ata që e kanë sjellë vendin në “buzë të greminës” tash me propagandat e tyre po mundohen me ndërtu opinion publik.

“Ka qene e domosdoshme të ndryshohet qasje në dialog, pasi Kosova është e pavarur e sovrane, e nuk duhet të lejohet të ketë kompromis me kushtetushmërinë me ligjshmërinë e vendit. Ata që e kanë sjellë vendin në buzë të greminës tash me propagandat e tyre po mundohen me ndërtu opinion publik, por qytetarët nuk harrojnë të kaluarën e hidhur nga qeveritë e kaluara”, foli Ahmeti për “Bota sot”.

Tahiraj: Asnjëra qeveri nuk mund të arsyetoj gabimet dhe dështimet e veta duke akuzuar qeverinë paraprake

Image
Saim Tahiraj

Ndërsa, veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që secila qeveri ka sukseset dhe dështimet e veta.

Sipas tij, Hoti ka qenë një ndër kryeministrët serioz të Kosovës, duke theksuar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë.

“Shikuar retrospektiven e zhvillimeve në Kosovë, secila Qeveri e Kosovës ka pëgjegjësit për sukseset dhe dështimet e veta. Dialogu si njëra ndër çështjet më të vështira, për secilën qeveri ka pasur baticat dhe zbaticat e veta. Asnjëra qeveri nuk mund të arsyetoj gabimet dhe dështimet e veta duke akuzuar Qqeverinë paraprake. Ajo mbanë përgjegjësi për gabimet dhe dështimet e veta, porë edhe mburrje për sukseset e arritura. Ish Kryeministri Hoti, për mendimin tim është kryeministri më serioz, më i vendosur dhe më i sukseshëm në organizimin dhe drejtimin e brendshëm të shtetit e po ashtu në politikën e jashtme. Edhe pse qeverisi shkurt sukseset në politiken e jashtme janë të mëdha. Kujtojmë vetëm takimin në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, ku u arrit marrëveshja në prezencë të ish Presidentit të SHBA. Gjithashtu, po arritje e madhe ishte edhe njohja nga Izraeli e cila është njëra ndër njohjet më të rëndësishme që ka pasur Kosova deri më sot. Dyert e shteteve mike të Evropës ishin të hapura dhe pritej me dashamirësi ish Kryeministri Hoti. Suksesi në bisedime me Serbinë, ishte eviden dhe sot duhet vlerësuar. Kanalizimi i bisedimeve se “Për asgjë nuk mirremi vesh nese nuk pajtohemi me njohjen reciprok“ ishte formula mbi të cilën u bisedua për të gjitha çështjet”, shpjegon ai.

Tahiraj më tej u shpreh se komunikimi me qeveritë e kaluara dhe njohës të politikës së jashtme do të ishte çelësi i sukseseve për Kosovën.

“Kur ish Kryeministri Hoti deklaron se, ngecjet në bisedime janë për shkak të mospërvojës politike dhe ia kanë dhënë të mbrapshtën dialogut, mendoj se ka plotësisht të drejtë. Mospërvoja politike dhe kryeneçësia e Kryeministrit Kurti e ka futur Kosovën në një qorrsoka, nga i cili po i vuajm pasojat si shtet dhe shoqëri. Sot më tepër se kurrë i kemi marrëdhëniet e ftohura me aleatët tanë që na ndihmuan për të fituar lirinë, në shtetformim dhe shtetndërtim. Kosova është nën sanksione, falë kryeneçësisë dhe paditurisë së kësaj qeverie, në politikën e jashtme dhe të brendëshme. Do ishte shumë më mirë sikur të konsultohej me ish Kryeministrin Hoti dhe disa të tjerë, që kan një përvojë në politikën e jashtme dhe në bisedime me Serbinë. Bashkëpunimi dhe konsulltimi me personalitete me përvojë politike, me ekspertë të fushave të ndryshme me përvojë, do ishte çelsi i suksesit.  Uroj që sa më parë në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vijë Abdullah Hoti si më i miri për shtetin dhe popullin e Kosovës”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat