“Kosova nuk duhet të kushtëzohet me Asociacionin, Peter Stano gaboi rëndë që iu kundërvu Kosovës”

Politika

“Kosova nuk duhet të kushtëzohet me Asociacionin, Peter Stano gaboi rëndë që iu kundërvu Kosovës”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 8 prill 2024 Në ora: 10:01
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një konferencë ka folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, themelimin e të cilit ai e quajti si kërkesë dhe obligim të kahmotshëm për Kosovën.

Ai u shpreh se nëse Kosova nuk e realizon këtë gjë, sipas tij, nuk është një sinjal pozitiv për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është një kërkesë e kahershme, obligim i kahershëm nga ana e Kosovës, kështu që duhet të realizohet urgjentisht. Nëse Kosova nuk arrin ta realizojë këtë, atëherë nuk do të shihet si një shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar rrugën e normalizimit, e cila tani është e lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën e saj të anëtarësimit në BE”, është shprehur ai.

Bazuar në këtë deklaratë, a mund të jetë themelimi i Asociacioni kushtëzim edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndonëse tashmë është hedhur një hap shumë i rëndësishëm?

Burjani:Kosova ka nevojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’, juristi Blerim Burjani. Ai thotë se, nuk mund të jetë ky kushtëzim, sepse nuk është kriter i përcaktuar ose obligime që dalin nga organet dhe aktet rregullatore të KE.

“Pra nuk mund të ketë kritere speciale dhe jashtë kësaj organizate panevropiane siҫ quhet KiE, pra nuk ka logjikë ligjore për të kushtëzuar Kosovën. Institucionet e Kosovës kanë dërguar letër KiE për obligimet e marra, por Asociacioni vlerësohet si ҫështje e brendshme e Kosovës dhe obligimet e marra nga viti 2013”, vlerëson ai.

Image
Blerim Burjani.

Sipas profesor Burjani, nuk do të ishte e drejtë të vendoset ndonjë kriter i tillë jashtë rregullatives ligjore me të cilën operon KiE.

“Kosova ka nevojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, prandaj kërkohet mobilizim i plotë i funksionimit të institucioneve dhe forcimin e plotë demokratik, është fakt se ka telashe serioze që janë krijuar 3-4 e fundit. Degradimi i shprehjes së lirë ku dominon bullizmi, fyrja, sharja që janë elemente të kundërshtueshme demokratike, nxitja e urrejtjes, barazia gjinore, janë serioze. Kemi punë të shumta për t’i kryer reforma sektoriale që janë shumë të mangëta”, vlerëson ai.

Mehazi: Peter Stano është zëdhënës i BE-së e jo zëdhënës i Këshillit Evropian

Po ashtu. për këtë ҫështje, ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai thotë se zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk është i qartë se kujt ia bën kërkesën me rastin e Asociacioneve të Komunave me shumicë serbe, Kosovës apo Serbisë?

Image
Sulejman Mehazi.

“Zotëri Stano në vend që të kushtëzojë Serbinë e cila nuk është nënshkruese e marrëveshjes evropiane franko-gjermane. Nuk ka më argumente se për asociacionet serbe në Kosovë sesa vetë nënshkrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili plotësisht u pajtua me planin dialogues franko-gjerman dhe në këtë rast topi i asociacioneve serbe ka mbetur në Serbi, i cili presidenti i Serbisë kurrsesi nuk pajtohet të nënshkruajë marrëveshjen paqësore franko-gjermane. Në këtë rast Kosova ka kryer obligimin e dialogut me Serbinë para BE-së, asnjë kusht nuk mund të ketë pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak se problemi kryesor i dialogut Kosovë-Serbi nuk është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, i cili me veprimet e tij të dyfishta më shumë shpreh lojëra të flliqura politike para BE-së me tezën se është pajtuar me procesin dialogues franko-gjerman ama jo të nënshkruajë këtë marrëveshje paqësore”, vlerëson Mehazi.

Ai thotë se është e turpshme për zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, që obligon “Kosovën të themelojë Asociacionet me shumicë serbe jo sipas nënshkrimi të Kurtit, por sipas dëshirës së Serbisë që deklarohet hapur se është me Rusinë e kundër BE-së, gjithë diplomacia botërore e dinë se pengesë e paqës në Ballkanin Perëndimor është Serbi, kurse në anën tjetër zëdhënësi i BE-së me deklaratën e tij antievropiane deklaron se Kosova është ajo që pengon themelimin e asociacioneve serbe në Kosovë”.

“Peter Stano është zëdhënës i BE-së e jo zëdhënës i Këshillit Evropian, ku sipas detyrave politike e diplomatike dallojnë nga njëra tjetra. Dhe, kurrsesi Stano e BE-ja nuk mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat