“Ishte blinduar nga ushtria serbe”, Rudi kujton thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar – ja kush e përgatiti betejën historike

Politika

“Ishte blinduar nga ushtria serbe”, Rudi kujton thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar – ja kush e përgatiti betejën historike

Nga: A.M. Më: 9 prill 2024 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Sot shënohet 25 vjetori i Betejës së Koshares, një prej betejave më të rëndësishme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së Kosovës.

Më datën 9 prill 1999, në kuadër të operacionit "Shigjeta", Brigada 138 e UÇK-së në krye me komandantin Agim Ramadani luftoi me ushtrinë okupatore serbe për të thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përveç marrjes së kontrollit të kufirit, beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë në krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të mbështetjes dhe logjistikës për UÇK-në.

Kjo betejë ishte e ashpër dhe e përgjakshme, por UÇK-ja arriti të fitojë betejën duke dëshmuar vendosmëri dhe guxim në front. Si pasojë, kjo betejë u bë motiv për rritjen e numrit të vullnetarëve që u bashkuan me radhët e UÇK-së për të luftuar për lirinë e vendit.

E në këtë përvjetor të kësaj beteje të lavdishme, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.

Së pari, tha se beteja e Kosharës është historike, pasi u bë luftë për liri dhe vdekje.

Image
Fetah Rudi.

“Pa dyshim që beteja e Koshares është një nga betejat më historike në historinë e Kosovës, betejë kjo që ishte e përgatitur dhe e udhëhequr nga Ministria e Mbrojtjes se Republikës së Kosovës, ku për herë të parë ndodhi thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, të prirë nga Komandant Sali Çekaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, Hysen Berisha, Fadil Hadergjonaj dhe shumë të tjerë, ku së bashku me ushtarë u bë luftë për liri a vdekje”.

Krahas kësaj, përmendi faktin se kufiri shqiptaro-shqiptarishte njëri ndër kufijtë më të hekurt, pasi ishte blinduar nga ushtria serbe.

Mirëpo, fitimtarë dolën ushtarët e UÇK-së.

“Me 9 prill 1999 me një organizim të mirë të Brigadës 138 u thye kufiri shqiptaro-shqiptar, kur dihet se ishte njëri ndër kufijtë më të fortë apo më mirë të them më të hekurt, pasi ishte blinduar nga ushtria serbe, por forcat tona me luftën që bën thyen kufirin në mes Kosovës e Shqipërisë njëherë e përgjithmonë. Kosova ka ende shumë punë që të bëjë në mënyrë që amaneti i dëshmorëve të shkojë në vend. Padyshim që duhet çdo ditë të punojmë që Koosva të bëhet ajo për të cilën edhe luftuam”, përfundoi Fetah Rudi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat