“Do të ketë luftëra të reja”/ Komentohet paralajmërimi nga Knaus - ja çfarë kërkohet nga ndërkombëtarët!

Politika

“Do të ketë luftëra të reja”/ Komentohet paralajmërimi nga Knaus - ja çfarë kërkohet nga ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 prill 2024 Në ora: 20:37
Gerald Knaus

Stabiliteti i Ballkanit tash e një kohë është në krizë nga Serbia dhe Rusia. Të dyja këto shtete në vazhdimësi kërkojnë në një mënyrë ose tjetrën të kërcënojnë sigurinë dhe paqen.

Përballë këtyre kërcënimeve të vazhdueshme janë ndërkombëtarët të cilët duhet të reagojnë, në mënyrë që siguria të mos vihet në pikëpyetje.

Së fundmi është Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet thotë se kriza në Kosovë që e nxiti dhunën në veri “do të vazhdojë”, se kjo “nuk mund ta befasojë askënd” dhe se nëse Gjermania, Franca, BE-ja nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja.

Knaus shkroi kështu në “X” duke marrë shkas nga deklarimi i djeshëm i Listës Serbe, e cila doli kundër votimit të 21 prillit për largimin e mundshëm të kryetarëve shqiptarë nga udhëheqja e katër komunave veriore.

“Duket si një krizë e cila filloi kur kryetarët e komunave nga lista serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqje në fund të vitit 2022, pikërisht në momentin kur Gjermania dhe Franca shtynë për pranimin e propozimit të tyre të normalizimit në Beograd për ‘njohjen de facto’, e cila u thellua kur lista serbe bojkotoi zgjedhjet e reja në vitin 2023, duke synuar krijimin e një vakumi ligjor në veri të Kosovës pa autoritete lokale ligjore fare, që nxiti dhunën më të keqe në një kohë të gjatë… do të vazhdojë. E cila nuk mund ta befasojë askënd”, shkroi Knaus.

Ai thotë se “shumë në të gjithë BE-në ende nuk e shohin ose pretendojnë se nuk e shohin këtë”, duke shtuar se kjo nuk zgjidhet me “Planin e rritjes”.

“Në vend të kësaj, lojtarët kryesorë në rajon presin dhunë të re dhe përgatiten për të. Nëse Gjermania, Franca, BE-ja nuk zgjohen, do të ketë luftëra të reja. Dhe një dështim vërtet katastrofik të BE-së”, shkroi Knaus.

Mirëpo a po paralajmëron ndonjë skenar të Serbisë Knaus?

Mehazi: Nuk mund ta kap logjika e shëndoshë politike e diplomatike evropiane se si është e mundur të mos reagojnë ashpër ndaj Serbisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai thotë se deklarata e Knaus nuk është e rastësishme dhe se duhet ‘zgjim’ i menjëhershëm nga BE, Gjermania dhe Franca pasi nëse vazhdohet kjo krizë në veri të Kosovës atëherë pasojat mund të jenë të mëdha.

Gjithashtu ai radhit disa nga ngjarje të rëndësishme që BE, Gjermani dhe Franca kanë heshtur.

“Fjalët e Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet nuk janë të rastësishme e paushalle, por të sakta, po që se  BE-ja, Gjermania e France nuk zgjohen nga gjumi ndaj Serbisë kriza në veri të Kosovës do të vazhdojë deri në përmasa të një lufte të ashpër në mes Serbisë dhe Kosovës dhe se fajtor kryesor do jenë Franca, Gjermani dhe BE-ja të cilët në mënyrë të palogjikshme politike dhe diplomatike e tolerojnë Serbinë për të bërë çfarë do Vuçiqi. Nuk mund ta kap logjika e shëndoshë politike e diplomatike evropiane se si është e mundur të mos reagojnë ashpër ndaj Serbisë e cila pa frikë e "trimërisht" e në mënyrë agresive sulmon kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës në veri, kurse në anën tjetër zotërinjtë të BE-së, Gjermanisë e Francës që dalin zot paqës heshtin sikur nuk po bën Serbia kurrgjë në Kosovë e cila me anë të terroristëve serbë u sulmua në Banjskë me një arsenal armësh 10 milionëshe eurosh?, si është e mundur të heshtin shtetet evropiane me ndikime të mëdha politike, diplomatike e gjeostrategjike Franca, Gjermani që janë bartës së BE-së ndaj presidentit të Serbisë që çdo ditë sulmon Kosovën buzë kufirit të saj?, si është e mundur që BE-ja,  Franca e Gjermania të kushtëzojnë Kosovën me asociacionet serbe kur Vuçiqi Kosovën e mban brenda kushtetutës së saj dhe hapur thotë se "kurrë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës?, Si është e mundur që BE-ja, Gjermania e Franca të heshtin para presidentit të Serbisē, Aleksandar Vuçiqi, i cili me mos nënshkrimi e planit të tyre franko-gjerman mohon hapur marrëveshjen paqësore të tyre”, shpjegoi ai.

Profesori më tej tregon një prapavijë tjetër të zgjatjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pse BE-ja, Gjermania e Franca nuk tregojnë se janë dorëzuar para Serbisë për shkak frikës ndaj Rusisë dialogun paqësor Kosovë-Serbi e kanë lënë pezull?, mos kjo tregon se dialogu paqësor i dy shteteve ka dështuar dhe se mënyra më e mirë e dy shteteve fqinje është dialogu i luftës e jo i qetësisë së Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia ka lëvizur hap pas hapi drejt rehabilitimit ndërkombëtar

Ndërsa analisti Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet kritikues për qeverisjen e Kosovës ndër vite.

Sipas tij, Serbia po luan lojë të ndytë.

Image
Leon Duhanaj

“Ne jemi dëshmitarë, se që nga paslufta, pothuaj se në çdo proces të zhvilluar në raportet Kosovë- Serbi, Kosova ka bërë hapa mbrapa, përderisa Serbia ka lëvizur hapë pas hapi drejtë rehabilitimit ndërkombëtarë. Nëse do të duhej ta vendosnim fajin në vagë, sigurisht që në 1. Si fajtorë do ta vendosja administratën e UNMIK dhe ndërkombëtarët në përgjithësi. Të cilët në një formë apo tjetrën janë munduar të gjejnë rrugë që Serbinë ta kthejnë në orbitën perëndimore. Megjithatë, nëse do të duhej të gjeja shkaktarin për e kthimit mbrapa të Kosovës në ketë proces, atëherë për mendimin tim, duhet ta kthejmë gishtin kah vetja. Qeveria e Kosovës ka kohë që nuk ka asnjë takim bilateral me ndonjë shtet normal, pasi që janë nën izolim total. Në anën tjetër, Serbia luan lojë të ndytë, por ne ua mundësojmë vetë. Sepse ata bëjnë plane dhe ne ua zbatojmë. Rasti në Banjskë, u dënua nga tërë bota dhe sigurisht që do të ketë insistim që akterët kryesor siç është Radojqit edhe të dënohen, por mos të harrojmë se me ketë, akt dhe me zgjidhjet që po sillen, ka humbur prapë Kosova. Serbia duke parë se si Qeveria Kurti po i ha karremet të cilat ia ngrehë, vazhdon të luaj lojën e dyfishtë, duke shfrytëzuar çdo moment që Kosovën ta shtyjë drejtë destabilizimi dhe shpalljes shtet i dështuar”, foli ai.

Analisti më tej nënvizon që duhet përkushtim dhe vullnet në mënyrë që të kemi një shtet të lirë dhe shumë përgjegjës.

“Në çdo vend me nivel minimal të emancipimit politik, e demokratik, ministrat të cilët dalin duke u marrë me punë të prokurorisë e duke bërë foto e video kuazi patriotike, do të detyroheshin për dorëheqje. Por tek ne nuk ndodhë kjo, duke vërtetuar që ne përpos që kemi krizë të thellë identitare nuk jemi të aftë të jetojmë të lirë por kthehemi dhe ëndërrojmë për armiqtë dhe pushtuesit që na shkatërruam për mbi 6 shekuj”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat